Në emër të dinjitetit qytetar dhe të së vërtetës publike, bashkohu për ndryshim

13 maj 2025 | 13:02

Shkruan: Astrit Gashi

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen sot përballë një zgjedhjeje themelore, aspak të vështirë që të mbështesin ata që realishtë, punojnë për qytetarët, për infrastrukturën, ambientin dhe jetën publike, apo të vazhdojnë të mbajnë në këmbë një sistem të kalbur, që për dekada të tëra ka përdorur pushtetin për pasurimin e vetes dhe rrethit familjar.
Politika nuk është pronë private, as instrument për të ndërtuar vila mbi varfërinë kolektive. Ajo duhet të jetë përgjegjësi publike dhe shërbim ndaj njerëzve të zakonshëm, veçanërisht ndaj atyre që jetojnë në periferi dhe në zonat rurale atje ku disa liderë nuk kanë shkelur kurrë dhe nuk dinë as si jetohet.
Për fat të keq, institucionet tona janë kapur nga një sistem nepotik, i instaluar ndër vite, që përjashton meritat dhe shpërblen servilizmin. Ky sistem nuk prodhon zhvillim ai prodhon vetëm largim. Të rinjtë shqiptarë nuk po ikin sepse nuk e duan vendin e tyre. Përkundrazi po ikin sepse vendi i tyre nuk u ofron më as shpresë, as dinjitet, as mundësi reale për jetë. Dhe ky realitet nuk është i kufizuar vetëm në Maqedoninë e Veriut pasqyra është e njëjtë edhe në Kosovë e Shqipëri. Në Has të Shqipërisë, nga 17 mijë qytetarë, votuan vetëm një mijë. Jo sepse nuk i intereson demokracia, por sepse janë të braktisur. Dhe kur qytetarët ndihen të braktisur, ata nuk votojnë, ata ikin.
Të duash vendin nuk do të thotë të heshtësh përballë padrejtësisë. Nuk është atdhedashuri të servilosesh ndaj liderëve të përjetshëm dhe të pranosh kultin e tyre si normalitet politik. Atdhedashuri është të thuash të vërtetën, edhe kur ajo dhemb. Është të thuash jo arrogancës. Jo kapjes së shtetit. Jo politikës së trashëguar si çiflig privat nga një grusht njerëzish. Sepse ai që e ka shkelur një herë besimin e qytetarëve, e ka shkelur vetë kontratën morale mbi të cilën qëndron çdo shoqëri demokratike.
Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për vetëdije kritike, jo për ndjenja të verbëra. Dashuria për vendin nuk matet me flamuj në podiume, as me epitete boshe për politikanë por me ndershmëri dhe përgjegjësi ndaj së vërtetës. Duhet mbështetur çdo lider që ka guximin të thotë jo ndaj nepotizmit, jo ndaj servilëve dhe një po të madhe për një përfaqësim të denjë e dinjitoz të shqiptarëve në çdo hallkë të shtetit.
Shqiptarët sot nuk i besojnë më babadimrit politik, as patriotëve me flamur në dorë dhe llogari të fryra bankare. Ata duan të besojnë në integritet, në reformë të vërtetë, në drejtësi dhe barazi. Dhe është detyra jonë qytetare të mos e lejojmë më askënd ta përdorë popullin si justifikim për privilegjet e veta.
Sot, duhet të mbështetet ai lider që ka vizion për ta ndalur migrimin masiv, ai që ka guximin të hapë dosjet e korrupsionit dhe të ndërtojë një karrierë politike mbi vlera, jo mbi pazare. Jo ata që ditën flasin për të drejtat e shqiptarëve, ndërsa natën bëjnë pazare në kurriz të këtij populli të varfër, me ata që na kanë vrarë gjithçka që frymon shqip.
Shokët e Mihajllkovit dhe Gruevskit nuk janë më të fshehur, nuk janë enigmë po i njohim të gjithë. Ata nuk meritojnë më të na qeverisin, ata duhet të gjykohen. Ata nuk duhet të i lejojmë të arratisen, siç e bënë shefat e tyre. Sepse nuk është rinia jonë që duhet të largohet nga kjo pjesë e Dardanisë por ata i kanë vrarë shpresën duhet të denohën dhe të largohen!
Legjitimitet ka ai njeri që qeverisë me duart e pastra. Patriotizmi më i madh sot është ti mbajmë shqiptaret në atdhe. Bashkohu në mision, ndryshim dhe vlerë! E kush janë ata!?
Të gjithë ata që i luftojnë keto dukuri me secilin çmim e meritojnë votën tonë!
E di se ka shumë të tillë vetëm duhet guxim qytetar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Bayern Munich, Alphonso Davies, është ende duke kaluar…