Në Mitrovicë do të ndërtohet Qendra Tregtare e cila do të punësojë mbi 1 mijë punëtorë

15 shtator 2020 | 15:44

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në takim përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Art Mall Sh.P.K”, Besart Baruti, me të cilin ka nënshkruar kontratë për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës për shfrytëzim afatgjatë.

Përmes kësaj kontrate, operatori ekonomik “Art Mall Sh.P.K” obligohet që hapësirën në fjalë ta shfrytëzoj për ndërtimin e Qendrës Tregtare ART MALL, sipas kushteve urbane të parapara dhe të lejuara në bazë të Planit Rregullues Urban komunal.

Kjo Qendër Tregtare në bazë të kontratës investimin total do ta arrij në vlerën mbi 12 milionë euro, ndërsa me funksionalizimin e kësaj qendre do të punësohen rreth 1025 punëtorë, ku prej tyre 25 në administratë.

Kryetari Bahtiri tha se me realizimin e këtij projekti madhor Mitrovica do të bëhet qyteti më atraktiv, ku tanimë jo vetëm qytetarët tanë por edhe të rajonit do të kenë mundësi që të furnizohen me brendet më të njohura evropiane.

“Padyshim që ky projekt dhe projektet tjera që janë duke u realizuar buzë Ibrit do t’a shndërrojnë Mitrovicën në një nga destinacionet më atraktive të vendit, ndërsa që hapësira përgjatë Ibrit do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan”, shtoi kryetari Bahtiri.

Gjithashtu kryetari Bahtiri potencoi se lehtësirat të cilat i ka krijuar komuna për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, po mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, duke përmbushur premtimin e tij të dhënë në zvogëlimin e papunësisë dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të qytetit.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot…