Në kërkim të Trojës si dashuri e munguar

23 gusht 2021 | 14:45

Agron Gërguri

Troja si çelës i leximit

Çelësi i leximit të veprës “Një Moirë dhe një tregim dhe tri sonte” është tregimi “Ai dhe Ajo”. Kërkimi i nukleusit të dashurisë në truallin e humbur të Trojës apo Troja si pikëtakim a rebusi i dashurisë. Duke ecur nëpër dyshimet e fatit të TROJËS zbret në Bjeshkët e Nemuna si një shenjë a vulë Trojane… deri tek gjithësia ciklike e cila ta kujton frymen e Beketit për ciklin e jetëvdekjes, duke na tërhequr kah misteri i dashurisë, tek Troja e papushtuar si gruaja, si zanë e pa arritshme, si Moira e cila na merr rrugëve të ndjenjave për të na dërguar te mesazhi i fuqishëm i dashurisë që i ka munguar Trojës si gjithë neve.

Troja shndërrohet në simbolikë si mbretëri e pretenduar e poezisë, me Moiren si ciceron autori eksploron të gjejë dashurinë për ta bërë Kapedane përmes dejve të ndjeshëm të Moirës, shprehjes dashurore mbushur me ndjenja të cilat s’ka nevojë të shpjegohen, e as të kuptohen por thjeshtë të përjetohen qoftë si Helenë apo Penelopë Moirë – Kapedane apo e kundërta për të nxjerrë konstatimin se Troja do duhej pushtuar me dashuri.

Libri “Një Moirë dhe një tregim dhe tre sonete” “e ngre poezinë në vlerën e saj esenciale si një bashkëbisedim që nuk të lë indiferent por të përmbushë ndjenjash të cilat i prodhon dhe riprodhon tek lexuesi për të arritur kështu pikëtakimin me të si një libër i hapur i cili nuk përfundon përveç nëse këtë e dëshiron lexuesi.

Mjeshtrimi i vargut që prodhon fotografi ku dëshirojmë të jemi

Poezia e Eminit brenda strukturës së saj ka veprim, ritëm dhe dinamikë, që zhvillohet përmes një fabule e cila kap dimensionet teatrore, si lojë, si shprehje dramatke dhe si ironi deri tek kuptimi apo kuptimet e asgjës, asgjës së përmbushur me përvojën se gjithçka e dëshiruar në dashuri nuk jeton gjatë.

Mjeshtrimi i vargut krijon fotografi, pjesë e së cilave bëhemi si lexues duke ngre kështu edhe kullën estetike të stilit, shprehjes që përmbushë shqisat me kënaqësi nga përkthelja e dashurisë e cila na duket se ndodhë në momentin e tashëm, e të gjallë teatror, për të mbërri tek e thëna se poezia është gjuha amtare e racës njerëzore dhe se vetëm dashuria e krijon të bukurën, kjo bëhet e argumentueshme edhe kur antisimbolin e bënë shërbëtor të estetikës së dashurisë.

Andaj Emini nuk është fshehur pas poezisë së tij si akt frymëzimi, sepse ai është vetë i integruar thellë në secilin varg me plotëni dhe pasion, duk e skalitur Moirën si shprehje e trurit romantik për të ndërtuar mbretërinë e poezisë e cila thuaja se në origjinë buron nga një çmenduri hyjnore dhe ngjizet diku në zhurmën e vetmisë midis tokës dhe qiellit, ujit dhe diellit dhe bëhet veprim i shpirtit, si një fotografi që flet apo frymë që deperton thellë aty ku vetëm çmendia dashurore mbërrinë për të përditësuar bukurinë e fjetur, e të ndrydhur. Përmes Moires e Kapedanes si alternime por edhe si personazhe të cilat bashkë me poetin krijojnë trekëndëshin ku domeos fiton dashuria. Një lëvizje emocionale që na thërret drejtë kepit të ndjenjave, ku kemi dëshirë të jemi banorë, për të jetësuar kuptimet e jetës që dashuria i formëson pasiqë më parë është tundur në kaos dhe prej atje nxjerrë vetminë e gjithëbotshme dhe gjithëpërfshirëse si diçka të bukur, si një nektar muzikor i jetës komponuar me dëshirat e fisme të poetit deri në pikën e harmonisë si vlerë artistike dhe filozofike.

Poezia si ilaç mbrojtës

Duke e lexuar poezinë e Emin Eminit e vërteton thënien se poezia është ilaq mbrojtës i njeriut nga e arsyeshmja robëruese, është emocion çlirues që vë në veprim zemrën si senzor i artit në kërkim të s’bukurës e cila gjithherë ka një shkak-motiv me të cilën autori flutoron në qiellin e emocioneve të purpurta në secilin dimension të dashurisë.

“… kaq dashuri duhet për të marr vesh se vetë kuptimi i pakuptimtë është”.

Thuaja se në gjithë veprën dominon e sotmja, e atypëratyshmja e Teatrit dhe iluzioni i prekshëm i së bukurës të cilën autori do ta zbres deri tek shikimi ta prekë dhe ta njelmësoj me ndjenja në kërkim permanent të frymës qoftë ajo edhe asgjëja domethënëse e Beketit apo e zeza solemne, sa për t’ia prishë rehatinë simbolit, ku e nesërmja shndërrohet në godoiane, derisa vetëm e sotmja i jep frymë Godosë në këtë rast pritjes për të ndodh e dëshiruara “Edhe herë tjetër eja” për ti dhënë jetës vulën e shenjtërisë me emrin dashuri.

“…edhe kur ikshëm kqyr në sy sepse e ka të pamundur ta thotë me fjalë bukurinë”

Duke e relativizuar edhe tradhtinë si një digë e cila krijon dramën e hakmarrjes thërret “vetëm dashuria le të ndodhë qoft edhe tek tjetri”

Se unë tashmë jam

Jam qiejve duke vrapuar

Yjet duke i mbledhur

Që ende kanë mbetur ndezur

Ndezur nga drita e syve tu.

Vargje që vërtetojnë se përmes poezisë nuk i flet njeriu njeriut, por njerëzimi, njerëzimit. Andaj ju preferoj ta takoni në lexim Moirën a Kapedanen të cilat banojnë në Edenin e poezisë së Emin Eminit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania  ia ka dhuruar sot Policia e Kosovës një donacion…