Ndihem e vetmuar
Nga: Elena Poniatowska
Përktheu: Bajram Karabolli
Eci përgjatë rrugëve të mëdha, sipërfaqeve të gjera të zeza, trotuareve ku futen të gjithë, dhe askush nuk më sheh, askush nuk kthehet, askush nuk më shikon, asnjëri prej tyre. Asnjëri prej tyre nuk jep shenjën më të vogël të njohjes. Unë këmbëngul. Më duaj. Më ndihmo. Po, të gjithëve. Ju.
Ju shoh. Mundohem t’ju magnetizoj; asgjë nuk ju pengon, shikimi juaj rrëshqet mbi mua, më fshin, unë jam e padukshme. Sytë tuaj shmangin ndalimin në asgjë, në asgjë, dhe unë ju shikoj të gjithëve aq intensivisht, sa ju ngulit në shpirtin tim, në mendjen time; fytyrat tuaja më zhbirojnë, më shoqërojnë; mendoj për ju, ju rikrijoj, ju përkëdhel. Ne gratë i vlerësojmë fytyrat; në fakt, në një moment të caktuar, jeta bëhet një fytyrë e vetme që mund ta prekim me buzët tona. Më duaj, më shiko, ja ku jam. Unë thërras të gjitha forcat e jetës; dua të kaloj nëpër xhamin e dritares, të them: “Zotëri, Zonjë, jam unë”, por askush, askush nuk e kthen kokën, jam aq e vetmuar sa ky mur përpara… Do të doja t’ju bërtisja: “Shoqëria juaj do të ishte e mangët pa mua, askush nuk ecën si unë, askush nuk qesh si unë, nuk i rrudhos buzët dhe hundën si unë, kur buzëqesh, kurrë nuk keni për të parë një grua të mbështetet në tavolinë si unë, askush nuk e fsheh fytyrën brenda gjoksit të vet si unë … Zonja, zotërinj, fëmijë, njerëz nga e gjithë bota, më besoni, e vërteta është se do të keni nevojë për mua.”
Do të doja të më dëgjoni, por e di që kjo nuk do të ndodhë. Askush nuk më pret. Megjithatë, çdo ditë me kokëfortësi kapërcej shtegun dhe dal në rrugët e gjera, në atë shkretëtirë të madhe, intime, aq të ngjashme me atë brenda meje. Duhet ta prek, ta shoh me sytë e mi se çfarë kam humbur, duhet ta shikoj këtë hapësirë të zezë katrani, duhet ta shoh vdekjen time.



