Në sa shtete ka Kosova ambasada e konsullata?

22 shkurt 2019 | 16:02

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më parë, Republika e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Jashtme, është njohur nga 116 shtete, edhe pse ky numër është kontestuar disa herë, për shkak të raportimeve për “çnjohje” nga disa shtete, si pasojë e lobimit të Serbisë.

Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka hapur misione diplomatike dhe konsullore në 29 shtete.

Në 26 nga këto shtete, Republika e Kosovës përfaqësohet me ambasada – në disa prej tyre edhe konsullata, në dy shtete me zyra të veçanta (Serbi dhe Egjipt) dhe në një shtet vetëm me mision konsullor (Danimarkë).

Në aspektin e shtrirjes gjeostrategjike, Kosova është e përqendruar me prani diplomatike në Evropë, ku ka përfaqësim diplomatik në 20 shtete (duke llogaritur edhe Turqinë). Tutje vjen Azia, ku Kosova është e pranishme në tri shtete, pa përfshirë Egjiptin, shtet i cili pos Azisë, me pjesën më të madhe të territorit, shtrihet në Afrikë. Shteti tjetër i vetëm afrikan në të cilin Kosova ka ambasadë është Senegali, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Prani të theksuar Kosova ka edhe në Amerikën Veriore, me një ambasadë dhe disa misione konsullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadën në Kanada.

Panamaja, e cila bën lidhjen mes Amerikës Veriore dhe Jugore, është shteti i vetëm amerikano-jugor, në të cilin aktualisht Kosova ka ambasadë. Po ashtu, Kosova ka ambasadën e saj edhe në shtet-kontinentin e Australisë.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë thënë thonë se janë në proces të hapjes së misioneve diplomatike edhe në shtatë shtete: Tajlandë, Bangladesh, Malajzi, Katar, Gana, Peru dhe Kolumbi, shtete këto nga tri kontinente të ndryshme: Azi, Afrikë dhe Amerikë Jugore.

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, nuk e saktëson numrin e misioneve diplomatike – ambasadave, konsullatave dhe zyrave ndërlidhëse apo specifike.

Por, ka thënë se Kosova ka prani diplomatike në shtete të rëndësishme në të gjitha kontinentet dhe se është në proces të zgjerimit të shtrirjes diplomatike.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/ne-sa-shtete-ka-kosova-ambasada-e-konsullata/29785291.html.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria e Shtetit, në kuadër të ushtrimit të detyrave dhe…