
Ndalimi i infermieres nga Kosova në kufi, Lutfiu: Formë frikësimi nga autoritetet serbe
Infermierja shqiptare Linda Fetahu-Krivanjeva është ndaluar për tri orë nga policia kufitare serbe teksa po kthehej me familjen e saj nga Kosova drejt Luginës së Preshevës.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, e ka cilësuar këtë veprim si një formë të hapur frikësimi.
Sipas Lutfiu, ndalimi ka ndodhur në kufi dhe përfshinte marrjen në pyetje të Fetahu-Krivanjevës nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
“Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja që dikur u kujdes për ushtarët e lirisë dhe gjithmonë ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, u ndalua për tri orë në kufi nga policia serbe”, shkroi Lutfiu në Facebook.
Tutje paralajmëroi se raste të tilla mund të përsëriten, duke theksuar se ndalimi i saj është pjesë e një serie presionesh ndaj aktivistëve dhe qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Vetë Linda Fetahu-Krivanjeva ka reaguar pas ngjarjes, duke e cilësuar ndalimin si presion të vazhdueshëm nga autoritetet serbe. Ajo tha se veprime të tilla synojnë të intimidojnë shqiptarët aktivë në çështjet kombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Rasti ka shkaktuar shqetësim në mesin e komunitetit shqiptar në Luginë, ndërsa pritet të ketë reagime edhe nga institucionet relevante në Kosovë e më gjerë.