NË ‘KËRKIM’ TË ALI AHMETIT

07 korrik 2019 | 16:09

Shkruan: Bedri Islami

Duke marrë shkas nga një letër drejtuar mikut tim, Ismet Sylejmani, përsiatje për pushtetin, njeriun dhe artin e vështirë të të jetuarit në paqe.

Disa ditë më parë, pikërisht me 21 qershor, ju dërgova letrën e mëposhtme, e cila në fakt, mori fillesë nga nderimi që ju ishte bërë, duke i vënë një rruge emërimin e njërit nga prijëtarët e fisit tuaj.

Rrugët, i dashur mik, janë ata që bashkojnë njerëzit, por edhe mund t’i ndajnë ata. Emëri i një rruge nuk është thjeshtë emërtim, por dëshmi e vlerave.

Në të vërtet, letra ime, erdhi pasi kisha menduar gjatë për pushtetin, njerëzit që e përbëjnë atë dhe artin e vështirë të të jetuarit në paqe.

Në mendje kisha staturën e një lideri të veçantë, i cili , në rrugëtimin e tij politik, gjithnjë u ka dhënë më shumë rëndësi realiteteve konkrete se sa të drejtave abstrakte dhe mundimshëm, ka ngritur një ngrehinë solide të mendimit politik shqiptar, e cila, më shumë se sa nga bashkëkombësit, do të shquhet në vizionin e së ardhmes.

E kisha fjalën për Ali Ahmetin, liderin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përse e shkrova atë dhe përse tani po shtroj idenë e “kërkimit” të Ali Ahmetit?

Po e përsëris fillimisht të gjithë letrën.

I nderuar mik i dashur dhe i veçantë!

Uroj të jeni mirë të gjithë familjarisht dhe të keni mbarësi.

Në Shqipëri, ku isha pak javë më parë, gjendja është konfuze dhe forcat e vjetra të errësirës janë rizgjuar edhe një herë për të djegur e shkatërruar.

Në Kosovë , po ashtu, e keqja është bërë e pranishme dhe, dhe, çka është më keq, është bërë e pranueshme.

Në Maqedoninë Veriore ka më tepër qetësi, më shumë ecje drejt demokratizimit, megjithëse aty duhej të kishte më tepër probleme dhe unë jam i bindur se, miku ynë i përbashkët dhe drejtuesi i më i lartë politik i shqiptarëve, Ali Ahmeti, luan rolin e tij të pazëvendësueshëm.

Maturia dhe shpirti i tij jashtë konfliktit, siguria për të ecur qetësisht dhe duke e ditur se ku duhet të shkojë në të ardhmen, krijimi i një marrëdhënie të re ndërnacionale, afrimi i shumë intelektualëve drejt përbashkimit, shtrirja e rrjetit të mendimit të lirë drejt njerëzve, koncepti i drejtë për shtetin dhe për Republikën, e kanë bërë praninë e tij të domosdoshme dhe, përmes pranisë së tij, kanë sjellë për ditë e më shumë staturën e një lideri madhor, jo tipik ballkanik, por evropian i klasit të parë dhe, në fund të fundit, modelin e një shqiptari të politikës që nuk hedh gurë ndaj të tjerëve, por ngre urat e bashkimit. Jam i bindur se edhe më tej Ali Ahmeti, duke pasur konceptin e drejtë të ndërtimit të shtetit shumë dimensional dhe tejet funksional, do të jetë njeriu i paqes, ashtu si ishte njeriu i luftës. Do të jetë njeriu që i besoi Fehmi Lladrovci në kohën e luftës dhe do i kishte besuar edhe në këto ditë. Mbetet njeriu që ndërlidhi forcën dhe emrin e Adem Jasharit me një çështje të madhe dhe që sot, përsëri, do të kishte mbështetjen e tij.

Në mendimin tim nuk mbështetem asnjëherë në miqësinë tonë të përbashkët, në relatat e krijuara nga vitet, pasi për mua, më shumë se çdo miqësi, qëndron kombi dhe e vërteta, qëndron amaneti i atyre që u flijuan, por, Njeriu i vërtetë, si kam shkruar në njërin nga librat e mi, vazhdon të qëndrojë i vërtetë. Unë e kam ndjekur aktivitetin e tij edhe në ditë të vështira për Lëvizjen, për luftën, për zhvillimin; e kam ndjekur kur pak vetë besonin se do të kishte një të ardhme të tillë dhe kur shtigjet dukeshin të mbyllura përjetësisht. Pra, njohja jonë më ka shërbyer për të shikuar më gjerë, për të ditur më shumë, për të gjykuar më qetësisht, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë, për t’u përqendruar më gjerë dhe, sot që po të shkruaj, më vjen keq që në politikën shqiptare të trojeve tona nuk kemi nga një Ali Ahmet në çdo pjesë. Mungesa e një burri shteti në përmasat e tij është mungesë e vlerave dhe këtë e ndjej përditë e më shumë.

Ju uroj gjithë të mirat, mik i dashur dhe mbarësi! Lajmi për vendosjen e një rruge nën emrin e nderuar të të parëve tuaj dëshmon se nuk keni qenë rastësisht në aradhen e atyre që iu përkushtuan vendit dhe që luftuan për një Kosovë të mosvarur, të lirë, dhe me aspiratën e bashkimit të ardhshëm kombëtar“.

Kjo ishte letra. Një ditë më parë ju më keni shkruar se: Këtë letër që ma keni dërguar para disa dite, në pamundësi që tua ktheja ashtu si ma donë loçka e zemrës, unë sot, pa lejen tuaj, por shpresoj se do të ma kishit lejuar, ia kam lexuar Ali Ahmetit, në praninë e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, të kryetarit te Drenasit, Ramiz Lladrovcit, vëllait të heroit të kombit Fehmi Lladrovci, të zëvendëskryeministrit e të ministrit për politik të Maqedonisë së Veriut, Sadulla Duraku, të deputetëve Xhevat Ademi e Artan Grubi, e të personaliteteve të shquara Tahir Hani, Xhevat Zekaj, Bejtullah Ademi, Shaban Ipcja e Hulusi Spahiu! Ky ishte letërkëmbimi ynë, diçka e zakonshme mes dy miqve.
Më duhet të shtjelloj më tej idenë e “kërkimit” të Ali Ahmetit. Unë e di se ku banon ai dhe mes cilëve banon. Ndoshta i vetmi lider shqiptar që bëri banesën e tij në fshatin e lindjes, në shkallët e së cilës eci për herë të parë nënëlokja e tij. Por unë jam përtej saj. Ali Ahmeti është nga ata liderë dhe prej atyre rasteve që vërteton se historia e një kombi mund të kthejë rrugën e saj nga vendosmëria e një njeriu të vetëm.

Zakonisht , vepra e njerëzve të shquar është e qëndrueshme në atë masë sa ata mbajnë parasysh erërat e mëdha të historisë, sa ndikojnë në rriten dhe ecurinë e njerëzve, çfarë përparësie sjellin me veprimet e tyre, cili është vizioni i tyre dhe rrugët e përcaktuara. Kam ëndërruar gjithnjë që viset shqiptare, pavarësisht se të ndara në shumë pjesë, të kishin një trupë drejtuese, aspak të korruptuar, të ngjeshur me kulturë elitare dhe ku pushteti të mos kishte asnjë ndikim mbi ta. Një elitë politike që nuk do të influencohej as nga joshjet, as nga frikësimet, pjesët e së cilës të ushtronin me kryelartësi privilegjin për të bërë ligje të drejta, të sendërtonin shtetin, të kritikonin dhe të rebeloheshin ndaj një qeverie të padrejtë, dhe më pas, pasi kishin thënë çfarë mendonin dhe kishin ndërtuar ligje të drejta, të ktheheshin në shtëpi në këmbë,pa frikë, të ruajtur prej mërive nga mbështetja e popullit.

Një elitë e tillë nuk bëhet vetvetiu. Ajo kërkon një lider, vetitë e të cilit të jenë serioziteti dhe besnikëria, të jetë i veçantë dhe i qëndrueshëm, të ngrejë ura dhe jo hendeqe ndarëse, një lider, nga i cili , askush të mos ndahet prej tij pa e ndjerë veten më trim dhe më të aftë për të shërbyer ndaj vendit të tij.

Një lider i tillë është Ali Ahmeti. I pabujë në qëllimet e tij, i qetë në egërsinë e politikës, i hapur kur të tjerët mbyllen, i palirë në robërinë e të tjerëve, i lirë në lirinë e tij; përbuzës për të keqen dhe ndikues i së mirës, i ndodhur shpesh herë në mesin e tallazeve të sulmeve nuk i përdori kurrë ato; i gjendur në fundin e greminës dhe i ngjitur në majën e saj; i parënë në hone dhe ngritës urash, njeri i lexuar dhe ngarendës i mendjes para shfrimit të linçimit.
Ndoshta mund të jetë nga njerëzit e sulmuar ashpërsisht, por që nuk e përdori pushtetin për të marrë hakën e tij, por për të marrë hakun e popullit që i takonte dhe këtë, jo përmes sherrit, por mendjes dhe arsyes.

Të gjitha këto që i ka arritur sot , i ka planifikuar në vite të tëra. Që nga fillimi i vitit 1990 e ka ditur se ku do të ishte fundi i tyre; që kur janë ngritur këshillat e parat ë lëvizjes çlirimtare e ka menduar se çfarë do të ndodhë pas çlirimit. Ai e kërkoi gjithë jetën luftën, dhe, kur e gjeti atë, zgjodhi paqen.

Tani, i dashur mik, shiko përballë.

Në Kosovë, ku njëra nga ëndrrat e mia ishte drejtimi i saj nga njerëzit e luftës, më sjell trishtimin. Katër nga pesë partitë kryesore politike në Kosovë kanë fillesën nga njerëzit e luftës. E megjithatë, pikërisht ata janë ndarëset e mëdha dhe jo bashkueset e mëdha, çka duhej të ndodhte. Miq të dikurshëm, që vinin kokën në supin e shoshoqit tani janë të gatshëm të nxjerrin sytë. Miq të vjetër të provuar në çaste të vështira po kërkojnë krijimin e momenteve të tjera. Mjerisht ndarëse. Nga rrjedha e tyre humbet vlera e luftës. Nga pasuria e tyre zvenitet gjaku i derdhur. Nga egoja e pushtetit kthehen në mercenarë. Nga ndarja kthehen në humbës. Nga dëshira për lavdi lënë bosh hapësirat ku vërshon mendimi politik i dëmshëm. Nga debatet e tyre, shpesh herë të shëmtuara përplasen njerëzit e shumë duan arratinë. Çlirimtarët janë të palirë. Shërbëtorët e djeshëm të regjimit shfaqen si patriotë. Dhunuesit e lirisë marrin pamjen e atdhedashësve.

Në shtetin amë, ku kam lindur, egërsia i ka lënë vendin mendimit, liderët janë kthyer në manjatë, oligarkët kanë pushtuar politikën, britmat ndjellin luftën civile dhe kthimin në vitin 1997; britmat e zakonshme janë :bandit, kriminel, vrasës, ta tërheqim zvarrë, ta hedhim në Lanë, ta përmbytim, ditët e numëruara… liderët kanë hapur blloqet e dikurshme dhe po zezojnë Shqipërinë duke marrë nëpër këmbë dinjitetin e saj.

Për fat të keq, as në Kosovë e as në Shqipëri , nuk kemi një figurë rreth të cilit të shkohet me besim, padrojtje dhe me bindjen se është rruga e duhur.
Pra, i dashur, mungon ajo që mund ta quajë tani, një figurë e ngjashme me atë të Ali Ahmetit.
Ndaj edhe e “kërkoj” figurën e tij.
Jo si mik. As si dashamir. AJO ËSHTË BRENDA DY NJERËZVE, TË CILËT E KANË PROVUAR MIQËSINË E TYRE. E KËRKOJ PËR SHUMË MË TEPËR. Si shembullin e një njeriu që bashkon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar…