Në vitin 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro

12 prill 2021 | 11:03

Guvernator i Bankës Qendrore i Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori bankar ka vazhduar ta mbështesë ekonominë përmes rritjes së mëtejme të kreditimit, pavarësisht prej ngritjes së nivelit të rreziqeve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro, kurse nga muaji mars 2020 deri në muajin shkurt 2021 vlera e kredive të reja nga sektori bankar është 1.43 miliard euro.

Sipas tij, pavarësisht prej situatës së krijuar si rezultat i pandemisë, pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë. Mehmeti ka treguar se raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në fund të vitit 2020 ishte 39.8 për qind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25-përqindësh

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, sa ishte shuma e kreditimit nga marsi i vitit të kaluar e deri më tani, pra në kohën e pandemisë?
Mehmeti: Sektori bankar ka vazhduar ta mbështesë ekonominë përmes rritjes së mëtejme të kreditimit përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve. Gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro, derisa nga muaji mars 2020 deri në muajin shkurt 2021 vlera e kredive të reja nga sektori bankar është 1.43 miliard euro.

“Epoka e re”: Sa është shuma e depozitave aktualisht?
Mehmeti: Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë te publiku, besim ky i shprehur edhe me rritjen e vazhdueshme të depozitave. Në muajin shkurt 2021 vlera e përgjithshme e depozitave ishte 4.351 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.4-përqindësh. Ritmi i rritjes së gjithsej depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare, kategori që dominon strukturën e gjithsej depozitave në sektorin bankar me pjesëmarrje prej 68-përqindësh në totalin e depozitave, e të cilat në shkurt 2021 shënuan rritje prej 11.6-përqindësh.

“Epoka e re”: Sa i përket rastit të IuteCredit, jeni optimist se Kosova do ta fitojë këtë rast?
Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes politikës së saj të licencimit, në vazhdimësi synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe zhvillimit të sistemit financiar dhe, rrjedhimisht, edhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Sidoqoftë, gjatë operimit të këtij institucioni në sistemin tonë financiar, BQK-ja ka evidentuar mosrespektim të kërkesave ligjore dhe rregullative në fuqi, si dhe në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit në bazë të të cilit kishte marrë licencën për të operuar në Kosovë. BQK-ja në vazhdimësi është përpjekur që përmes masave të parapara administrative të shtyjë këtë institucion që t’i adresojë gjetjet dhe kërkesat ligjore, mirëpo ato nuk kanë rezultuar të suksesshme për shkak të mosgatishmërisë së këtij institucioni për t’i ndërmarrë korrigjimet e nevojshme. Bazuar në këtë, BQK-ja duke respektuar në përpikëri kërkesat që dalin nga legjislacioni në fuqi, ka revokuar regjistrimin e këtij institucioni.

“Epoka e re”: Në rast se do të kemi një mbyllje të sërishme për shkak të Covid-19, sa është likuid sistemi financiar dhe a mund të flitet për pezullim të sërishëm të kredive?
Mehmeti: Përkundër situatës së krijuar si rezultat i pandemisë, pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në fund të vitit 2020 ishte 39.8 për qind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25-përqindësh. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që nga fillimi i pandemisë është treguar shumë aktive për ndërmarrjen e masave për t’u ndihmuar huamarrësve për përballimin e vështirësive financiare të cilat i ka shkaktuar kriza pandemike, duke u mundësuar atyre shtyrjen e pagesave të kësteve të kredisë dhe ruajtjes së likuiditetit të tyre përgjatë periudhës së ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike. Nga momenti kur janë liruar masat kufizuese dhe është rikthyer aktiviteti ekonomik në vend, konsiderojmë se ka përfunduar edhe situata emergjente e fillimit të pandemisë. Sidoqoftë, BQK-ja do t’i monitorojë më shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që ta japim kontributin tonë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së.

“Epoka e re”: Si qëndron mesatarja e normave të interesit në kredi dhe a pritet që të ketë ulje?
Mehmeti: Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6 për qind nga 6.4 për qind sa ishin në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.

“Epoka e re”: Po ashtu, disa banka komerciale kanë shtrenjtuar shërbimet e tyre në kohë të pandemisë, rast korrekt shtrenjtimi për mirëmbajtje mujore?
Mehmeti: Përcaktimi i tarifave për shërbimet bankare bëhet nga vetë bankat në përputhje me politikat e tyre afariste. Banka Qendrore e Republikës e Kosovës (BQK) përkujdeset që bankat t’i shpalosin te klientët e tyre të gjitha kostot që ndërlidhen me produktin specifik në funksion të transparencës së plotë. Dallimet e tarifave ndërmjet bankave të ndryshme mund të konsiderohen si efekt i konkurrencës në sektorin bankar, e cila bën që klientët të mund të kenë më shumë mundësi të zgjedhjes se në cilën bankë dëshirojnë t’i shfrytëzojnë shërbimet financiare. BQK-ja ka për objektiv primar stabilitetin e sektorit bankar e financiar. Roli kryesor i BQK-së ka të bëjë me zhvillimin e infrastrukturës ligjore e rregullative konform standardeve ndërkombëtare dhe rrjedhimisht nuk cakton çmimet e produkteve që ofrojnë bankat (kamatore dhe jokamatore). Bankat e publikojnë listën e çmimeve të produkteve të tyre në faqet e internetit e, po ashtu, edhe në degët e tyre bankare. Në këtë kontekst, BQK-ja përkujdeset që bankat t’i shpalosin te klientët e tyre të gjitha kostot që ndërlidhen me produktin specifik në funksion të transparencës së plotë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush…