
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë zhvillohet veprimtaria me temën “Shqiptarët në koalicionin e madh antifashist të Luftës së Dytë Botërore”
Sot, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua veprimtaria me temën “Shqiptarët në koalicionin e madh antifashist të Luftës së Dytë Botërore”. Kjo veprimtari u organizua nga Seksioni i Shkencave shoqërore dhe Albanologjike, pjesë e ASHSH-së dhe një grup pasardhësish të veteranëve të LANÇ-it në kuadër të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore.
Veprimtaria u moderua nga drejtori i Institutit të Historisë prof. dr. Hamit Kaba, dhe prof. dr. Ksenofon Krisafi.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. asoc. Gëzim Hoxha mbajti fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai u shpreh se në këtë përvjetor të rëndësishëm Akademia e Shkencave kujton me nderim kontributin e të gjitha forcave antifashiste të popujve dhe të lëvizjeve të rezistencës që sfiduan tiraninë dhe mbrojtën idealet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Më tej, ai theksoi se Akademia e Shkencave e riafirmon sot se antifashizmi është dhe mbetet një vlerë universale, e cila bashkon popuj dhe kultura të ndryshme përtej kufijve kombëtarë dhe ideologjikë. Ai mishëron parimet e solidaritetit të paqes dhe të bashkëjetesës, të cilat janë themeli i shoqërive moderne dhe demokratike.
Në fund akad. Hoxha e vuri theksin tek puna e Akademisë së Shkencave për ndërmarrjen e projektit për botimin e ri të historisë së popullit shqiptar, duke e pasuruar me dokumente të reja dhe argumente të bazuara të ngjarjeve që përkujtohen në këtë veprimtari.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe veterani z. Naxhi Zhupa, ish-partizan i Brigadës VIII. Ai shprehu krenarinë që rreth 416 ditë me radhë ishte pjesëmarrës në një luftë që do ta bënte Shqipërinë të njohur dhe të nderuar në të gjithë botën. Z. Xhupa theksoi se lufta antifashiste në Shqipëri pati një vlerë të veçantë për krijimin e ushtrisë së parë partizane, e cila u bë edhe ndihmëse e aleatëve.
Prof. dr. Ksenofon Krisafi paraqiti një studim për kontributin e shqiptarëve në fitoren mbi fashizmin. Ai theksoi se duhet bërë një vlerësim objektiv, në një kohë që po prekej pavarësia e vendit dhe territoret e tij po kërcënoheshin. Prof. dr. Kristafi përmes argumenteve dhe shifrave konkrete e vlerësoi kontributin e luftës partizane, të lidhur me vizionin largpamës të atyre që patën në krye, që i radhiti shqiptarët në krahun e aleatëve fitues dhe i vuri në ballë të faqes së lavdishme të historisë së luftës kundër nazifashizmit.
Prof. asoc. dr. Ethem Çeku paraqiti një studim për rikthimin e Kosovës nën Jugosllavi gjatë viteve 1944 – 1945. Ai përshkoi historinë e pushtimit dhe rezistencës përmes qasjeve dokumentare dhe krahasimore. Procesin e rikthimit të Kosovës në Jugosllavi ai e paraqiti si një ndërmarrje ushtarako- politike të pranuar nga faktori ndërkombëtar dhe që u realizua në kundërshtim me aspiratat kombëtare të shqiptarëve. Ai theksoi se ndërsa shqiptarët u bashkuan në luftën kundër fashizmit, rikthimi i Kosovës në administrimin jugosllave shënoi një nga momentet më të dhimbshme dhe tragjike në historinë moderne të shqiptarëve në rajon.
Prof. dr. Pëllumb Xhufi paraqiti një studim të mbështetur në arkivat për forcat politike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, parë në përputhjet dhe mospërputhjet e tyre me qëndrimet e aleancës Anglo- Sovjeto-Amerikane.
Akad. Xhufi e vuri theksin në një nga pikat kyçe të historisë që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve gjatë Luftës II Botërore. Ishte pikërisht data 21 qershor e vitit 1941 e sulmit të Gjermanisë naziste mbi Bashkimin Sovjetik. Të nesërmen në 22 qershor Winston Churchill mbajti një fjalim historik nga valët e Radio – Londrës për shpartallimin e Hitlerit dhe çdo gjurme të regjimit nazist. Akad. Xhufi përshkroi në studimin e tij sesi shumica e vendeve ndryshuan pozicionet e tyre në marrëdhëniet dhe qëndrimet diplomatike për një angazhim total dhe krijimin e aleancave të mëdha në luftën kundër nazi-fashizmit.
Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti studimin me temën “E ardhmja e Kosovës në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe aleatët e mëdhenj”. Ai theksoi se Kosova dhe territore shqiptare iu bashkuan Jugosllavisë me forcë. Problemi i Kosovës nuk u shtrua fare në Konferencën e Paqes, sikurse ishte artikuluar disa herë në Luftën II Botërore. Aleatët nuk kishim motive të mjaftueshme që të merreshin me zgjidhjen problemit të Kosovës dhe të respektonin Kartën e Atlantikut, ndërsa shteti shqiptar nuk e kishte as vullnetin dhe as prestigjin ndërkombëtar të kërkonte Kosovën, në një kohë që konfigurimi i Ballkanit ishte në favor të Moskës, e cila ishte aleate e Jugosllavisë. Edhe për Britaninë e Madhe peshorja anonte nga Jugosllavia. Në argumentet e mëtejshme ai përmendi faktin që shteti shqiptar ende nuk konsiderohej zyrtarisht si vend aleat i luftës, nuk ishte pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe nuk kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Prof. asoc. Marenglen Kasmi në studimin e tij e përcaktoi antifashizmin si një vlerë të patjetërsueshme europiane dhe foli për sfidat e sotme. Ai theksoi se sot antifashizmi në tërësinë e tij përballet me një sërë sfidash të reja: rritja e ekstremizmit të djathtë, përhapja e teorive konspirative dhe relativizimi i krimeve të regjimeve fashiste e naziste, të cilat përbejnë kërcënime serioze ndaj kujtesës historike dhe vlerave të antifashizmit. Prof. asoc. Kasmi theksoi se përpjekjet për të barazuar komunizmin me nazizmin në diskursin europian rrezikojnë të zbehin dallimin thelbësor midis qëndresës dhe bashkëpunimit me të keqen. Në Shqipëri sfida më e madhe është tendenca për të zhveshur përgjegjësitë historike dhe për të fshehur bashkëpunimin e një pjese të elitave politike dhe intelektuale të kohës me pushtuesit.
Veprimtaria vijoi me kumtesën e prof. asoc. Bernard Zotaj, i cili vlerësoi misionin historik të divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe kontributin e ushtrisë partizane, si dhe dëshmorët e rënë përtej kufijve shtetërorë të atdheut. Ai tha se kalimi i divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare përtej kufijve shtetërorë, në ndjekje të ushtrisë gjermane me luftime e beteja të përgjakshme deri në Vishegrad, është argumenti më i pakundërshtueshëm se ajo ishte një luftë e pastër nacionalçlirimtare, siç ishte për të gjitha vendet e pushtuara nga nazifashizmi. Me këtë akt populli shqiptar do të radhitej me dinjitet përkrah fitimtarëve, për herë të parë në histori.
Prof. asoc. Teki Kurti foli për qëndrimin e Kombeve të Bashkuara dhe rezistencën antifashiste nacionalçlirimtare në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore.
Në fund, u bënë diskutime për temat e trajtuara në këtë veprimtari shkencore lidhur me kujtesën historike, si dhe ndikimin e ngjarjeve globale në periudhën e Luftës II Botërore në historinë e shqiptarëve.
www.akad.gov.al