NË VELESHTË, TE PROFESOR AGIM VINCA

01 shtator 2025 | 16:03

Begzad Baliu

Po shkojmë në Strugë
-Babi, po shkojmë?, – tha Eni në të dalë të Prishtinës.
– Do të shkojmë në Strugë, te Axhi Agim, – ja ktheva, duke ngritur zërin, plot gaz e hare, për të plotësuar jo vetëm kënaqësinë time të zakonshme në udhëtime të tilla po duke zgjuar edhe ndjenjën e tij të kënaqësisë, në vend të sesisë dyshuese.
Dje Profesor Agimi më pyeti nëse duam të kalojmë natën në hotel Drini në Strugë apo në hotel Diplomat në Veleshtë, por pa u menduar u përcaktova për të dytin. Në Strugë kemi qenë disa herë në tri dekadat e fundit, ndërsa në Veleshtë vetëm një herë kalimthi.
Është 25 korriku i këtij viti. Bën vapë dhe në mesditë arrin rreth 40 gradë, por nuk jemi nisur herët, rreth orës pesë, sikur kemi menduar, përkundrazi po bëhet ora 8.00 dhe ne sa kemi dalë nga Prishtina.
Me Myrvetin dhe Enin jemi nisur në Strugë që të marrim pjesë në përurimin e veprës së Profesor Agim Vincës Populli i pandalur, botimi i parë i së cilës është bërë në Prishtinë, në vitin e largët 1992, kur një vepër si kjo bënte historinë kombëtare, ndërsa më parë se sa vepra, atë kohë historinë e patën bërë shkrimet e saj disa vjet me radhë. Para pesë ditësh kur më ftoi në përurim, Profesor Agimi në kafenenë Amaro, ma kujtoi rrugën e gjatë nga Prishtina në Strugë dhe vapën e këtyre ditëve, me vërejtjen se mbase është i papërshtatshëm një udhëtim i këtillë për shkak të shëndetit të brishtë të Myrvetit.
E megjithatë, gjatë kohës që po bisedonim ai shprehte shqetësimin e tij që disa prej miqve të tij në Tiranë nuk mund të shkonin në atë përurim, gjë që më bënte mua të mos hezitoja. Ishim shtatë gjithsej nga të ftuarit e tij të Tiranës, Prishtinës, Tetovës dhe Shkupit, duke përfshirë këtu edhe botuesin dhe recensentin, të cilët do të vendoseshin në Hotel Diplomat. Në Prishtinë, Profesor Agimi ka shumë miq, po besoj që ftesa për ne ishte ndarë edhe për faktin se unë viteve të fundit kisha insistuar në ribotimin e këtij vëllimi, kisha biseduar me disa botues dhe madje për ta ngutur botimin e saj e kisha nxitur vajzën time arkitekte, Bardhën, që ta zbardhte tekstin nga libri në word, mbi të cilin pastaj Profesori bëri disa ndërhyrje te lëshimet e botimit të parë.
Udhëtimi përmes kujtimeve
Jemi nisur në Strugë e ende nuk e di rrugën nga do të kalojmë. Po ta pyes Enin do të më thotë nga ana e Shkupit, që të ndalet te Skënderbeu dhe të hamë qebapë për mëngjes, e po ta pyes Myrvetin do të shkojmë në të djathtë, maleve dhe do të hamë byrekë për mëngjes në Tetovë.
Rrugës nga Shkupi në Tetovë, Myrveti ma kujton që ende nuk shkuam një ditë në Kumanovë, e do të donte; në të lënë majtas rrugën që të çon në Manastir, Myrveti ma kujton gjithashtu që ende nuk shkuam në këtë qytet dhe ia pohoj pa e përfunduar mendimin; në të hyrë të qytetit të Kërçovës, Myrveti ma kujton edhe një obligim të dyfishtë: e para, të shkojmë në fushën e Çegranit, ku ajo pati folur në një manifestim të madh të Pajtimit të Gjaqeve në vitin 1990 dhe e dyta, pse pikërisht në atë vend kemi bërë një natë gjatë luftës së Kosovës në Kampin e Çegranit.
– Kam edhe unë një propozim, – i them me ironi. – Të shkojmë në qytetin e Strumicës (në Juglindje të Maqedonisë), sepse atje kam kryer shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi, ndërsa histori të veçanta më lidhin edhe me Tetovën (ku në vitin 1994 pata mbledhur shënimet për ushtarët e vrarë në Maqedoni) e Strugën, ku në vitin 1992, bashkë me dy anëtarë të Shoqatës për të Rënët e Kombit Shqiptar, patëm qëndruar në shtëpinë e Tahir Hanit deri në mesnatë, para se ai të na e mundësonte kalimin në Qafëthanë për në Tiranë.
– Hahaha, – ma kthen Myrveti – duket sikur nuk e njohim Maqedoninë, por nuk na mungojnë kujtimet dhe kemi ku të shkojmë ku të na zërë nata.
E vërtetë!
Kemi shumë miq të vjetër e të rinj, kemi pasur shumë studentë, kryesisht pas Luftës së Kosovës (nga Lugina e Preshevës dhe Kumanova), kemi njohur shumë profesorë e studentë gjatë mësimdhënies në Universitetin e Tetovës dhe sidomos gjatë një bashkëpunimi të gjerë me kolegët e Universitetit të Europës Juglindore.
Gjatë udhëtimit në autostradën Shkup -Tetovë për të vazhduar në Fushën e Pollogut, Myrveti më flet për aktivitetet e saj në fshatrat e Malësisë së Tetovës (Bozovc, Gajre, Shipkovicë, Reçicë e Vogël, Xhepçishtë etj.) dhe të Gostivarit (Reçan, Çegran etj.), për veprimtaret e devotshme të asaj ane Nafijen dhe Valdeten, kur bashkë me Lulin, Lulen dhe Brahimin nga Kosova shkuan për të ndihmuar formimin e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve (1990-1991), si dhe për jetën sociale, kulturore e arsimore të këtyre banorëve. Më flet për mënyrën e komunikimit, për kulturën e jetesës, për vajzat që shkonin me kule në shkollë dhe insistimin tonë që ato të visheshin me fustan e pantallona, për kujtesën aq tragjike të të moshuarve, për një jetë të tërë në emigracion të brezit të mesëm, për ëndrrat e të rinjve dhe sidomos për fatet individuale e familjare të të burgosurve politikë, të lidhur ngushtë me Lëvizjen Ilegale në Kosovë.
Ndërkohë që ajo flet për përpjekjet e një grupi të rinjsh jo vetëm për të tejkaluar fatet tragjike të familjeve të hasmëruara dhe madje për të ndihmuar transformimin e jetës sociale e kulturore në ato mese, unë shoh si në pasqyrë disa dhjetëra fshatra të vendosura mbi Tetovë, si të ishin jo katunde po çerdhe shqiponjash dhe kujtoj imazhin e parë nga televizioni tek i bombardonte Ushtria Maqedonase gjatë luftës me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, ndërkohë që pikërisht fshati Shipkovicë, njëra nga ato fshatra që i kishte pritur veprimtarët e pajtimit të gjaqeve, po i priste e mbante në gjirin e saj edhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke u bërë kështjellë e pamposhtur deri në fund të luftës.
Megjithëse Ushtria Maqedonase i sulmonte natën e ditën, besoj e dinte që nuk do të mund t’i zhdukte ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sepse ata kishin lindur nga populli dhe populli do t’i rilindte çdo ditë nga gjaku i tij, por mbase shpresonin të mos ‘zbrisnin nga mali’ asnjëherë, si edhe “paraardhësit e tyre”, në konceptet ekstrashkencore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë për origjinën dhe prejardhjen e popullit shqiptar në hapësirën etnike të tyre në Maqedoni.
Borxhi i vjetër ndaj Profesor Agim Vincës
E kemi kaluar Tetovën dhe udhëtojmë në drejtim të Gostivarit. Autostradë, po që nuk e lejon shpejtësinë mbi 80 km në orë. Një mundësi edhe për të biseduar.
– Megjithëse vapë dhe kohë jo e përshtatshme për udhëtim, bëmë mirë që u nisëm në përurimin e veprës së Profesor Agim Vincës, – i them Myrvetit. – Madje ti ke arsye më shumë. E ke pasur profesor, e ke pasur mentor të diplomës për temën “Poezia e Jusuf Gërvallës”, në kohën kur për një temë të tillë ishte vështirë të gjeje mentor në Fakultetin e Filologjisë, e ke pasur anëtar të komisionit të magjistraturës në Institutin Albanologjik, kryetar të komisionit të doktoratës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa unë profesor tëndin e poet timin dhe studiues, kritik e intelektual të veçantë të kohëve të vështira.
Shumë nga kolegët e mi, studentë të letërsisë i kanë lexuar kryesisht veprat e tij për provim “Strukturën…”, “Orët e poezisë” dhe ndonjë nga antologjitë, ndërsa unë të gjitha, pa përjashtim.
I kam lexuar vëllimet me poezi “Feniksi”, “Në vend të biografisë”, “Buzëdrinas”, “Arna dhe ëndrra”, kryeveprat e lirikës shqipe “Kohë e keqe për lirikën”, “Psalmet e rrënjës” dhe “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, vëllimet “Sonet i vetmuar”, “Kënga e hapur”, “Letër Zotit”, “Muza e Mëmëdheut”, “Antologji e lirikës shqipe të dashurisë”, për të cilën kemi shkruar një recension të gjerë, si dhe poezitë dhe shkrimet e tjera të botuara në të përditshmen “Rilindja” dhe te revistat “Fjala” e “Jeta e re”, të cilat i kam ndjekur me kujdes që nga viti 1978. Dhe, e kam lexuar e vendosur në grupin e shkrimtarëve të Shqipërisë, jo të Kosovës ku jetonte dhe jo të Maqedonisë, prej nga vinte.
I kam lexuar të gjitha vëllimet me kritika e studime: “Aspekte të kritikës sonë”, “Qasje”, kryeveprën e studimeve historiko-letrare të poezisë shqipe “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”, kryeveprat e kritikës dhe eseve të tij “Orët e poezisë”, “Alternativa letrare shqiptare”, “Panteoni i ideve letrare”, etj.
I kam lexuar në mënyrë të veçantë vëllimet me tekste publicistike dhe polemika: Populli i pandalur, “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit”, “Arti i reagimit”, “(Po)etika e fjalës”, dhe “Koha e eulogjisë” për të cilën kam shkruar edhe një vlerësim etj.
Por, më parë dhe më me përkushtim se të gjitha poezitë, kritikat, recensionet, vlerësimet, intervistat, diskutimet, studimet etj., i kam lexuar reagimet, diskutimet dhe në mënyrë të veçantë polemikat e përmbledhura në vëllimin Populli i pandalur (1992), të cilën disa kolegë ishin të prirë ta ngatërronin me veprën Populli i ndaluar të Profesor Qosjes dhe e quanin ‘Populli i pandaluar’(!).
Ndërmjet veprës së Profesor Qosjes dhe asaj të Profesor Vincës qe botuar vepra e Ibrahim Rugovës “Pavarësia dhe demokracia”, me shkrime të viteve 1989-1991, kryesisht intervista, në të cilën ai ende fliste për “shkallën më të ulët, autonominë dhe shkallën më të lartë republikën”, në kohën që 99% e popullit fliste për bashkimin kombëtar si rezultat i ndryshimeve historike, që po zhvilloheshin në politikën planetare.
Myrveti hesht, sikur është përgatitur për një ligjëratë të gjatë, ndërsa mua këtë ma mundëson autostrada e gjatë dhe e drejtë. Nuk e di madje në flas me Myrvetin apo bëj monolog.
Borxhi jo vetën ndaj Profesorit por edhe ndaj librit Populli i pandalur
Bëmë mirë që po shkojmë në këtë përurim. Profesor Agimi ka qenë referencë e veçantë e profesorëve të Universitetit të Prishtinës; referencë e shkallës së lartë të dijes në fushë të ligjërimit që bënte dhe referencë e krijimtarisë letrare, të cilën e recitonte apo e citonte kudo e kurdo me një kujtesë brilante, të cilën ndoshta ngaqë e ka ushtruar gjatë, nuk e ka humbur as në moshën që është; referencë e guximit qytetar, të cilin e lakmonim të gjithë dhe referencë e guximit intelektual, të cilin e besonim të gjithë.
Është mirë që po shkojmë sepse kjo vepër më kthen në historinë e leximit të saj. Artikujt e saj i kam lexuar në shtypin në gjuhën serbokroate dhe shqipe, po jo edhe në gjuhën maqedonase. Jo vetëm titulli i veprës Populli i pandalur, përkon me titullin e veprës së Qosjes Populli i ndaluar, sikur mendojnë disa, po edhe artikujt e saj, temat që trajtojnë, idetë, argumentet, janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Madje, vepra hapet me një shkrim polemizues në mbrojtje të Profesor Qosjes, e nuk është as e para, as e vetmja mbrojtje që i bën Profesor Qosjes në shtypin e Zagrebit e Beogradit, por edhe të Prishtinës, Shkupit e Tiranës.
Artikujt e Profesor Agim Vincës janë botuar kryesisht në gazetën kroate Danas, në një nga gazetat e para liberale kroate Nedjeljna Dalmacija, disa në gazetat Politika, Književna reč dhe NIN të Beogradit, e pas vitit 1990 edhe në disa gazeta të Prishtinës dhe diasporës në gjuhën shqipe, aty ku Profesor Qosja i ka botuar pjesën më të madhe të artikujve dhe intervistave të tij, por kryesisht në një format më të hapur të çështjes shqiptare, ndërsa Profesor Vinca për aspekte çështje më të theksuara. Disa prej artikujve Profesor Vinca i ka lexuar edhe në Forumin e Intelektualëve Shqiptarë. Prej teksteve të Profesor Qosjes dhe Profesor Vincës nuk është vështirë të shihet pothuajse e njëjta temë te të dy intelektualët: fati i popullit shqiptar në Maqedoni, i trashëgimisë, i kulturës, i gjuhës, i letërsisë, i jetës sociale e politike. Profesor Agim Vinca, i gjendur para presionit dhe kërcënimeve të institucioneve politike e shtetërore maqedonase (dhe jo vetëm), por edhe të medias sidomos, do të jetë i detyruar që ndonjëherë të shkruajë edhe me pseudonim: Astrit Shazimani.
Kujtoj këtu edhe një histori vetjake. Kur disa intelektualë shqiptarë filluan të botonin reagimet dhe madje polemikat e tyre në gazetën kroate Danas, ajo filloi të shpërndahej e lexohej me të madhe edhe në Kosovë. Që të mund ta marrje një kopje të saj, duhej të zgjoheshe herët në mëngjes. Një të mërkurë janari të vitit 1987 apo 1988, para se të shkonte në gjumë, vëllai më thotë: “Kurdise orën dhe mos u vono nesër të shkosh në Stacionin e Autobusëve për të blerë gazetën Danas. “Mos harro të marrësh një shkop të gjatë sepse në këtë kohë të ftohtë dimri janë egërsuar qentë”, e vazhdon porosinë nëna. “Janë egërsuar jo vetëm qentë tanë po janë egërsuar më shumë qentë e Serbisë, prandaj pasi ta marrësh gazetën mos u kthe në rrugën skaj hekurudhës po vazhdo në urë dhe hyn në lagjen e Dardanisë, e pastaj kthehu në shtëpi (në lagjen tonë Emshiri, në Jug të Prishtinës) rrugës së epërme” – përfundoi porosinë babai mes ironisë dhe shqetësimit të një prindi. “Në rregull”! – them, duke iu përgjigjur në njëfarë mënyre jo vetëm babait po edhe nënës e vëllait.
Të nesërmen para orës 7.00 shkova në Stacionin e Autobusëve ku vinin të gjitha gazetat e Kosovës dhe më tej, e kapa të parën gazetën Danas dhe e hapa tek faqja e letrave, ku botoheshin kryesisht reagimet dhe diskutimet e intelektualëve nga gjithë ish-Jugosllavia dhe me të parë emrin e Profesor Agim Vincës, e mbylla shpejt si për të mos e parë askush, e pagova, e futa nën jaknën e trashë të dimrit dhe u ktheva me hapa të shpejtë në shtëpi. Ende pa e mbyllë derën e korridorit e thirra vëllain që ta njoftoja se në numrin e sotëm të Danas-it kishte një tekst Profesor Vinca, prandaj ai u zgjua shpejt që ta lexonte i pari, ndërsa babai më pyeti nëse kisha zbatuar udhëzimin që të mos kthehesha rreth hekurudhës. U ndala dhe mora frymë thellë. Nuk isha mësuar kurrë ta gënjeja babanë. Ndryshe nga nëna që ishte më e rrëmbyeshme dhe për një gënjeshtër mund të merrje një shuplakë, por të ankonte të nesërmen, babai gabimin e priste me qetësi, ndërsa gënjeshtrën me përbuzje, por nuk ta falte kurrë. Gabimi, thoshte, është dënim në vetvete dhe prej tij edhe mund të mësosh, ndërsa gënjeshtra është gabim që përsëritet në vetvete dhe prej saj pësojnë të gjithë, prandaj nuk duhet të falet. “Jo”, i thashë dhe nuk e di si nuk më ra edhe gazeta nga dora. “Nuk ke bërë mirë, mund të ishte përcjellë nga sigurimi pikërisht pse ke kaluar në një rrugicë kur pak të tjerë kalojnë e të ishe arrestuar pa dëshmitarë”, më tha babai, mbase më i shqetësuar ai se unë. “E vërtetë”, – e miratova mendimin e tij, me një zë që mbase ai dhe të tjerët e dëgjuan, po jo edhe unë, sepse veshët po më ushtonin nga turpi.
Brezi ynë do t’i kujtojë gjatë polemikat e tij: me shkrimtarët e intelektualët maqedonas, Gane Todorovskin, Kole Çashulen, Bozhin Pavllovskin, Simon Drakulin, Lubisha Georgievskin, Nikolla Klusevin etj., me gazetarët e shkrimtarët serbë Radoslav Zllatanoviqin, Petar Sariqin, Spasoje Rakoviqin etj.; reagimet e tij në mbrojtje të personaliteteve të shquara historike, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit etj., në kohën kur atakoheshin monumentet e tyre në oborret e shkollave në Kosovë; tekstet e tij historiko-letrare e polemizuese në mbrojtje të disa prej shkrimtarëve e veprave të rëndësishme të letërsisë shqipe, Ismail Kadaresë, Shefqet Musarajt e poemës së tij Epopeja e Ballit Kombëtar etj., të atakuar nga gazetarë e politikanë serbë, në kohën kur kolegët e tij në Maqedoni e në Kosovë censuronin jo vetëm shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë po edhe shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare; diskutimet e tij në mbrojtje të gjuhës shqipe në shkollat shqipe në Maqedoni dhe arsimin e kulturën shqiptare në Maqedoni, me theks të veçantë emrat e qyteteve me përkatësi historike e etnike shqiptare, në kohën kur bashkëkohësit e tij, gjuhëtarë të specializuar në fushë të marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-maqedonase, heshtnin dhe humbnin zërin për të ruajtur qetësinë akademike e sigurinë familjare.
Artikujt, në të vërtetë sintezat e tij të botuara kryesisht në pjesën e dytë të librit të tij Populli i pandalur, paraqesin artikulimin më të plotë të gjendjes etnike, gjuhësore, kulturore, arsimore, sociale e kombëtare të kohës në Maqedoni, orientimet politike të të gjitha zhvillimeve të mëtejshme deri te Lufta e vitit 2001 dhe perspektivën e përpjekjeve të sotme politike, duke përfshirë këtu edhe kritikën e këtyre zhvillimeve, me theks të veçantë mospërmbushjen e projektit të Iliridës.
Dhe jo vetëm kaq e jo vetëm me këtë vepër. Ai, Profesor Agim Vinca, ishte nga ata pak krijues, profesorë e asistentë të brezit të tij, që së bashku me studentët e grupit letrar “De Rada” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës sollën frymën kombëtare, përtej temave stereotipe te bashkim–vëllazërimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si ajo për përkthimet në gjuhën e kombeve dhe të kombësive; ai, së bashku me kolegë, asistentë e studentë krijues të Universitetit të Prishtinës e më gjerë, Sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë e patën shndërruar në hapësirë të lirisë e frymës së demokracisë europiane, në një kohë që shkrimtarët serbë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë sallën në Francuska 7, e patën shndërruar në hapësirë të nxitjes së nacionalizmit, shovinizmit e urrejtjes/ gjenocidit mbi shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët; ai, më në fund, ishte nga ata pak intelektualë të parë që përfaqësonte zërin e zgjuar të popullit shqiptar të diasporës.
A nuk ishim edhe ne me fat që u rritëm në këtë frymë të lëvizjes studentore dhe a nuk i kemi borxh sonte Profesor Agim Vincës që të jemi në përurimin e njërës prej veprave të tij dhe njërës prej veprave më të veçanta të asaj kohe.
Intelektualët i viteve ’90 dhe intelektualët koniunkturalë të kohës sonë
– E megjithatë, vitet e fundit, sidomos pas Luftës së Kosovës, në Prishtinë, në Tiranë e madje edhe në Shkup, po bëjnë çmos që këtë rrjedhë të historisë ta ndryshojnë, duke i nxjerë në plan të parë prijësit e partive politike dhe gjithnjë e më shumë t’i zhvendosin në prapaskenë, anëskenë e madje t’i heqin krejtësisht nga skena disa prej tyre, – më thotë Myrveti, nuk e di për të ma ndërprerë monologun apo tejkaluar shpjegimet e gjata e të gjera për librin, për të mos thënë për artikujt e veçantë të këtij libri.
– Po, – i them, – janë disa intelektualë koniunkturalë e servilë që përpiqen ta mistifikojnë të vërtetën, duke i mitizuar emrat e disa politikanëve të sotëm si dikur ato të Titos dhe Enverit. Të tillët e vendosin në krye, gjithnjë dhe gjithkund, Ibrahim Rugovën, për ta fshehur dhe arsyetuar vonesën e vet intelektuale, sikurse edhe të idhullit të tyre. Disa të tjerë shkojnë edhe më larg, e zbukurojnë/ teleisin biografinë e Rugovës, për ta bërë model koherence, sado e dinë që e tillë nuk është!
I them: Kur në fund të vitit 1989/1990 shumë intelektualë filluan të dalin nga gëzhoja e tyre me artikujt e parë polemizues, me reagimet, Profesor Qosja në Zagreb e nxori vëllimin e parë të polemikave e reagimeve qytetare, intelektuale e akademike Nezaštićena sudbina. Dhe një vepër jo dosido, 300 faqe. Mjafton të shihet kjo vepër dhe të kuptohet se pjesa më e madhe e artikujve janë shkruar dhe botuar gjatë viteve 1985-1988, e sidomos gjatë vitit 1987.
I them: Nuk do ta kemi lehtë po as nuk do ta kemi vështirë. Jemi rritur në një linjë ku paraadhësit tanë kanë ndjekur tradicionalisht rrugën e gjakut, ku mësuesit tanë kryesisht kanë ndjekur vijën e partisë dhe ideologjisë, ku shumica e bashkëkohësve tanë po e ndjekin linjën e grupit dhe klanit. E ne po e ndjekim vijën e mendimit! Nuk do ta kemi lehtë, po as nuk do ta kemi vështirë. Njerëzit na njohin si nacionalistë në shpirt, prandaj ata që e nuk e kuptojnë që nacionalizimi nuk e ka kusht ideologjinë po atdhetarinë, nuk do të na kuptojnë. Lehtë do ta kemi sepse duke qenë të çliruar nga dogma fetare apo ideologjike, do të jemi të çliruar nga veset ditore e lëvizjet e përkohshme, shpirtërisht.
Dhe i them: Çka t’i them? Në këtë kohë thuthaqësh politikë, – do të më thoshte Myrveti!
Rreth orës 14.00 arrijmë te hoteli Diplomat, vetëm pak metra pas tabelës në hyrje të fshatit Veleshtë. Myrveti është e lodhur dhe dëshiron të ndalet në hotel deri në orën 19.00, ndërsa unë kthehem në qytet, te hotel Drini. Aty takoj Profesor Agimin tek përpëlitet sa andej këndej për të zgjedhur përfundimisht sallën ku do të organizohet përurimi i librit. Vjen edhe Emin Azemi, botuesi i librit, së bashku me një mik të tij nga Kumanova. Profesori tregon për sallat që ka parë, por dëshiron t’i shikojmë edhe njëherë së bashku me Eminin. Për secilën Sallë ka nga një rrëfim a kujtim. Aty e kuptoj që hotelin nuk e drejtojnë shqiptarët, por maqedonasit, e megjithatë Profesori, si për inat, nuk heq dorë nga hapësirat e tij për ta organizuar aktivitetin. Vendosim për njërën prej tyre, në të cilin thotë se mund të ulen 70-100 të pranishëm, ndërsa unë dhe Emini e lusim zotin të vijnë rreth 50 veta, “në një kohë, që në Prishtinë mund të mbledhësh rreth 35-50 veta”, them unë.
Përurimi i madh me publik të zgjedhur
Salla e përurimit është mbushur plot. Nuk ka karrige për të gjithë, prandaj sjellin nga brenda e nga jashtë. Profesori Agim dhe familjarët e tij kujdesen për t’i bërë vend secilit. Ajo që më bën përshtypje është numri i madh i çifteve. Struga, ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni, Tetova, Kërçova e madje edhe Shkupi, duket se ka një lloj aristokracie. Mësimdhënës, nëpunës, tregtarë, artistë, krijues, akademikë, gazetarë, patriotë të njohur, ish-të burgosur politikë nga Struga, Ohri, Shkupi, Kumanova, vendlindja e tij Veleshta, qytete të tjera nga Kosova, nga Tirana, nga Vlora, Korça e Pogradeci. Nuk ka vetëm nga radhët e politikanëve e partiakëve. Nuk janë ftuar! Ka ardhur vetëm Konsulli i Kosovës në Strugë.
Shkoj e ulem në rreshtin e dytë, por më kërkojnë të ulem në rend të parë, në pjesën ballore. Profesori më ka thënë që do të përshëndes në atë mbrëmje, por kur i shoh gjithë ata, mendoj se nuk ka vend që të flas e as të përshëndes edhe unë.
Drejtuesi i përurimit përshëndet dy lista të të pranishmëve: një listë profesorë doktorësh: Prof. dr. Atë, Prof. dr. Këtë, Prof. dr. …edhe Mua. Pastaj në një listë të veçantë Zonjat e Zotërinjtë. Njërin pas tjetrit. Fishek. Pastaj, përshëndesin gjatë, shumë gjatë mysafirët akademikë nga Tirana. Më duket shumë interesante ideja e vonuar për të gjithë ne, që Profesor Agim Vinca të shpallet Qytetar Nderi i Strugës. Mendoj, ide e vonuar dhe mbase e parëndësishme për Profesorin, por për një çast shoh se si Profesorit i shndrit balli tek qëndron me trupin, me kokën dhe me shikimin lart. Salla mbushet me duartrokitje. Mbase e kam gabim. Profesor Agim Vinca prej më shumë se pesë dekadash mbron gjuhën shqipe, si nyjë themeltare të kombit shqiptar; qe 50 vjet në veprën e tij trajton letërsinë dhe kulturën shqiptare si tërësi integrale jo vetëm në ish-Jugosllavi po kudo shkruhet në botë; qe pesë dekada mbron letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi dhe në Maqedoni në veçanti prej atakimeve të publicistikës serbe e maqedonase. Sa shumë beteja individuale, kolegiale e kolektive Profesor Agim Vinca i ka fituar për gjuhën, letërsinë, kulturën, arsimin, trashëgiminë materiale e shpirtërore të shqiptarëve në këto pesë dekada, para se ato beteja t’i fitonin pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni; sa shumë beteja individuale e kolektive i ka fituar Profesor Agim Vinca për shqiptarët në Maqedoni, të cilat ende nuk po arrijnë t’i fitojnë Partitë politike dhe madje institucionet akademike e kulturore. Çka duhet të bëjë Profesor Agim Vinca që të nderohet jo vetëm nga Komuna e Strugës, po edhe prej Shkupit, Tetovës, Gostivarit e Kumanovës? Thonë se derisa je në proces të vazhdueshëm pune, nuk të bën shumë përshtypje vlerësimi e aq më pak të bëjnë përshtypje dhuratat, por thonë gjithashtu se vjen një ditë e pret të korrat e këtyre të mbjellave. Mos paska ardhur kjo kohë e të korrave edhe për Profesor Agim Vincën!
Pas përshëndetjes së anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë Sherif Bungu dhe regjisorit Mevlan Shanaj, i cili kishte ndërprerë pushimet në Pogradec dhe kishte ardhur së bashku me zonjën e tij, poeten Natasha Lako, më ftuan edhe mua. I kisha menduar t’i them pesë fjali, e megjithatë fola edhe më shkurt, i thash tri fjali. E urova Profesorin dhe në mënyrë të veçantë botuesin për ribotimin e kësaj vepreje, e cila e ka bërë historinë; thash që më parë se vepra, historinë e kanë bërë artikujt e saj veç e veç në shtypin kryesisht kroat; thash që dikur këta artikuj kishin karakter kulturorë, politikë e intelektualë, ndërsa ata sot kanë karakter dokumentarë e historikë, pa e humbur edhe rëndësinë e tyre, politikisht… Pastaj, vura re që emri “histori” e trajta “historikisht”, po më përsëritej, prandaj e kuptova se, sa më parë që ta përmbyllja përshëndetjen time aq më pak “histerik do të bëhem”! E urova Profesorin për moshën, për veprën dhe për ndihmesën që i ka dhënë kulturës shqiptare në këto pesë dekada pune dhe ‘ika’ në karrigen time.
Pas meje tekstet e tyre të botuara edhe brenda vëllimit të ribotuar, i lexuan editori Emin Azemi dhe Profesori Selajdin Salihu. I kisha lexuar që më parë. I pari, një tekst shumë i mirë historiko-kulturor, ndërsa i dyti një tekst po kaq i mirë, eseistik.
Pas tyre e lexoi fjalën e tij, tekstin e tij a përshëndetjen e tij të gjatë, si gjithnjë, të gjatë me shumë përbërës të rëndësishëm historikë, letrarë, kulturorë, shkencorë e stilema gjuhësore, Profesori Agim Vinca. Foli për kushtet dhe rrethanat historike, kulturore e letrare të kohës kur u shkrua kjo vepër, e mund të fliste për rrethanat, kushtet historike dhe kulturore për të gjithë artikujt veç e veç. Foli për veten dhe të tjerët, për veten dhe shqiptarët në Maqedoni; foli për veten dhe për letërsinë shqipe, si pasuri letrare e gjuhësore kombëtare; për polemikat dhe botimet e tyre në shtypin e kohës (kryesisht gjuhën serbokroate në Kroaci), si kusht i domosdoshëm i mbrojtjes së identitetit dhe madje qenies kombëtare në Maqedoni; foli për veten dhe për Shqipërinë, Shqipërinë e tij të idealeve tona, për të cilat ishim bashkuar të dëgjojmë kaq shumë të pranishëm në atë aktivitet, në Strugë, buzë Drinit. Jeta e banorëve të kësaj treve, tha ndër të tjera, ka kaluar “mes çizmes serbe dhe opingës maqedonase”, figurë që e gjejmë te libri “Magjia e ligjërimit”. Fjalën e përmbylli me dy vargje nga vjersha testament e poetit të madh gjerman Bertolt Breht “Atyre që vijnë pas nesh”: “Pak kam bërë. Po sundimtarët më të qetë do të ishin pa mua!”. Edhe Profesori ribotimin e librit “Populli i pandalur” ua kushton atyre që në kohën kur u botua së pari ky libër, në vitin 1992, ende nuk kishin lindur ose që ishin të mitur, por edhe të rriturve si rifreskim i kujtesës, si thuhet në shënimin që e shoqëron librin.
Përmbyllet përurimi dhe fillojmë të dalim ngadalë duke i përplotësuar bisedat që kishim filluar në hapje të saj. Më afrohen shumë zonja dhe më pyesin për Myrvetin, të cilën e njohin që në vitet e burgut, vitet e demonstratave, vitet e Pajtimit të gjaqeve; më afrohen shumë zotërinj dhe më flasin sikur të më kishin njohur prej dekadash e më njohin vetëm përmes fb. Prej vitesh shkruajmë e botojmë në faqen tonë të facebookut, por këtu, si rrallë herë e kuptoj se kemi lexues, të cilët nuk bëjnë vetëm like po edhe i lexojnë tekstet tona, shpeshherë të gjata.
Rrugës nga salla e përurimit në restorantin ku Profesori shtroi darkë, bisedoj me Znj. Natasha Lako dhe Z. Mevlan Shanaj. I them se prej veprës letrare të saj kam përzgjedhur rreth 500 fjalë e togfjalësha për Leksikun e poezisë së shekullit XX. Znj. Natasha më falënderon për kujdesin me një zë të butë prej zonje të prajshme, por më i lumtur duket Mevlani dhe këtë e shpreh edhe me fjalë: “E dëgjon Tasha, e dëgjon!”. Gjithnjë më kanë bërë përshtypje reagimet dashamirëse të çifteve për arritjet e njëri-tjetrit, prandaj reagimit të Mevlanit iu gëzova në mënyrë të veçantë dhe sikur ndjeva botën time shpirtërore për arritjet e Myrvetit.
Vizita në Veleshtë – në vendlindjen e Profesor Agim Vincës
Ende pa ngrënë mëngjesin, në hotel kanë ardhur Profesor Agimi me Zonjën Flutura e mikun tonë të përbashkët nga Vlora, që tani jeton në Athinë, Lavdosh Qejvanin. Lavdoshi është vëllai i Petrit Qejvanit, për krijimtarinë letrare të të cilit ka shkruar Profesor Vinca dhe unë. Sot Profesori ka vendosur të na shëtisë rrugicave të fëmijërisë së tij në Veleshtë.
Veleshta është fshat i madh për të cilin kam lexuar te libri i Profesor Agim Vincës kam lexuar gjerë e gjatë te libri “Magjia e ligjërimit”, më shumë se te të gjitha botimet tjera, dikur ka qenë komunë, por banorët e tij e kanë sakrifikuar këtë privilegj për të rritur numrin e banorëve shqiptarë në komunën e Strugës, ku pushtetet e mëhershme kanë vendosur me mijëra maqedonas etnikë. Shtëpi të bukura, të mëdha dhe të mbështetura në krahun e njëra-tjetrës. Pasi hymë në të djathtë të tij pa u ndalur, kthimin e bëjmë rrugës që përshkon fshatin mespërmes. Ndalemi tek Ura e Sheit e ndërtuar në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Për herë të parë dëgjoj për ekzistimin e një ure të këtillë në Maqedoni, por harroj të pyes në ka ndonjë legjendë për të. Pas Urës së Sheit ndalemi te Dy Rrapat në mes të fshatit. Aty dëgjojmë për dëshmorët e rënë në kryengritjen e madhe antiserbe të vitit 1913, emrat e të cilëve janë skalitur në lapidarin e vënë në vitin 2012. Aty shohim edhe Lagjen e Vincallarëve dhe takojmë disa kushërinj të Profesorit, të cilët, sapo na shohin, na afrohen. Profesori flet për disa personalitete të Vincallarëve dhe rolin e tyre në jetën arsimore, kulturore dhe politike të vendit, por përshtypje të veçantë më bën emri i njërit prej kushërinjve: Dashuri!
– Emër tepër i rrallë në antroponiminë shqiptare, kam njohur dy gra me emrin Dashuri, të dyja në rrethin e Gjilanit, por asnjë mashkull, – i them pinjollit të Vincallarëve, burrë rreth të pesëdhjetave, por që duket shumë më i ri.
– Ma ka lënë gjyshi, – thotë Dashuriu, ndërsa Profesori e plotëson duke thënë se gjyshi i tij ishte një plak i mençur e me përvojë të madhe jetësore, të cilin i gjithë fisi e quante “date Qemal”. Këtu e kuptoj për herë të parë që fjala “date” në të folmen e Veleshtës është sinonim i fjalës “bacë”.
– I kam pyetur prindërit, vazhdon Dashuriu, pse ma kanë lënë këtë emër që tingëllon si emër femre dhe më kanë thënë se që gjyshi ka vepruar kështu për t’i mashtruar, zyrtarët komunalë që të mos më merrnin ushtar! Por ata më morën, megjithatë!
Edhe pse u bashkohem të qeshurave të të pranishmëve, një fshikullimë ma përshkon trupin nga majat e gishtave te maja e kokës. Çfarë përpjekje e etërve tanë për të mbrojtur pasardhësit e tyre! Nuk e di kur ka lindur Dashuriu, por ai është rritur në vitet ’80, kur nga ushtria jugosllave u kthyen në arkivole më shumë se 100 ushtarë shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre me shënimin “Vetëvrasje.” Gjatë kësaj kohe kam qenë ushtar edhe vetë, madje në Strumicë (si thashë më lart) dhe e di me sa vështirësi e kemi kaluar këtë kohë. Në vitet ’90 e kam hulumtuar këtë dukuri duke vizituar familjet e ushtarëve të vrarë dhe kam botuar biografitë e më se shtatëdhjetë prej tyre, në gjuhën shqipe te vëllimet Gjaku i lirisë I-IV (1995-2000) dhe në gjuhën boshnjake te libri i gjeneralit boshnjak Nihad Halilbegović, Nënë, më duhet ta jap kokën (Vrasja e ushtarëve-rekrutëve në ish-Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe shpëtimi i tyre), Sarajevë, 2002, si kapitull më vete. M’u deshën shumë faqe e shumë kohë për të përshkruar historitë e ushtarëve të “vetëvrarë” dhe do të na duhen shumë vepra dramatike e romanore për të trajtuar gjendjen shpirtërore të familjeve shqiptare që kishin djemtë e tyre ushtarë, e ato ishin shumë, sepse të shumtë i kishin edhe fëmijët. Vincallarët, prindërit e Dashuriut, janë një dramë më vete, e rrallë dhe model i pazakonshëm për vepra të tilla.
Përshëndetemi edhe me disa të tjerë, që qëllojnë aty, në qendër të Veleshtës, që veleshtarët e quajnë “Vakufe”. Mësoj se se janë njerëz nevojlinj nga Librazhdi dhe Rrajca, që vinë në Veleshtë për punë kryesisht në bujqësi. Të lodhur e të thyer, me rrudha në ballë e fytyrë, m’i kujtojnë vitet 1988-1990, kur unë me disa shokë nga Prishtina, 20 vjeç, prisnim një zë greku të na ftonte për punë krahu, bujqësore e të tjera, në fushat e Selanikut, Athinës a Kretës…
Te Rrapat, në qendër të Veleshtës, bëjmë edhe fotografi. Mendoj: Një ditë mbase ky shesh do të stoliset me bustin e Profesor Agim Vincës, që ka kënduar aq shumë për vendlindjen dhe që i ka dalë zot asaj në kohë në ditë të vështira, duke ia çuar zërin larg, por më mirë do të ishte që ai të vendoset në Strugë, buzë Drinit të Zi, pranë Doktor Temos e Dervish Himës dhe përkundruall poetëve maqedonas e figurave të tjera të kulturës dhe historisë së tyre, aty ku ne do të gjendemi pas pak për kafe e muhabet.
Kafja e përshëndetjes buzë Drinit
Ndërsa ne porosisim kafe e ujë, Eni, i cili nuk e ka fare turp të kërkojë atë që do, me përkrahjen e Profesor Agimit dhe komunikimit plot dashuri mes tyre, porosit çikën fingërs (chicken fingers).
E hapim bisedën për mikun tonë të përbashkët, Profesorin e ndjerë Petrit Qevjani. Lavdoshi, vëllai i tij, njeri temperament e plot energji, na flet për jetën e tij, për punën e tij në Universitetin e Vlorës, për miqtë e tij të njohur e të panjohur, për raportet e tij me krijuesit, për krijimtarinë e tij pak të njohur, për sjelljen e tij prej mësimdhënësi dhe për shpirtin e tij prej krijuesi e artisti.
Zhgënjehem prej disave që i kam adhuruar dhe krijoj respekt për disa që nuk i kam njohur. Lavdoshi është njeri që nuk i fsheh mendimet për njerëzit, përfshirë edhe miqtë dhe kolegët e të vëllait.
Nuk jam i prirë të besoj ad hoc një fjalë a një mendim për tjetrin. E, megjithatë, mendoj: “Sa shumë djaj rrinë në sytë e bukur dhe sa shumë engjëj nuk i shohim në zemrat e të shëmtuarve! Po te shpirtrat e të shtirëve, kush është strehuar!?”.
Kur bisedat fillojnë të shterin dhe afrohet momenti i nisjes për në Prishtinë, si për ta kurorëzuar këtë vizitë i them Profesorit se herët në mëngjes, në hotel, i frymëzuar nga qëndrimi në fshatin e tij, kam shkruar një poezi në telefon, por telefonit i është shpenzuar bateria, prandaj po përpiqem t’i them vargjet në një version të papërfunduar.
Poezia mban si titull pune: Një kafe mëngjesi në Veleshtën e Profesor Agim Vincës.
Erdha në Veleshtë të pi një kafe
T’u them veleshtarëve mirëmëngjes!
Seç u varën gocat në dritare
Ç’është ky mik, katallan a bajloz?.
Po e pika kafen me takëm
Po e pika duhanin me çibuk
Mos doli nga valët e gjolit
A zbriti nga malet në Strugë?
Nuk erdha nga malet e larta,
As nga thellësitë e liqenit, jo
Zbrita nga qielli i perëndive
Me laps e zemër në dorë.
Pasi vizituam Rrapin (në të vërtetë Dy Rrapat binjakë qindvjeçarë), në mendje shtova edhe këto vargje, të cilat nuk e di ku t’i vë:
U mblodhën Vincallarët te Rrapi
Na ka ardh’ një mik prej së largu
Mirë se vjen, o mik i nderuar
Të punoftë pena, fjala e vargu!
Qeshin të gjithë, për t’i bërë qejfin Profesorit apo për të vlerësuar poezinë time folklorike dhe me një recitim, si t’i nxirrja vargjet nga fundi i barkut, do të thoshte gjyshja ime.
Eni e përfundon ushqimin e tij të preferuar, ndërsa ne kemi pirë kafenë ngadalë mes kujtimesh e të qeshurash, që kryesisht i shkakton Lavdoshi, si të kishim pirë jo nga një filxhan kafe të zakonshëm, po nga filxhanët epikë të Mujës së kreshnikëve.
– Të pëlqeu hamburgeri? – e pyet Profesori Enin nga ana tjetër e tavolinës.
– Po, – ja kthen shkurt Eni, me buzët vesh më vesh, duke u ngritur në këmbë për t’ia tokur grushtin. Profesori zgjat shpejt krahun dhe dorën e bërë grusht si Eni.
– Eni nuk ta harroi propozimin që ia bëre në fillim për të marrë çka do ai për të ngrënë e jo vetëm për të pirë. Eni nuk e fsheh lumturinë dhe pikëllimin asnjëherë dhe nuk i ngatërron ndonjëherë, siç bëjmë ne, hahaha… – them unë.
– E vërtetë, – thotë Profesori.
Mbase në atë çast edhe ai do të thoshte siç mendoja unë: “Fëmijët nuk i fshehin gëzimet, as hidhërimet me buzëqeshje të shtira a lot krokodili. Ndryshe nga ne të rriturit, këta janë e vërteta e kësaj bote”.
Po të mos ishte Znj. Flutur e Myrveti, do t’i thosha se edhe ju z. Profesor ishit një nga ata pak intelektualë që gjatë gjithë jetës e thatë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, me jetën dhe me veprën, pa e fshehur asnjëherë!
E nuk ia thashë me gojë, me qëllim që t’ia them me shkrim.
Eni do t’ia thoshte aty për aty, pa hezituar!

Strugë-Prishtinë, më 26-28 korrik 2025

May be a doodle of text that says 'AGIM VINCA POPULLI I PANDALUR A AGORAPRINT'

May be an image of 5 people and monument

May be an image of 9 people

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar “Llogaritë Ekonomike…