Në Kosovë ka gazeta serbe, në Kosovë s’ka gazeta shqipe!

06 shtator 2021 | 18:27

Shkruan: Berat Dakaj

Në dhjetë vjetët e fundit në Kosovë janë hapur dhjetëra media elektronike, kurse që nga marsi i vitit 2020 në Kosovë nuk ka më asnjë gazetë fizike. Republikës së Kosovës pandemia i ka hapur shumë tema serioze, i ka bërë shumë dëme dhe i ka dhënë shumë mësime për investime në shëndetin publik dhe në të tjera fusha.

Temë serioze sot, për të cilën qeveria nuk shpreh interesim dhe as keqardhje, është edhe shuarja e shtypit fizik. Katër gazetat që botoheshin deri në muajin mars të vitit 2020, “Epoka e re”, “Koha ditore”, “Zëri” dhe “Bota sot”, pas një vendimi të qeverisë për pezullim të veprimtarisë botuese të tyre për tre muaj, ndaluan tërësisht shtypin. S’po i vjen era letër më këtij vendi.

Tjetërqysh është puna në shtetet përreth Kosovës. Në Shqipëri ka disa gazeta fizike. Ka edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Shtypi serb vjen edhe në Kosovë, në kioskat e Graçanicës dhe shpërndahet edhe në disa komuna që udhëhiqen nga kryetarët serbë. Ndërsa Republika e Kosovës, e cila përpiqet të përkujdesjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe disa organizatave të huaja, nuk shpreh kujdes dhe as nuk jep mbështetje për botimin e këtyre katër gazetave që edhe në kushte të rënda financiare, me vetëfinancim, s’e ndaluan shtypin derisa ua ndaloi shtypin qeveria dhe derisa u shkaktoi dëme, pa u dhënë mbështetje tjetër tash e shtatëmbëdhjetë muaj.

Së këndejmi, drejtorët e këtyre katër gazetave që më s’janë, meqë shoqatat e gazetarëve s’bëjnë temë tryeze mungesën e shtypit fizik e as nuk i shqetëson kjo temë, s’bëhen bashkë që t’i shkojnë në zyrë kryeministrit Kurti e t’i kërkojnë mbështetje për botimin e tyre, as nuk u shkruajnë një letër deputetëve të Kuvendit, se pa ua kujtuar ata s’e çelin gojën në Kuvend për mungesën e shtypit shqiptar të Kosovës, për të cilat gazeta kanë dhënë intervista, deklarata, opinione e çfarë jo tjetër e që nuk u shkon mendja se domosdoshmërisht duhet të ekzistojë shtypi fizik i Kosovës, i cili pa subvencionimin e shtetit është e pamundur ta shohë dritën e botimit për shkak të shpenzimeve të mëdha që bëhen për shtypin e tyre. Kushdo që ka botuar një gazetë e di sa shpenzime i bëhen për një numër.

Historia e shtypit e Kosovës s’e ka kohën të përfundojë tash, në këtë mënyrë dhe në këtë moshë. Po deshët jua kujtoj disa raste të botuesve shqiptarë, nga Noli, Mërxhani e të tjerë, të para gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e tetëdhjetëvjetësh, edhe më të rinj e më të vjetër, që shitnin gjithçka kishin, që herë pas herë merrnin edhe përkrahje nga miq, familjarë dhe shoqata, vetëm që ta shtypnin edhe një numër të ri të gazetës a të revistës.

Ata bashkëkohanikë të tyre, që dinin rëndësinë e shtypit fizik, në këtë kohë më s’mund t’i gjesh. Por, e kemi qeverinë që bën sa të gjithë ata, sepse edhe e ka obligim të përkujdeset për trashëgiminë kulturore dhe materiale të Kosovës, sepse edhe e ka mundësinë të ndajë një milion euro në vit për shpenzimin e shtypit të këtyre katër gazetave: “Epoka e re”, “Koha ditore”, “Zëri” dhe “Bota sot”.
Si mund të ruhet historia e sotme e Kosovës pa shtypin fizik?

Si do të mund të kujtohet qeverisja e Albin Kurtit kur s’do të ketë ku të kujtohet?
Si mund të ruhet dhe kush do të kujtojë pandeminë e sotme pa shtypin fizik?
Viktimat nga Covidi?
Dhunën në familje.
Gazmendet, gëzimet, hidhërimet, dëshpërimet, dështimet, sukseset e popullit të Kosovës.

Mediat elektronike s’ruajnë gjë. Sot janë, nesër s’janë. Shumë janë hapur e shumë janë mbyllur. Edhe ato që ende janë, s’ruajnë në serverët e tyre shkrime të vjetra, sepse nuk kanë kapacitet për ruajtjeje të kujtesës kolektive. Kanë kujtesë afatshkurtër, prandaj rrezikojnë të ardhmen e trashëgimisë sonë, të tashmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, të institucioneve qendrore dhe lokale dhe të popullit. Prandaj, le të hapë këtë temë, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, një deputet i Kuvendit të Kosovës e mos ta hapë një tjetër deputet i Listës Serbe. Shqetësohuni, shqiptarë, për mungesën e shtypit shqip të Kosovës, më shumë se që interesohen të tjerët!

Nëse asnjëri prej tyre s’flet, le ta shprehë vetë kryeministri këtë shqetësim, se ma merr mendja e di që Kosovës i duhen gazetat fizike, se kanë rëndësi të madhe. Po ashtu, e di që dhjetëra djem dhe burra kastravecë dhe vajza me dukje të bukur, me e pa diploma të gazetarisë e të fakulteteve, që dy fjali shqip s’dinë t’i shkruajnë korrekt, kanë hapur media dhe mburren se teksti i tyre për vipa, me titull “këto bythë gjigante do t’ju çmendin”, ose “s’do ta bëni gjumin rehat nëse i shikoni këto bythë”, mburren që po bëjnë gazetari dhe po ruajnë këtë trashëgimi!
Kryeministër, pak vëmendje, zotni, për shtypin fizik! Ke përgjegjësi, tekefundit!

Ju bëj me dije se mbyllja e katër gazetave ndodhi në kohën kur u bëre kryeministër. Prandaj, ringjalle shtypin fizik si disa rilindës dikur disa gazeta dhe revista që përmendën gjithë jetën!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së ka takuar udhëheqësit e Iniciativës së bashkuar…