
Në prag të protestës, ministri në detyrë i Drejtësisë ia përmend sërish Thaçit paratë për mbrojtje – harron ndryshimin e udhëzimit
Nesër (e premte) pritet të mbahet një protestë masive në Tiranë kundër Gjykatës Speciale.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur të merret me Edi Ramën e të tjerët, pak kohë para protestës.
E kur po afrohet ora për protestën, ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ia ka përmendu sërish Hashim Thaçit paratë për mbrojtje.
Kjo për dhjetëra herë pasi ia kanë përmendur deri më tash.
“Ministria e Drejtësisë, gjatë pesë viteve të fundit, ka shpenzuar rreth 35 milionë euro për pagesën e avokatëve dhe shpenzimeve të tjera, me qëllim që të akuzuarit të lirohen nga aktakuzat inekzistente. Vetëm për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, brenda një periudhe pesëvjeçare, shteti ka paguar rreth 6 milionë euro mbrojtje ligjore. Ne, si qeveri, jemi duke mbuluar aspektin financiar, ndërsa të akuzuarit po vuajnë mungesën e lirisë si pasojë e mbështetjes, themelimit dhe gjykimit të padrejtë nga një gjykatë që gjykon etnikisht dhe padrejtësisht”, ka shkruar Sallahu.
Pikërisht me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, këto mjete financiare u bënë publike.
Sa herë që diskutohet për Hagën, pushteti i përmend këto shpenzime.
Në anën tjetër, Blerim Sallahu, nuk e ka përmendur ndryshimin e udhëzimit administativ, duke pamundësuar mjete shtesë në raste urgjente.
Hilja speciale
Dihet se në udhëzimin që ishte në fuqi, avokatët paguhen nga shteti i Kosovës me një pjesë të fondeve, varësisht sa është rasti kompleks. Nëse merret shembull rasti i krerëve të UÇK-së, atëherë është niveli 4 i kompleksitetit dhe pagesat në fazën e gjykimit janë 110 mijë euro në muaj.
Në ndryshimin që është bërë së fundmi, te shuma e pagesës është shtuar fjala ‘deri në’. Pra, nuk është 110 mijë euro sa ka qenë, por ‘deri në 110 mijë euro’.
Me udhëzimin që ishte dikur në fuqi, pra pa ndryshime, ekziston një nen që ua mundëson ekipeve mbrojtëse të kërkojnë kompensime më të larta në raste specifike.
“Në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim. 3. Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”, thuhet në nenin 11 të Udhëzimit që është aktualisht në fuqi.
Megjithatë, me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë, ky nen është fshirë. Pra, ekipeve nuk iu lejohet që të kërkojnë shuma më të larta se ato që janë të parashikuara deri në 110 mijë euro në fazën e gjykimit.
Duke marrë parasysh edhe rastet e shumta që ndërlidhen me pengimin e procedurës së Gjykatë Speciale, MD-ja ka bërë një tjetër ndryshim. Ka shtuar disa detaje, duke specifikuar pagesat për personat që akuzohen për tentim-ndërhyrje në procese.
Me udhëzimin e ri, ekipet mbrojtëse të personave që akuzohen për ndërhyrje, paguhen deri në 5 mijë euro në muaj.
Vetëm pak ditë më parë, avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, bashkë me tërë ekipin e tij u larguan pasi nuk u vazhduan kontratat si pasojë e problemeve financiare.
Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Assocciates dhe anëtarë të kësaj kompanie, kanë marrë një vendim të tillë për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre. /Nacionale