Ndërkombëtarët duan vazhdimin e kësaj qeverie

08 dhjetor 2020 | 11:04

Analisti politik Ramush Tahiri ka bërë me dije se ndërkombëtarëve u konvenon zgjedhja e presidentit në këtë kohë. Ai ka thënë se kjo do t’i mundësonte qeverisë Hoti vazhdimin e punës në mënyrë stabile.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka vlerësuar se ndërkombëtarët duan që kjo qeveri ta vazhdojë punën për disa arsye.

“Mendoj se ndërkombëtarëve u konvenon që partitë tani ta zgjedhin presidentin dhe të ndodhë vazhdimi i punës së kësaj qeverie në mënyrë që të kemi një stabilitet të paktën për një vit a më shumë. Ndërkombëtarët këtë qeveri e shohin si teknokratike, prandaj u konvenon. Pra, meqenëse Kosova ka mbetur në gjysmë të disave procese, jo vetëm të liberalizmit të vizave, por edhe të proceseve të tjera siç është dialogu me Serbinë, atëherë ata do të donin që ta vazhdojë punën kjo qeveri”, ka thënë Tahiri.

Ai ka treguar se konsensusi i partive politike për ta zgjedhur presidentin e ri do të siguronte stabilitet institucional.

Sipas Tahirit, nuk do të ishte mirë që vendi të shkojë në zgjedhje me ushtrues detyre të postit të presidentit. “Dëshiroj që kjo tryezë të ketë sukses dhe partitë politike të bëjnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri. Zgjedhja e presidentit do të siguronte stabilitet politik edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja. Pra, nuk do të ishte e njëjta situatë sikurse vendi të shkojë në zgjedhje me ushtrues të detyrës së presidentit”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka treguar edhe cilave parti do t’u konvenonte mbajtja e zgjedhjeve të reja. “Në këto zgjedhje PDK-ja do të mund të rritej pak sepse, për shkak të burgosjes nga Haga të Thaçit dhe Veselit, njerëzit do të solidarizoheshin me luftën. Lëvizja Vetëvendosje mund të rrinte në këtë nivel apo mund të rritej, por duke ia marrë LDK-së votuesit. AAK-ja do të mbetej pak a shumë si parti lokale në Dukagjin, kurse Nisma do të humbte krejt”, ka deklaruar Tahiri.

“Epoka e re”: LDK-ja ka paralajmëruar një tryezë të partive për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit të ri. Si e keni parë këtë iniciativë?
Tahiri: Është një iniciativë e mirë. Këtë iniciativë mund ta marrë jo vetëm LDK-ja që është parti në pushtet, por edhe LV-ja që është në opozitë. Ky është një forum partiak, i cili aktivizohet sa herë shihet nevoja për të gjetur një konsensus për ndonjë çështje të rëndësishme. Motivi i kësaj tryeze është zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës. Siç dihet, presidenti nuk mund të zgjedhet pa qenë të pranishëm 2/3 e deputetëve në Kuvend, përkatësisht 80 deputetë. Ani pse në raundin e tretë ai mund të zgjedhet me 61 vota, por kuorumi çdoherë duhet të jetë me 80 deputetë në sallë. Pra, kjo iniciativë është e vonuar sepse ka kaluar më tepër se një muaj nga dorëheqja e presidentit.

“Epoka e re”: Pse e konsideroni iniciativë të vonuar?
Tahiri: Prej dorëheqjes së presidentit për t’u zgjedhur president i ri duhen dy muaj. Pra, presidenti duhet të zgjedhet konform nenit 82 të Kushtetutës deri më 5 janar. Nëse nuk zgjedhet presidenti deri më 5 janar, atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje brenda 45-ditësh. Pra, i bie që nëse partitë nuk merren vesh deri më 5 janar, vendi shkon në zgjedhje në muajin shkurt. Sipas asaj që unë e interpretoj Kushtetutën, presidenti i vendit duhet të zgjedhet në afat prej dy muajve, pra nga data e dorëheqjes e jo brenda gjashtë muajve qysh po thonë disa.

“Epoka e re”: Pritni që në këtë tryezë të arrihet ndonjë konsensus?
Tahiri: Dëshiroj që kjo tryezë të ketë sukses dhe partitë politike të bëjnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri. Zgjedhja e presidentit do të siguronte stabilitet politik edhe nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja. Pra, nuk do të ishte e njëjta situatë sikurse vendi të shkojë në zgjedhje me ushtrues të detyrës së presidentit.

“Epoka e re”: PDK-ja dhe AAK-ja publikisht kanë shprehur pretendimet e tyre për këtë post. Sa e vështirëson kjo procesin e zgjedhjes së presidentit?
Tahiri: Pretendimet e partive për këtë post politik janë të natyrshme. Pavarësisht se kush pretendon këtë post, Kushtetuta thotë se kandidatët për president duhet t’i kenë nga 30 nënshkrime të deputetëve. As Ramush Haradinaj dhe askush tjetër nuk e ka nisur procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për të qenë kandidat për president. Pra, sipas Kushtetutës, duhet të jenë dy kandidatë për president dhe ata duhet t’i kenë nga 30 nënshkrime. Tash partitë politike po bëjnë politikë me këtë çështje duke e kushtëzuar njëra-tjetrën. Në kushtet aktuale, nëse LV-ja dhe AAK-ja nuk bashkëpunojnë për ta zgjedhur presidentin, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje. Në bazë të gjendjes aktuale, mendoj se presidenti duhet të zgjedhet prej LV-së ose prej PDK-së. Por, siç e dimë, LV-ja është e interesuar të shkojë në zgjedhje, kurse PDK-ja dëshiron ta këtë kandidatin vet, pastaj të shkohet në zgjedhje.

“Epoka e re”: E shihni ju ndonjë skenar që presidenti i ri të zgjedhet para mbajtjes së zgjedhjeve nacionale?
Tahiri: Nëse AAK-ja lëshon pe dhe e kërkon një ministri më shumë, atëherë PDK-ja me siguri se do ta përkrahte qeverinë duke e nënshkruar një marrëveshje me partitë në pushtet për të mos e rrëzuar qeverinë deri në mandatin e saj kushtetues, me kushtin që koalicioni qeverisës ta zgjedhë kandidatin e PDK-së për president. Në këtë mënyrë PDK-ja do të stabilizohej, sepse do ta ketë për pesë vjet presidentin, ndërsa qeveria stabilizohet nga rreziku i rrëzimit të saj. Pa PDK-në kjo qeveri nuk mund të rrëzohet, sepse dihet se tri qeveritë e fundit janë rrëzuar me PDK-në. LV-ja do të ishte e pakënaqur me këtë, ndërsa LDK-ja do të priste të shihte nëse Vjosa Osmani do të formojë parti, në mënyrë që ta shikojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme.

“Epoka e re”: Nëse nuk do të ketë kompromis për president, kujt do t’i konvenonin zgjedhjet, sipas jush?
Tahiri: Në këto zgjedhje PDK-ja do të mund të rritej pak sepse, për shkak të burgosjes nga Haga të Thaçit dhe Veselit, njerëzit do të solidarizoheshin me luftën. Lëvizja Vetëvendosje mund të rrinte në këtë nivel apo mund të rritej, por duke ia marrë LDK-së votuesit. AAK-ja do të mbetej pak a shumë si parti lokale në Dukagjin, kurse Nisma do të humbte krejt. Mirëpo nëse shkojmë tash në zgjedhje pa e zgjedhur presidentin, jam i sigurt se pas zgjedhjeve nuk do të mund të formohet koalicioni i ri qeverisës, sepse me LV-në nuk do të shkonin partitë aktuale dhe ajo nuk do të mund ta formonte qeverinë e vetme. Në këtë mënyrë vendi do të detyrohej të shkonte në zgjedhje edhe një herë në muajin maj.

“Epoka e re”: Shihni si mundësi që në këtë situatë të ndërhyjnë ndërkombëtarët?
Tahiri: Mendoj se ndërkombëtarëve u konvenon që partitë tani ta zgjedhin presidentin dhe të ndodhë vazhdimi i punës së kësaj qeverie në mënyrë që të kemi një stabilitet të paktën për një vit a më shumë. Ndërkombëtarët këtë qeveri e shohin si teknokratike, prandaj u konvenon. Pra, meqenëse Kosova ka mbetur në gjysmë të disa proceseve, jo vetëm të liberalizmit të vizave, por edhe të proceseve të tjera siç është dialogu me Serbinë, atëherë ata do të donin që ta vazhdojë punën kjo qeveri.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia turke arrestoi të martën 198 vetë, përfshirë ushtarë, për…