Në Kiev i pashë ukrainasit në vijën e parë të luftës së vërtetë kulturore

10 nëntor 2022 | 08:50

Nga: Charlotte Higgins
Përktheu: Agron Shala 

Së fundmi në Kiev, në Operën Kombëtare të Ukrainës pashë shfaqjen e operës së kompozitorit ukrainas, Mikola Lisenko. Vepra simpatike dhe komike – që ishte edhe arratisje nga zymtësia e sulmeve me raketa ruse – quhet Natalka Poltavka, bazuar në një shfaqje të Ivan Kotliarevskit, i cili në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX ishte pionier i letërsisë në gjuhën ukrainase. Në skenë janë operat e Verdit, Puccinit dhe të Mozartit, dhe baletet si Zhizel dhe Silfid – pavarësisht sirenave pothuajse të përditshme për sulme ajrore. Por, nuk ka Evgenij Onjegin, as një Mbretëreshë të maçit dhe as një pëshpëritje të temave kryesore të Çajkovskit në balet, si Bukuroshja e fjetur apo Liqeni i mjellmave. Letërsia dhe muzika ruse, kultura ruse e të gjitha llojeve, është jashtë menysë së Ukrainën së kohës së luftës. Ndaj, është gati tronditëse të kthehesh në Mbretërinë e Bashkuar dhe të dëgjosh muzikë ruse të transmetuar – në mënyrë indiferente – në Radio 3.

Jashtë Ukrainës, kjo mungesë – disa do të thoshin fshirje – mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar. Kur një orkestër simfonike në Kardif këtë pranverë hoqi nga programi Uverturën 1812, kishte huti që shkonin deri në protestë: eliminimi i Çajkovskit ia lejon Vladimir Putinit dhe të afërmve të tij kënaqësinë e “zotërimit” të kulturës ruse – ishte censurë, ishte si t’ia jepje kontrollin Rusisë. Çajkovski jo vetëm se ka kohë që ka vdekur, por ka qenë kozmopolit dhe internacionalist – ishin disa nga argumentet. U desh një shpjegim i kujdesshëm për të treguar se një vepër muzikore që lavdëron sukseset ushtarake ruse, dhe që ndërlidhet me topat aktualë, mund tejkalojë shijen e vobektë kur Rusia këtë moment bombardon qytetet e Ukrainës – sidomos kur familjet e anëtarëve të orkestrës drejtpërsëdrejti preken.

Në fakt, momentet e tilla kanë qenë të rralla në Evropën Perëndimore. Çehovi dhe Lermontovi vazhdojnë të lexohen, ndërsa Musorgski interpretohet. Kultura ruse nuk është “anuluar”, siç thotë Putini, ndërsa muzikantët e valltarët rusë me karrierë ndërkombëtare vazhdojnë të performojnë në Perëndim – me pretendimin se dhanë minimumin e përçmimit publik të vrasjeve dhe të shkatërrimeve që vazhdojnë në Ukrainë. Vetëm më naivët do ta dënonin largimin e Valeri Gergievit prej programeve koncertale ndërkombëtare. Dirigjenti që shihet si i afërt i Putinit, mbështeti aneksimin rus të Krimesë të vitit 2014 (akt ky që nuk njihet nga shumica e vendeve të OKB-së), nuk ka pranuar të dënojë pushtimin aktual të shkallës së gjerë të Ukrainës, ndërsa ka histori të përdorimit të profilit artistik në shërbim të shtetit rus – siç ishte dirigjimi i koncerteve në Osetinë Jugore, të financuara nga Rusia në vitin 2008 në vazhdën e luftës ruso-gjeorgjiane.

Megjithatë, brenda Ukrainës gjërat duken shumë ndryshe. Për shumë njerëz, lufta aktuale me Rusinë shihet si “luftë dekolonizimi” – siç ka thënë poetja ukrainase Ljuba Jakimçuk – moment në të cilin Ukraina ka mundësinë të çlirohet, më në fund, nga të qenit objekt i imperializmit rus. Ky dekolonizim përfshin “refuzimin total të materialeve dhe të kulturës ruse”, siç kohën e fundit tha – në Forumin e Librit në Lviv – shkrimtari Oleksandër Mikhed. Këto nuk janë fjalë të lehta për t’u dëgjuar – jo nëse si unë ke kaluar adoleshencën e vonë duke u zhytur në historitë e Ana Kareninës, të Çehovit, të Tolstoit; jo nëse kohët e fundit ke rindezur dashurinë për tregimet e shkurta ruse, nëpërmjet librit të shkëlqyeshëm të George Saundersit – Noti në pellgun me shi; jo nëse e adhuroni Stravinskin dhe sigurisht se do ta merrnit një disk të Ritit të pranverës në ishullin tënd të vetmisë.

Megjithatë, konteksti për këtë refuzim duhet kuptuar: ukrainasit po dalin nga historia në të cilën perandoria ruse, dhe më pas Bashkimi Sovjetik, artin ukrainas e shtypte vazhdimisht dhe shpeshherë me dhunë. Kjo ka funksionuar në një sërë mënyrash të ndryshme. Në qendrën ruse ka përfshirë përvetësimin e shumë artistëve dhe shkrimtarëve ukrainas (si Nikolai Gogol, ose Mikola Hohol në gjuhën ukrainase) dhe klasifikimin e gabuar të qindra artistëve si rusë – kur ata mund të përshkruhen më mirë si ukrainas (si p.sh. piktori Kazimir Maleviq që lindi në Kiev, por që ishte rus sipas Galerisë “Tate”). Kjo do të thotë se shkrimi në gjuhën ukrainase me raste ka qenë i ndaluar – poetit kombëtar të Ukrainës, Taras Shevçenko, Car Nikolla I ia ndalon krejtësisht të shkruajë, për një dekadë. Kjo heshtje ka përfshirë shfarosjen e artistëve ukrainas, si vrasjet – nën Stalinin – të qindra shkrimtarëve në vitin 1937, të njohura si “Rilindja e ekzekutuar”. Pas gjithë kësaj qëndrojnë ngjarjet e tmerrshme – si Holodomori, vdekja nga uria e rreth 4.5 milionë ukrainasve në vitet 1932-33, në përpjekjet e tyre të detyruara, me urdhrat e Stalinit, për të prodhuar grurë.

Kjo histori e vendos Ukrainën në një pozicion krejt ndryshe në lidhje me kulturën ruse, sesa – të themi – Britania që gjeti veten në lidhje me artin gjerman dhe austriak gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur gjatë blickrigut Myra Hess interpretonte Mozartin, Bachun dhe Beethovenin në koncertet e saj në Galerinë Kombëtare. “Kemi pasur pushtim kulturor, pushtim gjuhësor, pushtim arti dhe pushtim me armë. Nuk ka shumë dallim mes tyre”, më thotë kompozitori Igor Zavgorodni. Në periudhën sovjetike, kultura ukrainase lejohej të ishte si e padëmshme popullore – dhe ukrainasit e paraqitur si zgjedhë e dehur e veshur me pantallona kozake, shpeshherë ishin objekt të shakave nënçmuese. Por, nga Ukraina nuk pritej, apo nuk lejohej, të kishte kulturë të lartë të sajën. Në të njëjtën kohë, arritjet artistike ruse u vlerësuan si kulmi i madhështisë njerëzore. “Jemi rritur në njëfarë devotshmërie ndaj letërsisë ruse”, shpjegon dramaturgia Natalia Vorozhbit, që është edukuar në periudhën sovjetike. “Nuk kishte devotshmëri të tillë ndaj asnjë letërsie tjetër”.

Në fakt, vetë Putini ka dyfishuar tërë këtë përmes këmbënguljes së tij të vazhdueshme, përmes eseve dhe shpeshherë fjalimeve të rrëmujshme se Ukraina nuk ka ekzistencë të ndarë nga Rusia – se nuk ka identitet, asnjë kulturë, përveçse si ndihmëse e fqinjit të vet. Në të vërtetë, pretendimi për pandashmërinë kulturore të Rusisë nga Ukraina, është një prej arsyetimeve kryesore të tij për pushtimin. Në të njëjtën kohë, është tepër flagrant instrumentalizimi rus i historisë së saj artistike. Në Hersonin e pushtuar, tabelat që shpallin atë si “qytet me histori ruse”, shfaqin imazhin e Pushkinit që vizitoi qytetin në vitin 1820. Artistët ukrainas janë gjithashtu kundër projeksionit të Rusisë si komb i madh i shkëlqimit artistik, që në mënyrë më të përgjithshme vepron si mjet i fuqisë së butë, si një lloj i gumëzhimit pozitiv ambiental që, do thoshin ata, zbut brutalitetin e vërtetë të pushtimit të sotshëm. Në Ukrainë ekziston klithma e përgjithësuar ndaj “mutsihanës” në lidhje me mitin e “shpirtit rus”.

Disa ukrainas me të cilët unë flas, shpresojnë se një ditë, përtej fundit të luftës, do të ketë mënyra për të konsumuar letërsinë dhe muzikën ruse – por, së pari duhet bërë puna e dekolonizimit, përfshirë këtu rileximin dhe rivlerësimin e autorëve klasikë, duke zbuluar se si ata reflektuan dhe se si herë pas here projektuan vlerat e perandorisë ruse. Ndërkohë, “Fëmija im do të jetë krejt në rregull nëse rritet pa Pushkinin apo Dostojevskin”, thotë Vorozhbit. “Nuk më vjen keq për këtë”.

Për shumë ukrainas që takoj, koha për letërsinë ruse përsëri do të vijë – kur ajo mund të kuptohet në mënyrë kritike, thjesht si një degë tjetër e kulturës botërore, gjithashtu si forcë shtypëse dhe e dërrmimit. Në Teatrin Kombëtar të Operës pyes koreografin Viktor Litvinov se kur mendon se Çajkovski – një kompozitor që ai e do – do të kthehet në program. “Kur rusi pushon së qeni agresor”, thotë ai. “Kur Rusia pushon së qeni perandori e keqe”. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të ardhurat nga tarifa në Rrugën e Kombit kanë rezultuar…