“Nën saç”, një roman me vlera befasuese

09 qershor 2021 | 17:33

Esat Myftari

 

Para pak muajve doli në qarkullim romani i ri i shkrimtares Resmije Kryeziu, me titull “Nën saç”, në botim të SHB “Lena Graphic Design”, në Prishtinë.

Romani ndërtohet mbi disa linja e zhvillime të mbas LDB në qytetin Pejë, pra në kohën kur ripushtimi jugosllav kishte nevojë për konsolidim të sundimit të vet dhe etje për një revansh të denjë për emrin dhe traditën serbe. Për ata që janë rritë në atë klimë terrori dhe që janë njohës apo dëshmitarë pamorë të personazheve kryesore të tij, libri përben edhe një rikujtime zhvendosje në kohë reale të ngjarjeve. Në këtë kuptim, libri asht i hapur për kureshtjen e të gjitha kategorive të lexuesve, duke filluar prej ma të rëndomtit e deri te politikani, esteti apo historiani, me premtimin e sigurt se do të gjejë çfarë i intereson.

Romani, në thelb, është historik: merret me ngjarje e me njerëz të vërtetë, të cilët edhe mbas 70 e kusur vitesh mbahen të gjallë jo vetëm në kujtesën pasive, por edhe në ligjërimin e shpeshtë të qytetarëve anas të Pejës. Kjo edhe për faktin se pasardhësit e tyre u dëshmuan vazhdues të veprës së tyre dhe të gjenit të tyre.

Autorja është mjaftuar me trajtimin e momenteve kulmore të këtyre figurave tragjike. Megjithëse secili prej tyre me dosje të veçantë e të përpunuara në arkivin serb, ata kanë të përbashkët qenien e tyre si elitë e Pejës dhe, këndej, njerëz me ndikim absolut në popullatën shqiptare. Prandaj eliminimi i tyre nuk kishte si kriter vërtetimin e fajësisë së tyre vetjake, por asgjësimin e pranisë së tyre në atë hapësirë. Dhe, si surrogat të saj, fuqizimin e një shtrese të hollë bashkëpunëtorësh vendas, merita e të cilëve ishin disa mbledhje të fshehta me serbë e malazezë gjatë luftës, si dhe pjesëmarrja e tyre nëpër disa komisione fantome, pa asnjë tagër thelbësor.

Këtë galeri personazhesh-viktima e përbejnë: Sefedin Begi, Xhevat Begi, Emrush Myftari, Myslym Hadri, Dervish Kryeziu dhe, për fund, humbja e hershme e kompozitorit të ri e fort premtues, Halit Kasapolli dhe e një varg vehtjesh dytësore, por pa të cilët mozaiku nuk do të ishte i plotë, as funksioni organik i veprës.

Pra, aty do të gjeni fatin e Sefedin Begit, të thadruar me aq plasticitet në çastet e fundit të jetës së tij, të këtij politikani fort kompleks të Kosovës së midis dy luftove, ndaj të cilit do të ushtrohet një përzierje mesjetare e urrejtjes nacionale dhe ideologjike; Xhevat Begit, të cilin e varrosin në gropë të kopshtit të vet në pozicion vertikal, me skuadrën e gabelëve përreth që hedhin me zell dhé mbi të; Islam Hadrit – gjeodetit – projektuesit të hekurudhës, të vetmit inxhinier shqiptar të kohës, që rrëmbehet natën e zhdukët pa pompë e bujë. Të birin e terxhymanit të “Golgotës” serbe nëpër Veri të Shqipërisë, që e kishte krye detyrën me korrektësi njerëzore, por që u shpërblye ma vonë me plumb në ballë.

Nji urrejtje patologjike kjo, që do të shtrihej edhe te brezi i tretë, Enver Hadri, Dervish Kryeziut – nji vrasje kjo e paralajmëruese dhe një elegji e re e qytetit, sepse dorasi ishte shqiptar, agjent i Sigurimit të shtetit shqiptar, kur Kosova ishte duarlidhur. Qe shuar kështu, luftëtari i parafundit i Kryezive të Gjakovës, ditën për diell, në berberhane, në qendrën e qytetit, si shembull terrorizimi ditën për diell, Emrush Myftarit – nja intelektuali me përvojë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, të cilin e kishin cilësuar si të rrezikshëm pikërisht për shkak të këtyre cilësive, personin që ishte munduar të realizonte një vegim të pamundur kombëtar. Mbi të, do të shfrynin Milladini e Fadili, si dy korba të tandemit të ri malazezë-kosovar.

Por autorja, përveç këtyre fateve njerëzore e vizaton shumë saktë edhe arkipelagun e ekzekutimeve të shqiptarëve të tjerë të zgjedhur: Zyrën e OZNE-s, Kullën e Sheremetit, Tabjen, Asllan Qeshmen etj, pra vendet që kërkojnë me ngut të fiksohen në dokumentet zyrtare të Kosovës së Pavarur dhe në mendjen e brezave të rij. Me po atë të drejtë, si, fjala vjen, Auschwitz-i. Dallimi në përmasa e numër nuk e ndryshon aspak frymën dhe pasojat që lanë këto krime!

Riprodhimi i rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës, që jepet me gjuhë e figuracion të mirëfilltë, është një prej meritave thelbësore të këtij romani me shumë vleftë. Kush do me u çmallë me të folmen e prindërve tanë, me shpirtin e gjanë e durimtar të tyre si dhe me forcën homerike të përballjes së dramave e tragjedive individuale e familjare, le ta lexojë e rilexojë këtë libër.

Gjykoj se çdo qytet i Kosovës duhet ta ketë një libër të ngjashëm si ky. Pse asht, veç plotësimit të kërkesave estetike, nja shlyerje borxhi ndaj historisë sonë, e cila po na ikë me pak rreshta proze të dykuptimta apo me vargje të ashtuquajtura hermetike, që s’ishin veçse gjymtim i imponuar i së vërtetës kosovare. Mënyra që kuptohen e amnistohen për kohën, por që sot përbëjnë një faj të ndërgjegjshëm.

Shfrytëzoj rastin t’i uroj autores shëndet e vullnet për krijime të tjera, po kaq dinjitoze.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Shqipërisë ka shkarkuar presidentin Ilir Meta. Pas këtij…