
“NATO duhet të përgatitet për luftë të dyfishtë me Rusinë dhe Kinën”, paralajmëron komandanti amerikan
Aleanca e NATO-s e udhëhequr nga SHBA duhet të përgatitet për mundësinë që Rusia dhe Kina të nisin luftëra në Evropë dhe Paqësor njëkohësisht, me vitin 2027 që mund të jetë një vit i mundshëm i ndezjes, paralajmëroi gjenerali Alexus G. Grynkewich, komandanti më i lartë amerikan në Evropë.
Grynkewich i Komandës Evropiane të SHBA-së, duke folur në një takim të liderëve të industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes në Wiesbaden, tha se situata do të thotë që aleatët kanë pak kohë për t’u përgatitur.
“Do të na duhen të gjitha pajisjet dhe municionet që mundemi për ta mposhtur këtë”, tha Grynkewich.
“Nëse presidenti i Kinës Xi Jinping bën një lëvizje në Tajvan, ai ka të ngjarë të koordinojë një sulm të tillë me presidentin rus Vladimir Putin, duke hapur mundësinë e një konflikti global”, shtoi komandanti.
“Kjo, për mua, do të thotë që të dyja këto gjëra mund të ndodhin së bashku”, vazhdoi Grynkewich, i cili shërben gjithashtu si komandant suprem i forcave aleate të NATO-s.
Bëhet e ditur se komentet e Grynkewich erdhën gjatë një konference të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropën dhe Afrikën, ku udhëheqësit ushtarakë dhe të industrisë po kërkojnë mënyra për të rritur prodhimin e armëve në të gjithë aleancën 32-vendesh të NATO-s, shkruajnë mediat e huaja.
Grynkewich, vetëm disa javë në detyrë si oficeri më i lartë ushtarak në Evropë, tha gjithashtu se përpjekjet e NATO-s janë duke u zhvilluar për të dërguar më shumë sisteme Patriot në Ukrainë.
“Nuk do t’u zbuloj rusëve ose askujt tjetër numrin e saktë të armëve që po transferojmë ose kur do të ndodhin këto, por ajo që do të them është se përgatitjet janë duke u zhvilluar”, tha ai.
Grynkewich tha gjithashtu se do të takohet me udhëheqësit ushtarakë të NATO-s në ditët në vijim për të kërkuar mënyra të tjera për të rritur mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore.
“Do të veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur për këtë”.
Ndryshe, përpjekjet e NATO-s për të dërguar më shumë mbrojtje ajrore në Ukrainë vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar tha se SHBA do t’i siguronte armë Ukrainës, nëpërmjet NATO-s, me aleatët që paguajnë faturën për sistemet.