
Në fushë pas 241 ditësh, Rodri: Mezi e kam pritur këtë ditë
50 ndeshje u detyrua të rrinte jashtë, por Rodri më në fund e shijoi sërish fushën e blertë. Mesfushori spanjoll dhe fituesi i “Topit të Artë” është rikthyer në skuadrën e Manchester City, në fitoren 3-1 që arritën ndaj Bournemouth në Premier Ligë.
Fundi i ferrit për Rodri, që në fillim të këtij sezoni u detyrua të operohej pas dëmtimit në ligamentin e përparmë të kryqëzuar. Rikuperimi shkoi më mirë nga parashikimi dhe lojtari u rikthyer në fushë më herët, gati për Botërorin e klubeve.
“E kam pritur shumë këtë moment, këtë emocion me tifozët dhe skuadrën. Kam punuar shumë për të bërë të mundur realitet këtë rikthim”, ka thënë Rodri, që nuk luante nga 22 shtatori i vitit të kaluar, kur u dëmtua ndaj Arsenal. Sapo u ngrit nga bankina për të bërë nxehjen spanjolli u mbush me dashuri dhe duartrokitje.
Më pas, kur Guardiola urdhëroi zëvendësimin, vetë trajneri i City e mori mënjanë dhe e inkurajoi përpara se të dilte në fushën e “Etihad”. Një stadium i tërë e brohoriste Rodri teksa kthehej në fushë, duke përplasur duart me zemër drejt fansave. Pas 241 ditësh ndarje të detyrueshme nga City, ai tashmë e ka në sy Kupën e Botës për klube.