Ndarja e ftesave
Iliaz Bobaj
– I mora ftesat e dasmës së Gencit, – u tha i ati, Agroni, fëmijëve dhe së shoqes së vet, Afërditës. – Nesër do ta njoftoj vëllanë dhe motrat e mia, që të vijnë edhe ata për t’i ndarë së bashku. Njofto edhe ti Afërdita, motrën dhe vëllezërit e tu, që të jenë edhe ata të pranishëm në ndarjen e ftesave. Mendoj ta bëjmë ndarjen së bashku, që të mos harrojmë asnjë nga të afërmit, se jemi fis i madh dhe nuk dua të ketë asnjë qejfmbetje. Dua që dasma e djalit tonë t’i mbledhë me kuç e me maç të afërmit tanë kudo që janë.
Agroni ishte më i madhi i vëllezërve dhe motrave, prandaj mendoi ta luante edhe rolin e të atit në afrimin e vëllezërve dhe motrave të tij dhe të gruas, por edhe të të afërmve.
– Është rasti më i mirë për t’i mbledhur të gjithë së bashku dhe nuk duhet ta lë të më ikë nga duart, – tha me vete. – Aq më tepër që njerëzit janë shpërndarë si zogjtë e korbit në të katër anët e globit.
– Mirë, mirë, – i tha e shoqja dhe u afrua së bashku me fëmijët për t’i parë ftesat.
– Paskan dalë mjaft bukur, – i tha e shoqja, ndërsa fëmijët po i kalonin dorë më dorë.
Të nesërmen pasdite u mblodhën të gjithë së bashku në shtëpinë e Agronit dhe nisën ta bënin listën e të ftuarve të dasmës së Gencit.
Agroni tha emrat e disa miqve të tij, të cilët e kishin ftuar dhe kishte detyrime ndaj tyre. Askush nuk e kundërshtoi dhe emrat e miqve u shkruan në listën e të ftuarve. Më pas shtoi edhe e shoqja, Afërdita, disa nga shoqet e saj të punës. As për ato nuk kishte ndonjë kundërshtim. Edhe emrat që përmendi Agroni, edhe ata që përmendi e shoqja, Afërdita, ishin njerëz të cilët pothuajse nuk i njihte askush prej tyre. Dhe nuk ishin pak.
Agroni fërkoi duart. Puna kishte nisur mbarë dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës, thotë ajo fjala e urtë, e cila na jep krahë kur e përdorim.
Më pas fjalën e mori Artani, vëllai i vetëm i Agronit.
– Unë mendoj ta ftojmë edhe motrën e gruas sime dhe krushqit e sime bije. Veç tyre doja ta shtoja edhe motrën e krushkës.
Nadia, motra e Afërditës, shtrembëroi buzët, sikur kishte pirë me zor ndonjë gotë me uthull.
– Krushqit e vajzës sate po, pa atë motrën e gruas më mirë të mos e ftosh fare.
– Përse?
– Sepse dasma jonë është serioze, kurse ajo është për të qeshur edhe në veshje, edhe në fjalë. Le që ka edhe një huq tjetër. Pasi pi dy-tri gota, hipën mbi tryezë për të kërcyer me atë minifundin e saj dhe i nxjerrë të gjitha jashtë…
– Unë nuk e ndryshoj dot as karakterin e saj, as veshjen.
– E ndryshon, s’e ndryshon, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që dasma jonë nuk ka vend për laraska si ajo.
Në bisedë u fut Etleva, motra e Agronit:
– Nuk është mirë të flasim me terma të tillë fyes për një të afërm të familjes.
– Atyre që thashë, nuk ua heq asnjë presje, – i vuri vulën fjalës Nadia.
– Nuk i thuhet laraskë një gruaje të re, vetëm se vishet sipas modës. Mirë është ta kontrollosh pak veten kur flet.
– Mirë, atëherë. Nëse nuk do t’i them laraskë, po i them sorrë. U kënaqe tani?
Ndërhyri Agroni, i zoti i shtëpisë:
– Mirë, mirë. Po e lëmë ta diskutojmë në fund emrin e saj. Vazhdojmë më tej.
Fjalën e mori Mina, motra e Agronit:
– Mendimi im është t’i ftojmë edhe krushqit e tim biri dhe motrën e krushkut. Po kështu edhe time mbesë, Edlirën, e cila do t’i japë bukuri dasmës, se është yll e shkuar yllit.
Ndërhyri Faruku, vëllai i vogël i Afërditës:
– Nuk jam dakord që ta ftojmë mbesën tënde!
– Po përse nuk je dakord, more djalë? – e pyeti Mina, duke vënë dorën mbi vetull si strehëz, për ta parë më mirë.
– Kam edhe unë arsyet e mia. Kur shkon në rrugë nuk na i fërshëllen fare dhe e mban hundën në qiell, sikur ka ardhur nga Parisi.
– Edhe pse nuk të flet ty dhe nuk duhet ta ftojmë në dasmë?
– Kam edhe një arsye tjetër, edhe më serioze se kaq. Më ka fyer.
– Përse të ka fyer?
– I kam bërë dy herë kërkesë për miqësi në Facebook dhe nuk më ka pranuar.
– E, pika e zezë! – psherëtiu Mina dhe ktheu kokën nga ana tjetër.
– Po të jetë për Facebook, pakënaqësinë më të madhe duhej ta kisha unë, – tha Nadia, motra e Afërditës, – pasi nuk më ka bërë asnjë pëlqim të vetëm te fotografitë e mia që botoj aty. E di që e ka nga zilia, si jam më e bukur se ajo, por unë e kam shpirtin të gjerë si deti dhe di të fal.
– Ju lutem, nuk duhet t’i shohim gjërat në këtë mënyrë! – tërhoqi vëmendjen Agroni.
– Po si duhet t’i shohim sipas teje? – i erdhi përgjigjja nga ana tjetër.
– Më qetë.
Qetësinë e tij e prishi ndërhyrja e Mondit, vëllait të Afërditës:
– Po, domosdo, ti nuk do ta mbash nga ana e njerëzve të sat shoqeje, po nga ana e njerëzve të tu. Nuk thonë kot, gjuha mban nga ana e buzës…
– Mirë, e diskutojmë në fund edhe emrin e kësaj, – tha qetësisht Agroni. – Vazhdojmë më tej.
E mori fjalën Etleva, motra e Agronit.
– Unë mendoj t’i ftojmë edhe dy shoqet e mia të ngushta, Lolën dhe Lidën.
Nadia, motra e Afërditës, u hodh përpjetë, sikur ta kish pickuar ndonjë arëz.
– Lolën? Apapapapa! Edhe kjo na duhet në dasmë, për t’u bërë gazi i botës!
Të gjithë sytë e të pranishmëve u përqendruan mbi Nadian, sikur ajo mbante të mbyllur pas portave të buzëve sekretin e mospranimit të Lolës në dasmë.
– Ç’pate, moj femër? – e lëshoi frerin e fjalës Etleva.
– Nuk të duhet ty se ç’pata, por ajo grua nuk do të vijë në dasmën tonë dhe pikë! – e ngriti zërin Nadia, duke i rënë tryezës me grusht.
Tryeza u tund nga tërmeti i dorës së Nadies dhe nja dy-tri kafe u derdhën nga filxhanët e tyre, duke lënë pas rrëkenë e zezë mbi faqen e bardhë të filxhanëve.
– Kur themi jo për dikë, duhet të themi edhe arsyen përse, – këmbënguli Etleva, motra e Agronit.
– Është arsye personale, – dha shpjegim Nadia.
– Atëherë mbaje për veten tënde dhe na lërë ta bëjmë punën tonë! – vijoi Etleva.
– Ajo femër nuk do të vijë në dasmë dhe pikë! – këmbënguli Nadia.
– Pa dale, dale, se si shumë lart po u bini daulleve! – ndërhyri Agroni.
– Agron, edhe ti merre pak më shtruar, – foli për herë të parë Afërdita, e shoqja e tij.
Agroni u ndodh ndërmjet dy zjarreve. Ndërhyrja e së shoqes së tij, Afërditës, do të thoshte se edhe ajo kishte një rezervë për Lolën. Nuk iu durua:
– Po ç’dreqin keni, që na i fshihni fjalët si dhelpra gjurmët e veta?
Përgjigjen ia dha e shoqja e tij:
– Motra ime, Nadia, ka të drejtë. Për faj të saj, ajo ka vuajtur një tragjedi familjare. Ju të gjithë e dini, mos bëni sikur u ra nga qielli ky lajm.
Etleva, motra e Agronit, nuk mbajti më rezerva. Iu drejtua Nadias:
– E po ne nuk kemi ardhur të merremi me dashnoret e burrit tënd, por me ftesat e dasmës së djalit të tim vëllai.
– Ti do të bëje mirë ta shikoje atë sekretaren që ka yt shoq në zyrë dhe t’i lësh të tjerët rehat, moj vajzë!
Etleva e vështroi sikur do ta hante të gjallë dhe shtrëngoi dhëmbët.
Agroni e pa që po trashej puna dhe ndërhyri energjikisht:
– E lëmë edhe këtë për ta diskutuar në fund.
– Jo, nuk e lëmë aspak! – këmbënguli Nadia. – Po erdhi ajo, nuk do të vij unë, as im shoq dhe askush nga familja ime.
– Ti mos eja, por tët shoq lëre të vijë, se e ka shoqëruesen, – ndërhyri përsëri Etleva, motra e Agronit, duke i hedhur një vështrim tinëzar.
Tani ishte radha e Nadias ta vështronte me urrejtje. Ndërsa motrës së saj, Afërditës, iu drodh një nerv në cepin e djathtë të ballit, por e përmbajti veten.
– Kam edhe unë një propozim, – ndërhyri Artani, vëllai i Agronit: – Mendoj ta ftojmë edhe kryetarin e partisë sonë.
Faruku, vëllai i Afërditës, i ra ballit me dorë.
– Kryetarin e partisë tuaj…?
Agroni nuk arriti t’i kthente përgjigje, se ndërhyri më shpejt vëllai i Afërditës, Faruku:
– Po ftuat ju kryetarin e partisë tuaj, atëherë ne do ta ftojmë edhe kryetarin e partisë sonë. Ne nuk lejojmë të ketë privilegje partiake në dasmën tonë.
– Do të vijë vetëm kryetari i partisë sonë! – tha prerë Artani.
– Do të vijë edhe kryetari i partisë sonë! – vulosi Faruku.
Agroni, pasi u mendua një grimë, propozoi të mesmen e artë:
– Po mirë, le të vijnë të dy. Meqë i doni, le të vijnë. Ja, u zgjidh edhe kjo punë. Po i plotësoj që tani ftesat e tyre.
Dhe i plotësoi në çast secilit nga një ftesë.
– Nuk u zgjidh aspak, – i tha Artani. – Si mund të barazohen dy njerëz, kur njëri është zhabë në llumin e moçalit, kurse tjetri shqiponjë në majë të malit?
Faruku nuk tha asnjë fjalë, veçse me një lëvizje vetëtimthi rrëmbeu ftesën e kryetarit të partisë tjetër, e grisi dy herë dhe e hodhi përtokë, duke vënë edhe këmbën e vet si kapak mbi copat e letrës, që kryetari i partisë kundërshtare të mos ngrihej më.
Edhe Artani, vëllai i Agronit, bëri të njëjtën gjë, por me një qetësi prej shenjtori.
Pas kësaj beteje të shpejtë të dy ithtarëve partiakë, emrat e të dy kryetarëve të partive kundërshtare ishin copëtuar dhe ndodheshin përtokë. Dukeshin si dy strategë të mundur.
Nadia, motra e Afërditës, mendoi ta përmirësonte pak situatën e krijuar.
– Le të vijnë të dy, por të vendosen në skajet e ndryshme të sallës së dasmës.
– Aaaa, jo! – tha Artani. – Kryetari i partisë sonë do të jetë në tavolinën kryesore.
– Kurrën e kurrës! – kundërshtoi Faruku. – Aty do të jetë vetëm kryetari i partisë sonë!
Tani beteja për kryetarët e partive ishte zhvendosur te vendosja e tyre në tavolinën qendrore të dasmës, edhe pse emrat e tyre ndodheshin të copëtuar përtokë. Beteja për ta vazhdonte, madje edhe më e ashpër se më parë.
Agroni vendosi të ndërhynte përfundimisht për ta hapur shtegun e zgjidhjes së këtij ngërçi politik për ndarjen e ftesave.
– Me sa shikoj, kryetarët e partive, në vend që të na i ndreqin, po na e prishin situatën.
Fjalët e tij ishin benzina që i duhej zjarrit politik për ndarjen e ftesave të dasmës:
– Turp e faqja e zezë! – i tha Faruku i nxehur dhe u ngrit në këmbë.
– Turp dhe faqja e zezë për atë dordolecin e partisë tuaj! – ia pagoi Artani me të njëjtën monedhë, duke u ngritur në këmbë edhe ai.
Ndërkohë vazhdonte edhe debati i ashpër ndërmjet motrës së Agronit, Etlevës dhe motrës së Afërditës, Nadias.
– Mjaft, moj vajzë, se nuk kam nge të merrem me ju dhe me të përdalat e fisit tuaj, – u dëgjuan fjalët e Nadias.
– Lëri të përdalat e fisit tonë, po shiko burrin tënd që t’i ka vënë brirët në majë të kokës dhe tallet gjithë bota me ty, – ia ktheu Etleva.
– Disave ua vë burri brirët, disave ua vënë gratë, – e barazoi rezultatin Nadia.
Po deri këtu, se zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve nuk iu la kohë për ta zgjidhur problemin e brirëve. Artani me Farukun kishin arritur kulmin në betejën për kryetarët e partive të tyre. Secili shpërfaqte një vendosmëri të admirueshme partiake. Asnjëri nuk i hapte rrugë tjetrit.
Një çast, kur biseda po bënte përpjetë me ngut, Artani rrëmbeu fletoren ku ishte shkruar lista e të ftuarve, e bëri copë e çikë dhe e hodhi në koshin e plehrave. U kthye pas, shkeli edhe një herë me këmbë ftesën e grisur me emrin e kryetarit të partisë kundërshtare dhe u nis të dilte.
Faruku mbeti duarbosh dhe kërkonte të rrëmbente ç’t’i zinte dora. Rrëmbeu një stilolaps, por e pa që nuk mund të bënte gjë me të dhe e përplasi përtokë. Për fat i shkuan sytë te ftesat. I rrëmbeu nga tryeza, duke ia ngulur thonjtë si skifteri zogut dhe u nis drejt derës.
Agroni e ndoqi pas.
– Të lutem shumë, lëri ftesat këtu! Dhe i zgjati dorën.
– Dashke dhe ftesat, ë? – u ngërdhesh Faruku. – Na, – i tha! – dhe i grisi në dy pjesë. – Këto do t’i hedh në koshin e mbeturinave.
Dhe i tundi ftesat e grisura, duke i shtrënguar në dorë.
Ceremoninë e ndarjes së ftesave të dasmës e mbylli Mondi, vëllai i Afërditës, duke iu drejtuar Agronit:
– Pika burrit në kokë! Nuk është i zoti as për t’i ndarë ftesat e dasmës së djalit të vet!
Etleva, motra e Afërditës, doli e fundit, duke përplasur takat me sa fuqi që kishte.
Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”



