Në krijimtarinë time ka më shumë tema të dhimbjes

21 korrik 17:24

Intervistë me poetin dhe profesorin e letërsisë shqipe, Sali Bashota

 

Bisedoi: Berat Armagedoni

 

Çfarë mund të thoni për librat tuaj me prozë poetike?

 

Në librin e tretë, Plagomë (1994), të cilën ua kam kushtuar tri vajzave të mia, Albulenës, Besianës dhe Doruntinës, në mesin e shumë poezive, pothuajse të gjitha me rimë, janë edhe nëntë proza poetike: Liri me gjarpër në gji, Forma artistike e lirisë, Java e shqipshkrimdhembjekrijimit, Kafshimi, Publiku me duar të lidhura, Kukuvajkat, Gjiri, Zogjtë e therur dhe Ndoshta është blasfemi. Pastaj, në secilën vepër timen me poezi është i pranishëm nga një cikël me proza poetike, derisa e botova veprën e parë me proza poetike Ëndrra në parajsë (2006), pastaj veprat e tjera me radhë, siç janë: Sytë e vetmisë (2010), Rruzullimi i zjarrit (2011), Zemërimi i heshtjes (2014), Shkallët e natës (2020).

Përmes prozës poetike synoj të shënjoj një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës.

A mund të ketë proza poetike mesazh, kuptim dhe dome­thënie tjetër?

Ky është një lloj shqetësimi krijues që më ka nxitur ta kuptoj përbrenda vetes një teori të komunikimit, por edhe një teori të receptimit për të, duke provuar “një zgjatje të kujtesës”, siç do të thoshte Borhesi, edhe për ligjërimin, ritmin dhe figurat. Nga cilët faktorë do të përcaktohej gjuha metaforike (poezia) që të bëhej gjuhë e rrëfimit (proza). Në fakt, parimet krijuese besoj se shkojnë në të njëjtin drejtim, me një ndryshim të vogël që proza poetike mund ta funksionalizojë fabulën. Me prozën poetike jam përpjekur të rrëfej ngjarje dhe të përshkruaj situata.

 

Ndjenja juaj kur veprat tuaja filluan të përktheheshin në gjuhë të huaja?

Ndjenjë e bukur dhe ndryshim në krijimtarinë tënde letrare përbën përkthimi saqë të duket se po hyn në një botë tjetër që të bashkëbisedosh në shumë gjuhë për ta përmbushur pasionin krijues për afirmimin e punës tënde.

Poezia ime është përkthyer në mbi njëzet gjuhë dhe përfshirë në antologji të ndryshme, ndërkaq vepra të mia të veçanta në gjuhë të ndryshme të botës janë: Exilul Sufletului (2004), Schalte das magische Licht ein (2004), Only Death is White (2005), Ako stanam angel (2006), Ploaia fara Tine (2008), Beauté maudite (2010), Прокълнатакрасота (2012), När himlen tystnar (2012), Allume la lumière magique (2012), Il gioco delle foglio ( 2015), Ηάλληόψητου (2016), Albán éjzaska (2017), La ŝtono de laamo (2017), Whispering agony (2020).

Mendoj se paraqitja dhe promovimi i suksesshëm i letërsisë shqipe jashtë vendit varet nga shumë faktorë. Kjo ndërlidhet me bashkëpunimin e autorëve, përkthyesve, botuesve dhe institucioneve.

 

Veprat tuaja me poezi, sidomos tri të fundit, po heqim nga ky kontekst përzgjedhjet me poezi që kanë bërë disa përgatitës, kanë peshë më të madhe erotike sesa, ta zëmë, ato të botuara në kohën para luftës. Pse kaq shumë zë vend dashuria në poezinë tuaj, që herë del përemër, herë emër, herë tjetër mbiemër, herë ndajfolje e çfarë jo tjetër, si: ajo, vasha, e bukura, e mira, e ëmbla, e dashura, këmbëshpejta… Pra, kudo është ajo, një vajzë apo një grua, një bukuri e nëmur dhe një vdekje e bardhë.

 

Dashuria është përmbajtja kryesore e jetës së njeriut. Është kuptimi, domethënia dhe kënaqësia e njeriut në këtë botë dhe sigurisht nuk mund të përdoren të njëjtat metafora për dashurinë. Tërë jetën time jam përpjekur ta gjej dhe ta kuptoj burimin e dashurisë, pse mahniten kaq shumë poetët kur shkruajnë për dashurinë. Kur shkruajnë për familjen, gruan, fëmijët etj. Në poezinë time: bashkëshortja, Drita, fëmijët: Albulena, Besiana, Doruntina, Etleva, Rozafa dhe Rea, pastaj mbesat dhe nipat, janë paraqitur përmes vargjeve të shenjëzimit të veçantë shpirtëror, pikërisht aty ku frymojnë bashkë jeta dhe poezia.

Cila drithërimë është më e bukur për ta përshkruar çastin e shpërthimit të ndjenjave sikur të ishte një fushë magnetike, e cila duhet të plotësohet vazhdimisht me ndjenja të zjarrta. Kjo është bota e ndjesive për të cilën do të shkruante dhe do të fliste secili poet. Pas leximit të shumë librave të ndryshëm të shkrimtarëve botërorë kam kuptuar se pikërisht kënaqësia e vërtetë e njeriut fillin e ka te dashuria, te pasionet që krijohen me fuqinë dhe praninë e saj. Pra, për dashurinë si ide, shije, koncept, për­mbajtje, ligjërim, ndjenjë, përfytyrim, shenjë, mishërim, pasion, magji, ndoshta nganjëherë vetëm vuajtje dhe dhimbje. Shprehjet e zjarrta lirike për dashurinë dhe lumturinë mishë­rohen në jetën shpirtërore. Çdo zotërim i shfaq shenjat e një perceptimi magjik, i cili gjithnjë e fuqizon pasionin aty ku ngjizet mreku­llia e përjetimit dhe aventura e imagjinatës. Imazhi i vajzës apo i gruas së bukur mund të jetë projeksion i çdo krijuesi jo vetëm në letërsi, por në të gjitha artet e bukura. Prandaj, modeli poetik i dashurisë, i ndërlidhur me figurën femërore, shfaqet midis lumturisë dhe bukurisë, madje përtej gjurmimit të vlerave shpirtërore. Ekuacioni i metaforave për dashurinë si shenjë dalluese midis ndjenjës, përjetimit dhe imagjinatës, ndërlidhet me emocionet që shkaktojnë kënaqësi, aty ku nuk ka tepri të ndjenjave dhe më shumë gjëra të pashprehura apo të pathëna.

Në poezinë time dashuria është prodhim i gjendjes shpir­tërore që e ushqen imagjinatën krijuese me ndjenjën e jetës, gëzimit, lumturisë, besimit, virtytit, shpresës, mirësisë etj.

Në disa prej veprave të mia me poezi, Dalje nga trishtimi, Bukuri e nëmur, Në fillim ishte Drita, Asnjë zë tjetër, Lutja e parë e shpirtit si dhe në veprat me prozë poetike Ëndrra në parajsë, Sytë e vetmisë, Zemërimi i heshtjes dhe Shkallët e natës, një hapësirë të madhe zë tema e dashurisë.

Lumturia e shtresuar përbrenda meje kishte diçka më të bukur se ëndrrat e dashurisë të cilat sikur i mbaja mend dhe i paraqisja në vargje, duke kuptuar ndjeshmërinë që ishte edhe përtej kësaj përmase. Prandaj, dëshira për ta funksionalizuar ligjërimin poetik, ku dashuria paraqitet si vizion i bukur i jetës, pa dyshim është thelbi i bukurisë që fundja ka të bëjë me magjinë poetike të cilën do ta lakmonin të gjithë poetët.

Asnjëherë s’e kam kuptuar deri në fund ndjesinë e dashurisë. Pse njeriu gjithmonë dashuron, duke krijuar një frymë autentike, kuptohet për ta ndërtuar efektin poetik dhe efektin estetik.

Në prozën poetike përgjithësisht, por edhe në veprat me poezi që i kam botuar në dhjetëvjetëshin e fundit, ka një prani të madhe dimensioni i përshkrimit të syve. Pasioni për ta shënjuar poe­tikisht përflakjen e shikimit, në kuptimin për të saktësuar diçka që është e bukur dhe për të krahasuar diçka që është tërheqëse, madje magjike. Gjithmonë synoj t’i konceptoj imazhet e qarta, për ta kuptuar procesin e vazhdueshëm për një përputhje midis kuptimit, domethënies dhe kënaqësisë estetike.

Në poezinë dhe prozën time poetike përdorimi i madh i epiteteve dhe krahasimeve ndërlidhet kryesisht me perceptimin dhe ndjeshmërinë për ta funksionalizuar imazhin simbolik me besueshmërinë imagjinare, të ndërlidhur me përshkrimin e syve, për ngjyrat e tyre, mbase edhe për efektin e shikimit. Kësisoj, shikimin në sy e kam kuptuar si diçka të jashtëza­konshme. Babai im më thoshte se kur njeriu s’të shikon drejt në sy, sikur fsheh diçka në vetvete, pikërisht në karakterin e tij, në mosgu­ximin e tij, në mosbesimin e tij. Mbase kjo është një pikturë e bukur që shndërrohet me një perceptim shpirtëror, që e ndërton parabotën e vet drejt shtegtimit të pasioneve të zjarrta për kuptimin dhe domethënien e dashurisë. Në fakt, rrëmbimi dhe fuqia e shikimit është si shtjellimi i një imazhi i cili rikthe­het në figurë poetike për ta zbërthyer fshehtësinë e frymëzimit poetik, aty ku portretizohet prania apo edhe mosprania e bukurisë femërore.

Libri poetik Në fillim ishte Drita, i cili përbëhet nga nëntëdhjetë e nëntë poezi, e përcakton ndjeshmërinë sublime për efektin estetik të dashurisë. Element i përhershëm dhe kryesor është dashuria njerëzore, ndjesia për të dhe fuqizimi i fjalës dashuri përbrenda reflektimit të saj, edhe si pyetje edhe si përgjigje në sistemin e shenjave shpirtërore. Kësaj radhe po ua lë rendin simboleve, aty ku ritmi, figura, metafora qëndrojnë midis faktit jetësor, faktit letrar dhe faktit estetik. Ekzistenca e dashurisë lidhet me Dritën, që shkon përtej bukurisë artistike për ta mbërritur efektin e ndjeshmërisë poetike si strukturë mendimi dhe si strukturë përjetimi, madje për dashurinë me një kod të ri komunikimi përbrenda kornizës filozofike.

Mendoj se Në fillim ishte Drita është një libër mahnitës që e lavdëron dashurinë njerëzore.

Keni disa poezi me motive për dorëshkrimet e djegura, por keni edhe disa poezi me motive për dorëshkrimet e ringjallura. Po ashtu, keni edhe një libër me poezi me titullin ‘Dorëshkrimi i ngjallur’. ‘Dorëshkrimi i ringjallur’, megjithatë, nuk është ai i djeguri. Është tjetër, sigurisht?

 

Kohën e fundit shkruaj për diçka që nuk ekziston më as si formë as si përmbajtje në horizontin e pritjes së një autori. Cila do të ishte renditja e imazheve që e shënjojnë dhe fun­ksionalizojnë botën reale nën ndikimin e boshllëkut dhe mungesës, thuajse po flas tani për historinë dhe legjendën, aty ku rizgjohet në kujtesë objekti i perceptimit (shtëpia e djegur bashkë me bibliotekën).

Shkruaj për situatat e dhimbjes shpirtërore apo për paqën­drueshmërinë e ndjenjës. Pa dyshim, ndjenjat bëhen të paqën­drueshme kur i kaplojnë tmerri dhe fatkeqësia. Prandaj, jo rrallë, mërzia bëhet frymëzim kryesor i disa prej poezive të mia, kur shpjegohet mënyra e shenjëzimit të fatkeqësisë.

Shkruaj për shkrumbin dhe për hirin. Aty kodi i dhimbjes e përmbush boshllëkun dhe humbjen.

Libri poetik Dorëshkrimi i ngjallur, ashtu siç thua, nuk është dorëshkrimi i djegur. Është zgjimi nga realja, ndjesia e ikjes të gjërave të dashura, që nuk kthehen më në jetë, por vetëm si imazhe rrokullisen në kujtesën time dhe më duket se po komunikoj me to.

Çdo mëngjes pothuajse e masë dhimbjen time me rrëfimet paralajmëruese për gjërat e dashura e të paharruara, që më nuk i shoh dhe as nuk i prek, por vetëm e ndiej mungesën e tyre në shpirt dhe dua të bëj diçka për to, së paku të shkruaj që të mbesin më shumë si kujtime të dokumentuara. Në fakt, gjërat që nuk ekzistojnë bëhen imagjinatë e padurueshme në kujtesën time dhe shpërthejnë pikërisht me përmallimin e pikëlluar, për ta krijuar ndjenjën e thellë të nostalgjisë për kohën e përjetuar.

Shtëpia e djegur, biblioteka e djegur, dorëshkrimet e djegura, fotografitë e djegura, s’janë vetëm dhimbje, pikëllim, humbje. Është një tronditje shpirtërore për secilin krijues që humb diçka të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshme në jetën e tij shpirtërore.

Dorëshkrimi i ngjallur është libër i pavdekësisë së shpirtit, sikundër që është kapërcim i ankthit krijues që e ka poetikën e vet si dëshmi për një kohë. Pa dyshim, i ka ato shenja të biografisë sime shpirtërore që tashmë nuk më takojnë vetëm mua, por edhe të tjerëve. Më vjen mirë që nga juria profe­sionale e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nderuar me çmimin vjetor për letërsi si vepra më e mirë letrare në poezi e botuar në vitin 2011. Është nderuar edhe me çmimin kryesor të Mitingut të Poezisë në Gjakovë.

 

Sali Bashota është një prej poetëve më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe, vlerësojnë kritikë të rinj dhe të vjetër, sidomos studiues të poezisë. Poezinë tuaj e kanë vlerësuar me çmime për veprën më të mirë në poezi edhe juritë e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, të cilat edhe i falënderuat, por edhe disa shoqata kulturore në Kosovë dhe gjetiu. Çfarë dallon poezia juaj nga e bashkëkohanikëve meqë juritë e dallojnë? Na thoni, pa modesti, pse është më e veçantë?

 

Më duket se në krijimtarinë time ka më shumë tema të dhimbjes, të trishtimit, të vetmisë, por edhe ironi, paradoks dhe alegori. Mendoj se veprat e mia në poezi iu përkasin tri fazave. Faza e parë: Albumi i grisur, Zogu me profil vjeshte dhe Plagomë; faza e dytë: Dalje nga trishtimi, Bukuri e nëmur dhe Dorëshkrimi i ngjallur; faza e tretë: Në fillim ishte Drita, Asnjë zë tjetër, Lutja e parë e shpirtit dhe Pëshpëritja e agonisë.

 

Përse këto tri faza?

 

Ndoshta përbrenda këtyre tri fazave qëndron përkufizimi i vetmisë dhe i dramës shpirtërore të krijuesit përballë një realiteti që formësohet e shformësohet me praninë ose mos­praninë e subjektit lirik.

Jam përpjekur të jem i veçantë në poezi. Këtë gjë e vlerë­sojnë të tjerët. I veçantë me lirizmin, ndjeshmërinë, me dhimbjen, me pikëllimin, me ëndrrat, pastaj me gjuhën, ligjërimin, me stilin, me figurat. A kam shkuar përtej këtyre? Prapë e vlerë­sojnë të tjerët.

Jam përpjekur ta fuqizoj dashurinë për ekzistencën jetësore duke i dhënë përparësi lumturisë për të ngadhënjyer mbi zemërimin, duke e kërkuar burimin e frymëzimeve të mia pikërisht te jeta e njeriut. Mund të jetë ky një rrëfim i çudit­shëm dhe i pabesueshëm, por është i sinqertë.

Jam përpjekur të jem i veçantë me ide për ta paraqitur vetminë time krijuese në komunikim shpirtëror me lexuesin, për t’i kuptuar sa më qartë çastet e krijimit dhe dëshirën e fshehtë të frymëzimit, kështu që në mendjen time gjithmonë kam synuar zgjedhjen estetike, për ta ndërtuar, qoftë një peizazh, një gjendje shpirtërore apo një shqetësim të çastit.

Të jesh poet i veçantë me ndjenjat, idetë dhe mendimet e tua. I veçantë me jetën dhe shkrimin. Pra, veçantia e përcakton botën emocionale të krijuesit, karakterin dhe individualitetin e tij.

Si duket një poet i veçantë kur shkruan në tavolinën e punës pranë kompjuterit, duke ecur rrugëve të Prishtinës, pastaj përpara studentëve duke shpjeguar për letërsinë shqipe, duke bashkëbiseduar me miqtë e vet. Kjo është ajo pjesa që e quajmë, realja.

Miqësia ime me Ibrahim Berishën, Milazim Krasniqin dhe me të ndjerin, Basri Çapriqi, ishte mjaft e rëndësishme për ta kuptuar më qartë botën e letërsisë dhe zbulimin e sfidave krijuese. Përbrenda kësaj miqësie e bashkëndanim suksesin tonë, por edhe të brezit letrar. Kjo është një kaptinë e mreku­llueshme për një kohë të gjatë, gati për dyzet vjet, pra një miqësi e mirë, pothuajse, më shumë se gjysma e jetës.

Prandaj edhe brezi im letrar është i veçantë në letërsinë e sotme shqipe edhe me konceptin për letërsinë, për vlerën dhe rëndësinë e saj, për problemet e vlerësimit kritik, për metodat e studimit, për antologjitë letrare, për historinë e letërsisë shqipe etj.

 

Sot nuk lexoni gjithçka dhe shumë sepse keni punë më shumë sesa që kishit pa u bërë profesor, pa u bërë bashkëshort, pa u bërë prindër, pa u bërë gjysh. Çfarë lexon Sali Bashota? Çfarë përzgjedh për lexim?

 

Përzgjedhja për lexim është një tregim më vete dhe, nganjë­herë, mund të ketë kundërefekt. Nëse i ke në raftin e biblio­tekës veprat e shkrimtarëve më të njohur, mos e përqendro vëmendjen te më i miri, siç thonë të tjerët. Lexoji të gjithë. Këtu fillon ëndrra e lexuesit dhe vdes paragjykimi.

A mund të kemi ide, motive, tema të caktuara për letërsinë. Disa thonë po. Të tjerët thonë jo. Edhe kur i përzgjedhim veprat për t’i lexuar, pa dyshim, e krijojmë bindjen personale për autorin dhe veprën dhe, nëse nuk pajtohemi, sikur kemi të bëjmë me një lloj “shpërbërjeje të kujtesës” së leximit. Harold Bloom ka thënë: Të lexuarit siç duhet arrihet vetëm nëse kryhet si një disiplinë e brendshme; s’ka recetë a metodë përveç vetvetes që derdh, formon, gdhend e lëmon kallëpin e një lexuesi të mirë.

Mua më pëlqejnë veprat që dallohen për stilin e tyre dhe, natyrisht, kur sintetizojnë prirje letrare, filozofike, psikologjike, ndonjëherë edhe historike. Natyrisht, dëshiroj ta zbuloj të fshehtën e cila më bëhet synim pasionues për të mbërritur në fundin e leximit. Me fjalë të tjera, jo rrallë më ka ndodhur ta filloj leximin e një vepre dhe ta përmbyll komunikimin me të, në njëzet apo tridhjetë faqet e fillimit të saj. Mendoj se përqendrimi apo vëmendja e lexuesit i nënshtrohet instinktit apo dëshirës për përjetim estetik. Situatat e pëlqyeshme apo të papëlqyeshme krijohen nga akti i leximit dhe i përjetimit. Këto janë edhe probleme të imponimit apo probleme të metodës së vlerësimit.

Vitet e fundit lexoj vepra që i zgjedh me pasion të veçantë. Të them të drejtën, çdo ditë lexoj poezi të veçanta të autorëve që më pëlqejnë, të poetëve shqiptarë, por edhe të poetëve botërorë. Më duket se leximi i një poezie apo i një vëllimi me poezi ka një ndikim vendimtar për mua, në radhë të parë, për ta ruajtur vazhdimësinë e leximit edhe të veprave të tjera, kryesisht prozë dhe kritikë letrare.

Leximi i veprave të mira është një gëzim dhe kënaqësi e veçantë, sidomos kur lexoj çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit. Kurrë nuk kam lexuar vepra natën. As vetë nuk e di pse më ka ndodhur kjo mospërshtatje me kohën dhe me orarin e leximit. Për më tepër, leximi është një lloj reference për ta ndërtuar një vizion për diçka që e adhuron herën e parë kur gjendesh në pozitën e lexuesit dhe herën e dytë kur je vetë në pozitën e shkrimtarit. Cila do të ishte vlera përcaktuese kur bën gjëra të domosdoshme apo kur bën gjëra të dëshiruara. Mendoj se leximi duhet të jetë detyrim shpirtëror për njeriun. Dhe kjo kërkesë varet se çfarë lexon për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë e tua.

 

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Vijon në numrat e ardhshëm të gazetës. © “Armagedoni”).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja në ecurinë e rastit të Hashim Thaçit dhe të…