Në Shkup hajnat nuk vjedhin libra

29 tetor 2019 | 11:09

SHKELZEN HALIMI

Halil Zendeli, shkrimtar dhe botues, është pronari i të vetmes librari në Shkup. Në librarinë e tij “Vatra” mund të gjenden botime të shumta cilësore. Atij i ka ndodhur që disa herë të harrojë hapur librarinë tërë natën. Edhe pse e ka harruar hapur, kurrë i nuk ka ndodhur t’i futet dikush brenda për t’i “vjedhur” një libër. Pra, libraria nuk është interesante për hajnat, ndaj mund të mos mbyllet fare. Në fakt, kjo librari jo që nuk është interesante për hajnat kur atë harron ta mbyllë Zendeli, por shumë pak vizitohet edhe nga ata që vlerësohet se duhet të lexojnë së paku një libër në jetën e tyre. Nëse i kemi parasysh këto fakte, atëherë shtrohet pyetja: po si funksionon ajo kategori shqiptare që quhet “intelektuale”, si mëson pa lexuar ata mijëra e mijëra nxënës, pastaj studentë, arsimtarë, profesorë të shkollave të mesme, profesorë universitarë, ish-funksionarë, përfaqësues të shoqërisë civile, shumë të rinj që punojnë në administratën shtetërore, gazetarët, pensionistët, patriotët e shumë e shumë të tjerë.
Dija thonë se është e thellë, se nuk ka fund, kurse dija vjen vetëm përmes leximit. Nëse ekziston ndonjë rrugë tjetër, atëherë kategoria “intelektuale” shqiptare duhet ta tregojë “sekretin” e marrjes dhe dhënies së dijes pa lexuar fare. Për ata që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë, thonë se janë analfabetë. Kurse për atë kategori “intelektuale”, e cila është në gjendje të shëtisë në të gjitha nivelet e arsimit pa u lodhur fare, duhet thënë se është një “fenomen” në vete.
Kriza e leximit vjen për shkak të shuarjes graduale të nevojës shpirtërore për të qenë sa më i plotësuar shpirtërisht. Në vend të kësaj, në pah del varfëria shpirtërore, e cila, fatkeqësisht, na ka sjellë këtu ku jemi. Pos mikut tim, në librarinë e të cilit rrallë kalon ndonjë admirues i librit, nuk shqetësohet askush. Të gjitha ata që fshihen brenda “intelektualizmit” të tyre janë o të pafytyrë, o me shumë fytyra, janë ata që nuk shqetësohen për fundosjen thellë e më thellë në hipokrizinë akute që indin shqiptar e kanë sjell buzë humnerës. Kurse librit shqip në Shkup, me qëllim që të mos bie në gjendje kome, si shpëtim i mbetet vetëm leximi i vetvetes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…