NËNË STANA, NËNA E USHTRISË ÇLIRIMTRE TË KOSOVËS

25 dhjetor 2025 | 09:52

Ismet Sylejmani

Fjala ime me rastin e Krishtlindjeve, në Koncertin Solemn në nderim të Nënës së UÇK-së, Nënës Stana Pjeter Gashit!

Shumë e dashura dhe shumë e nderuara Nëna Stana Gashi!
Të nderuar organizator të Koncertit Solemn,
I nderuar famullitar Dom Kolë Zefi
I nderuar Dom Lush Gjergji,
I nderuar Dom Shtjefën Dodes, ish- famullitar,
Të nderuar shkrimtar Ibrahim Kadriu dhe Nazmi Rrahmani,
I dashur Folësi Legjendar Legjendar i Radios Kosova e Lirë Nusret Pllana,
I nderuar Komandant i Brigades 153 të Zones Operative te Llapit, faleminderit per prezencen,
Të nderuar të pranishëm,!

E shtrenjta Nënë Stana,
Tashmë dihet botërisht, dhe po konfirmohet edhe sonte me Koncertin Solemn, që ju kushtohet Juve me rastin e festës së Krishtlindjeve, se Ti bashkë me bashkëshortin Tënd, Bacën Nue dhe djemt e vajzat tuaja, Filipin, Fatmirin, Viktorin e Filen, praktikisht e gjithë familja u rreshtuat në radhët e UÇK-së!

Nana Stane, Ti je Motra heroinë e nënave të mëdha të Kombit, je motra shqiptare katolike e Nënë Zahides së Adem, Hamzë e Rifat Jasharit!

Nëna Stanë, Ti je motra gjallë e Nënë Rukes të Luan, Shkelzen, Enver, Ramush e Dauat Haradinajt,
Nëna Stanë Ti je Nëna e mbi treqind luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Nëna Stanë e kemi thënë herave tjera, e përsërisim edhe këtu në kishën Tënde, se Ti je Nënë Tereza e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës!

I gjithë njerëzimi e din se Nënë Tereza e kishte shëndërruar Kalkutën në Indinë e largët në Shtëpi të Saj, por edhe i gjithë Kombi ynë duhet dhe patjetër do ta dijë se Ti Nënë Stana, me tërë familjen Tënde e kishte shëndërruar Shtëpinë Tënde, në Shtëpi Bazë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Koridori i UÇK-se Zhegovc – Brus- Marec, që mbi tokë vlonte si llavë vullkani, historia dëshmon se epiqender e kishte Shtëpinë Tende heroinë, aty ku Ti ishe Zonja e hekurt e Shtëpisë që e kishe sofrën plot bukë për luftëtarët e lirisë!

Te nderuar të pranishëm,
Bashkëshorti e djemt e Nënë Stanës, në historinë e popullit shqiptar, të Atdheut dhe Kombit tonë e kanë bërë të famshëm Peshterin e Brusit, sepse këtu kanë ardhur dhe kanë parakaluar për në fronte e beteja të luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me qindra luftëtëtar, dalzotës të Vatanit!

Të gjithëve na kujtohet se si gjakpirësi e xhelati Millosheviq, që shkaktoi gjenocid, i cili bënte propagandë antishqiptare, kinse, në Kosovë bëhej luftë në baza fetare nga fundamentalistë islamikë!
Ajo propagandë e kishte bazen te platforma e ideologëve racistë serbomëdhenj dhe buronte nga Akademia antishqiptare e Shkencave të Serbisë!

Por të dashur motra e vëllezër,
Fakti se familja e Nënë Stanës ishte katolike e demantonte atë propagandë armiqësore serbe dhe të aleatëve të saj rus e të tjerë!

Për fund e themi fuqishëm se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte akti madhor dhe projekti fitimtar i përmbylljes me sukses të përpjekjeve shekullore të Kosovës kundër Serbisë pushtuese, por edhe kundër tradhtarëve, kurse Nëna Stanë bashkë me shumë Nëna të mëdha, është Nënë e thjeshtë shqiptare, Nënë heroinë e Kombit shqiptar!

Nënë Ti me bukën e duarve tua ke ushqyer heronjë e Dëshmor të Atdheut!

Nënë buka e duarve tua ka ushqyer ushtar e komandant lavdimëdhenj!

Jetë te gjatë Nënë Stana!

Emri Yt, i bashkëshortit Tënd dhe i djemve e vajzave Tua, që u rreshtaut në radhët Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, do të jeni të pavdekshëm!

Të jemi mirënjohës përgjithmonë Nënë!

Urime Krishtlindjet Nënë Stana Ty dhe të gjithë motrave e vëllezërve katolik shqiptar kudo që janë!

Prishtinë, 24 Dhjetor 2025!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë që nga zgjedhja e tij, Papa…