
Në Hagë po gjykohet drejtësia dhe testohet Perëndimi
Shkruan: Adri Nurellari
Nëse një i huaj do të shikonte thjesht statistikat pa njohur kontekstin historik, do të mendonte se shqiptarët kanë qenë agresorët në luftën e Kosovës. Sot, ka më shumë shqiptarë të dënuar sesa serbë, edhe pse bota ka parë me sytë e saj masakra, deportime masive dhe shkatërrime të organizuara nga aparati shtetëror serb. Madje ata pak serbë që janë dënuar po dalin para kohe nga burgu, ndërsa ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë pothuajse 5 vjet që janë të privuar nga liria.
Kemi të bëjmë me një përmbysje historike ku viktima gjykohet me më shumë zell se xhelati. Më e rënda është se ky transformim ka ndodhur nën autoritetin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, me vulën e Bashkimit Europian. Pra në Hagë nuk është në bankën e të akuzuarve vetëm historia jonë, por edhe besueshmëria e Perëndimit. Fatkeqësisht, debati publik sot është përqendruar në pyetjen se “pse” u ngrit Gjykata Speciale dhe a mund të ishte evituar asokohe. Madje disa dashakeqë, të verbuar nga lufta meskine partiake, shpesh thonë në mënyrë cinike: “Vetë e krijuat gjykatën, tani vuani pasojat.” Një qëndrim i tillë malinj jo vetëm që redukton një çështje komplekse në nivel të sulmit personal, por reflekton edhe një mosbesim të thellë ndaj pastërtisë së kauzës së luftës çlirimtare.
Për sqarim lidhur me origjinën e gjykatës, duhet theksuar se klasa politike kosovare pranoi krijimin e një gjykate “të veçantë” për të shmangur një tribunal të OKB-së, i cili mund të vinte në pikëpyetje sovranitetin e shtetit të ri. Ajo u konceptua si një strukturë hibride: formalisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por fizikisht e vendosur në Hagë dhe e përbërë kryesisht nga staf ndërkombëtar. Në vitin 2015 kjo dukej si rruga më e butë për të shmangur përplasjen me aleatët dhe për të mbyllur me dinjitet njëherë e mirë njollosjen që i bëhej luftës sonë çlirimtare.
Vlen të theksohet se ky kompromis u bë në një kontekst ku çdo gur ishte kthyer përmbys nga hetimet ndaj UÇK-së. Ajo ishte tashmë forca guerile më e gjykuar ndonjëherë: nga proceset e Tribunalit të Hagës për Krimet në Ish-Jugosllavi (ICTY 1999–2012), te UNMIK-u menjëherë pas luftës (1999–2008), te rindërtimi i dosjeve nga EULEX-i (2008–2018), si dhe me gjykimet në sallat vendore të Kosovës dhe proceset politike në mungesë në gjykatat serbe (por edhe procese konkrete, siç është burgosja për 13 vjet e veteranit Anton Lekaj). Me fjalë të tjera, mbi luftën çlirimtare shqiptare ishin ndezur të gjitha reflektorët e mundshëm të drejtësisë — dhe Gjykata Speciale, para 10 vjetësh, erdhi si një projekt i ri i drejtësisë mbi një terren tashmë të rraskapitur nga proceset e mëparshme.
Problemi kryesor nuk është më te origjina e krijimit, por te mënyra se si po zhvillohet ky proces. Synimi i deklaruar asokohe ishte që kjo gjykatë e re të vendoste drejtësi sipas standardit më të lartë ndërkombëtar, për të mbyllur një kapitull historik me dinjitet dhe ligjshmëri. Mirëpo, një dekadë pas themelimit, realiteti është krejt tjetër. Sot kemi të bëjmë me një gjykatë jo-transparente, pa mbikëqyrje demokratike, që vepron si ishull në Hagë, si dhe me një proces gjyqësor që po shndërrohet në një precedent të rrezikshëm të devijimit nga standardet që vetë Perëndimi pretendon se përfaqëson.
Gjykata Speciale për Kosovën ilustron qartë dinamikën që përshkruhet nga teoria e burokracisë autonome, siç e kanë zhvilluar politologë si Niskanen, Downs apo neo-institucionalistët. Ata flasin për organizatat publike të cilat, me kalimin e kohës, fitojnë interesa të vetat institucionale, të ndara nga objektivat fillestare për të cilat janë krijuar. Ato veprojnë si korporata burokratike që synojnë të sigurojnë mbijetesën, të zgjerojnë kompetencat, të rrisin buxhetet dhe të ruajnë autonominë nga kontrolli politik. Në këtë kuptim, edhe Gjykata Speciale, e krijuar me një mandat të kufizuar për hetimin e krimeve të supozuara të UÇK-së, shfaq tiparet e një organizate që riprodhon vetveten, duke ndjekur logjikën e konsolidimit institucional më shumë sesa misionin fillestar të drejtësisë tranzicionale. Kjo metamorfozë ka dëmtuar standardin e procesit, duke e larguar gjykatën nga ideali i një drejtësie të paanshme, profesionale dhe të besueshme Vetë gjykata u ndërtua duke thyer dy parime kyçe të drejtësisë, të cilat, megjithatë, u gëlltitën në heshtje në momentin e themelimit. I pari lidhet me parimin ne bis in idem, që ndalon gjykimin e të njëjtës çështje disa herë, ndërkohë që ngjarjet janë trajtuar më parë nga disa gjykata të tjera. I dyti është mandati i paprecedentë monoetnik, duke u fokusuar vetëm te njëra palë e konfliktit. Megjithatë, këto shkelje fillestare nuk mjaftuan, sepse vetë procesi është mbushur me të tjera anashkalime të të drejtave themelore të njeriut.
Së pari, të akuzuarit po vuajnë një dënim pa vendim, në kundërshtim të hapur me parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, duke e kthyer paraburgimin nga përjashtimi në rregull. Ajo që në çdo vend tjetër të Evropës do të konsiderohej shkelje e rëndë procedurale, në Hagë po normalizohet me një gjakftohtësi burokratike. Për ta kuptuar absurdin e zvarritjes, mjafton të kujtohet se më 29 korrik 2014, Clint Williamson (Kryeprokuror i Task-Forcës Hetimore të BE-së për Kosovën, ngritur pas raportit të Dick Marty-t në Këshillin e Evropës) deklaroi publikisht se, pavarësisht se nuk kishte prova për trafik organesh, ekzistonin prova të mjaftueshme për të ngritur “menjëherë” aktakuza për krime lufte ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Mirëpo, arrestimi i liderëve kryesorë ndodhi më 4–5 nëntor 2020, dhe procesi nisi vetëm më 3 prill 2023; pra, kaluan rreth 2 vjet e 5 muaj paraburgim pa nisur fare procesi gjyqësor dhe 9 vjet nga deklarata “menjëherë”.
Kur këto praktika analizohen në dritën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), dokumenti themelues i Këshillit të Evropës dhe referenca bazë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në gjithë kontinentin, tabloja bëhet edhe më tronditëse. Shkeljet janë të dokumentuara, sistematike dhe po ndodhin në disa nivele njëkohësisht. Kështu, Neni 5 i KEDNJ-së, që garanton të drejtën për liri dhe siguri, është cënuar përmes kthimit të paraburgimit në rregull dhe jo në përjashtim. Neni 8, që mbron të drejtën për jetën private dhe familjare, është shkelur nga izolimi i zgjatur i të akuzuarve në Hagë dhe kufizimi i kontakteve me familjarët. Neni 13, që garanton të drejtën për mjete juridike efektive, është shkelur për shkak të mungesës së një mekanizmi real apelimi. Refuzimi sistematik i kërkesave të mbrojtjes për apelim ka eliminuar çdo formë të kontrollit të pavarur gjyqësor. Zyra e Ombudsmanit, që në teori duhet të mbrojë të drejtat procedurale, është bërë njësh me Prokurorinë, duke e dobësuar ndjeshëm pozitën e mbrojtjes dhe barazinë e palëve në proces.
Neni 14 kundër diskriminimit është shkelur si përmes juridiksionit monoetnik të sipërpërmendur, ashtu edhe përmes mungesës së barazisë procedurale të palëve në proces. Prokuroria ka pasur akses shumëvjeçar në hetime, burime të mëdha njerëzore e financiare dhe mbështetje shtetërore (përfshirë nga Serbia), ndërsa mbrojtja është futur me vonesë në proces, me qasje të kufizuar në materiale dhe përballë pengesave gjuhësore e burokratike. Kjo krijon një asimetri të thellë strukturore midis palëve, që nëpërkëmb parimin e trajtimit të barabartë.
Më së shumti është dhunuar Neni 6 i KEDNJ-së, për të drejtën për një proces të rregullt. Paragrafi 1 i tij është cenuar nëpërmjet mungesës së paanshmërisë (dëshmuar nga ndërhyrjet e gjyqtarëve, të cilët kanë bërë pyetje sugjestive për të forcuar akuzën, duke vepruar si “prokurorë të dytë”), zvarritjeve procedurale, përdorimit të tepërt të seancave të mbyllura dhe mungesës së transparencës. Paragrafi 2, që mbron prezumimin e pafajësisë, është shkelur nga izolimi i tejzgjatur, si dhe nga komunikimi nënçmues publik që e përforcon këtë perceptim. Paragrafi 3, që garanton të drejtën për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, është shpërfillur përmes përdorimit të provave të papranueshme dhe joautentike, kryesisht të ardhura nga Serbia dhe të panënshkruara, pa autor e pa zinxhir kujdestarie. Këtu duhet shtuar edhe mungesa e përkthimeve në kohë dhe pengesat gjuhësore, të cilat kufizojnë ndjeshëm të drejtën e të akuzuarve për të ndjekur procesin dhe për të ndërtuar një mbrojtje efektive.
Ironia është therëse: Gjykata Speciale lindi pikërisht nga raporti famëkeq i Dick Marty-t në Këshillin e Evropës, institucion që ka si gur themeli KEDNJ-në. Megjithatë, në praktikë, kjo gjykatë i shkel me të dyja këmbët vetë nenet kryesore të këtij dokumenti rrënjësor, duke cenuar në mënyrë sistematike parimet mbi të cilat është ngritur. Ky paradoks grotesk e bën rastin unik: një gjykatë që është nënprodukt i sistemit evropian të të drejtave të njeriut, por që vepron në kundërshtim të hapur me vetë themelet e tij.
Ky proces gjyqësor tashmë nuk është një kërkim i së vërtetës, por një udhëtim i drejtpërdrejtë në romanin Procesi të Franz Kafkës. Gjykata Speciale është një labirint ligjor i krijuar për të rraskapitur palën mbrojtëse, jo për ta gjykuar me drejtësi. Në fund, Gjykata Speciale, pas një metamorfoze nën bekimin e Perëndimit, është kthyer në një labirint ligjor kafkesk, ku dënimi paraprin gjykimin dhe parimet e KEDNJ-së flijohen në altarin e një burokracie autonome, duke u bërë shembull se si ligji mund të shkelet nën vetë petkun e tij. Nëse drejtësia për luftën e Kosovës kthehet në një proces që shkel të drejtat themelore, atëherë nuk po gjykohet e kaluara, por komprometohet e ardhmja. Si i tillë, ky proces do të hyjë në histori jo për drejtësinë që solli, por për standardet që rrëzoi. Prandaj sot duhet protestuar, pasi në Hagë po testohet jo faji i individëve, por integriteti moral dhe besueshmëria e vetë Bashkimit Europian dhe e një sistemi që pretendon të jetë shembull i drejtësisë universale.