Në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës është promovuar libri “Politika e Jashtme dhe marrëdhëniet bilaterale të Kosovës” i autorit Dr. Liridon Lika

31 gusht 2023 | 11:05

Më 14 prill të këtij viti (2023), pra pikërisht në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Liridon Lika (editor/autor) botoi librin me titull Politika e jashtme dhe marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës.

Libri u botua në gjuhën angleze nga shtëpia botuese e njohur “Routledge” në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky libër i përbashkët analizon politikën e jashtme dhe marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Austrinë, Belgjikën, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Suedinë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Këto shtete zënë zyrtarisht një vend të rëndësishëm në politikën e jashtme të Kosovës dhe me të cilat Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike, duke përfshirë hapjen e ambasadave në kryeqytetet e tyre dhe anasjelltas. Për më tepër, këto vende janë anëtare (ose kërkojnë t’i bashkohen) strukturave perëndimore, sikurse NATO dhe/ose Bashkimi Europian (BE) – dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet.

Kështu që, çdo kapitull i librit i kushtohet marrëdhënieve dypalëshe të Kosovës me një shtet të lartpërmendur me të cilin Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike.

Qëllimi i këtij libri është të paraqes kontribute të ndryshme nga akademikë, diplomatë dhe studiues të interesuar për Republikën e Kosovës, marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera dhe politikën e saj të jashtme.

Ideja e librit lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të dokumentuar më mirë politikën e jashtme dhe marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës.

Për të analizuar politikën e jashtme dhe marrëdhëniet bilaterale të Republikës së Kosovës, projekti i librit ka mundur të llogaris në kontributin e disa studiuesëve dhe diplomatëve të njohur. Të gjithë kontribuesit e kapitujve të këtij libri janë shqiptarë nga trojet etnike shqiptare.

Ky libër ka për qëllim të kontribuojë në pasurimin e literaturës ekzistuese shkencore mbi këtë temë, si dhe të sjellë diçka të re në një nga aspektet e rëndësishme strukturore të politikës së jashtme të një shteti të ri siç është Republika e Kosovës.

Rëndësia e këtij libri është domethënëse. Deri më tani, librat për Kosovën janë përqendruar kryesisht në rolin e aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm në krijimin e shtetit të Kosovës, njohjen, demokratizimin dhe europianizimin. Megjithatë, shumë pak studime kanë analizuar politikën e jashtme të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj bilaterale me shtetet e lartpërmendura.

Literatura ekzistuese për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës nuk është as e gjerë dhe as e përditësuar. Pra, ka ekzistuar nevoja për të zhvilluar njohuri për këtë aspekt të rëndësishëm të shtetndërtimit të Kosovës.

Përfundimi i këtij studimi është rezultat i një pune kolektive intensive dhe të rregullt, gati dy vjeçare.

Përveç Liridon Likës, disa nga kapitujt e këtij libri janë shkruar edhe nga autorët: Afrim Krasniqi, Anton Vukpalaj, Ardian Shahini, Armend Bekaj, Bernard Nikaj, Daut Dauti, Drilon S. Gashi, Engjellushe Morina, Enika Abazi, Faruk Ajeti, Pëllumb Kelmendi, dhe Shkëndije Geci Sherifi.

Për më tepër, botimin e këtij libri e mbështetën edhe profesorët Arben Hajrullahu, Bekim Baliqi, Bashkim Iseni, Vjosa Musliu, Aidan Hehir, Pol Bargues, Sebastian Santander, Sophie Vanhoonacker dhe Thomas Conzelmann.

Që nga pavarësia e saj në vitin 2008, Republika e Kosovës ka miratuar një politikë të jashtme në përputhje me vlerat dhe interesat e saj strategjike; një politikë të jashtme që synon të forcojë sigurinë e Kosovës dhe të promovojë lulëzimin e saj socio-ekonomik në bashkëpunim me vendet kryesisht perëndimore.

Politika e jashtme e Kosovës synon të zhvillojë dhe përmirësojë pozitën e shtetit në skenën ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë sovranitetin shtetëror.

Libri tregon se Kosova ka konsoliduar shtetndërtimin dhe sovranitetin e jashtëm përmes thellimit të marrëdhënieve dypalëshe me aleatët dhe partnerët e saj.

Libri i përgjigjet pyetjes kërkimore: cilët faktorë kanë formësuar politikën e jashtme dhe marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e lartpërmendura?

Republika e Kosovës është një shtet europian, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, shumica prej të cilëve janë nën moshën 30 vjeçare.

Pas pavarësisë, së bashku me përkushtimin e saj për konsolidimin e sovranitetit të brendshëm, Kosova kishte prioritet konsolidimin e sovranitetit të jashtëm përmes politikës së saj të jashtme. Kështu që, Kosova filloi të krijojë infrastrukturën ligjore dhe institucionale për të zbatuar politikën e saj të jashtme.

Rezultati i politikës së jashtme të Kosovës për periudhën 2008-2023 mund të përmblidhet në këto 4 pika:

Së pari, përmes aleancave të saj me shtetet perëndimore, kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, politika e jashtme e Kosovës ka arritur të rris numrin e njohjeve zyrtare, dhe të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, si dhe të ushtrojë sovranitetin e saj në skenën ndërkombëtare.

Njohjet e Republikës së Kosovës kanë krijuar efekte politike dhe juridike. Kosova është njohur zyrtarisht nga shumica e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Me 117 njohje nga e mbarë bota, Kosova ka forcuar pozitën e saj si shtet sovran në skenën ndërkombëtare. Përveç kësaj, rreth 170 vende në mbarë botën tashmë njohin pasaportat dhe dokumentet e identitetit të lëshuara nga autoritetet kosovare.

Kosova gjithashtu është bërë anëtare e plotë e shumë organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare politike, ekonomike, kulturore dhe sportive.

Së dyti, shtetet më të pasura në botë, veçanërisht shumica e vendeve perëndimore dhe aleatët e tyre, e kanë njohur tashmë Kosovën dhe vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e shtetit tonë për t’u anëtarësuar më tej në organizatat ndërkombëtare.

Së treti, të gjitha vendet fqinjë përveç Serbisë, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe po bashkëpunojnë aktivisht me Kosovën. Këto vende kanë hapur ambasadat e tyre në Prishtinë dhe anasjelltas.

Së katërti, shumica e vendeve europiane tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme edhe për faktin se Kosova është në Europë dhe synon të integrohet në BE.

Republika e Kosovës po përballet me kërcënime, pengesa dhe sfida nga Serbia dhe Rusia. Prandaj, përmes politikës së jashtme dhe marrëdhënieve dypalëshe me vendet perëndimore, Kosova kërkon mbi të gjitha të garantojë sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Pra, Kosova ka zhvilluar një aleancë me fuqitë perëndimore, kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i sigurojnë mbështetje dhe mbrojtje.

Për më tepër, për të konsoliduar më tej sovranitetin e jashtëm, si dhe të mbrojë interesin e saj shtetëror, Kosova themeloi dhjetëra misione diplomatike jashtë vendit.

Ndërmjet viteve 2008 dhe 2023, Kosova ka akredituar përafërsisht 65 misione diplomatike dhe konsullore në vende të ndryshme në të gjitha kontinentet.

Misionet diplomatike të Kosovës në vendet e analizuara në këtë libër kontribuan në forcimin e marrëdhënieve bilaterale me vendin pritës, nënshkruan marrëveshje të shumta bashkëpunimi dypalësh, ofruan dhe vazhdojnë të ofrojnë shërbime konsullore dhe të përfaqësojnë interesat e Kosovës jashtë vendit.

Kapitujt e këtij libri tregojnë se që nga viti 2008 e deri më tani, Republika e Kosovës ka zhvilluar marrëdhënie të mira bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende europiane, duke mbuluar fusha të ndryshme si diplomacia, politika, ekonomia, aspektet ushtarake dhe kulturore. Në këtë drejtim edhe mërgata shqiptare ka luajtur një rol të madh.

Prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës mbeten: rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i plotë në organizata të ndryshme ndërkombëtare duke përfshirë Interpolin, Këshillin e Europës dhe OKB-në.

Kosova po synon gjithashtu të bëjë përparim në integrimet euroatlantike, veçanërisht në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Si përfundim, në këtë libër theksohet se politika e jashtme e Kosovës është pro-perëndimore dhe e orientuar drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Përafrimi i Kosovës me fuqitë perëndimore i ka rrënjët në marrëdhëniet e saj të kaluara, mbështetjen e tanishme dhe aspiratat e së ardhmes.

Kosova ka lidhje të rëndësishme me Perëndimin dhe ndan vlera të përbashkëta e parime universale me aktorët perëndimorë.

Dhe krejt për fund, ky libër është me interes kyç për studiues, diplomatë, dhe studentë të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

1CC85491-62B3-4DE3-A77E-74F4596F3167.jpg

Liridon Lika (ed.) (2023), Kosovo’s Foreign Policy and Bilateral Relations, London and New York: Routledge.

https://www.routledge.com/Kosovos-Foreign-Policy-and-Bilateral-Relations/Lika/p/book/9781032443171

Të dhëna rreth autorit/editorit të librit:

Dr. Liridon Lika është ligjërues në Qendrën për Studime të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (Center for International Relations Studies – CEFIR) të Departamentit të Shkencave Politike të Universitetit të Liezhës (Université de Liège) në Belgjikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dekoruar me Kordonin e…