Ndërgjegjësimi i mediave

20 tetor 2025 | 14:49

Shkruan: Hanife Salihu

Besoni, shumë më mirë është të mos realizohet fare një emision televiziv sesa të trajtohen tema që, sinqerisht, nuk duhet as të mendohen, e aq më pak të bëhen pjesë e debateve televizive. Ka tema pa asnjë kriter dhe që nuk kontribuojnë në shoqëri, por e shkatërrojnë; që nuk ndriçojnë mendje, por errësojnë vetëdijen. Ka tema që nuk kanë argumente, por shpifje apo provokime të ulëta ndaj vlerave dhe ndaj njerëzve që kanë dhënë shumë për këtë vend.
Ju lutem, shumë më mirë është të mos ftohen fare disa persona në emisione sesa t’i shohim të ulur si “analistë”, që flasin për çdo gjë, por nuk dinë asgjë. Analiza kërkon dije, përgjegjësi, ndershmëri dhe respekt për publikun. Kur këto mungojnë, çdo fjalë e thënë në ekran bëhet helm për shoqërinë.
Vëmendje, ju lutem, patriotizëm nuk është të mbështjellesh me flamur, por të ruash të vërtetën, të mbrosh nderin dhe të mos lejosh askënd ta përdhosë kombin për interes personal apo politik. Patriotizëm është edhe heshtja ndaj temave që përçajnë, ndaj debateve që ulin vlerën e figurave kombëtare, dhe ndaj atyre që e shndërrojnë median në mjet për ndarje, jo për bashkim.
Ju lutem, shumë më patriotike është të mos ftohet çdo kush në studiot televizive, sepse jo secili që del para kamerës sjell ndonjë analizë të vlefshme. Disa e përdorin ekranin për vetëpërfitim, për vetëlavdërim apo për të përhapur mjegull në mendjen e publikut. Kjo është ajo që po ndodh çdo ditë: më shumë zhurmë, më pak mendim; më shumë protagonizëm, më pak përmbajtje.
Në fund, duhet të vetëdijesohemi se po humbim të gjithë – sepse kur mediat e shkruara dhe vizuale humbin përgjegjësinë, shoqëria humb orientimin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA Lufta e Çlirimit të Kosovës…