
Nënkryetarët e LDK-së takohen me Prattipatin: Shpresojmë në vendim të drejtë nga Kushtetuesja
Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri dhe deputetja Jehona Lushaku, kanë pritur në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjatë takimit është diskutuat rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë kontekst është theksuar rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim.
“Përfaqësuesit e LDK-së ritheksuan rëndësinë që ky institucion të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale. LDK-ja shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës në të gjitha fazat shtetformuese dhe thekson se miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të vendit”, ka njoftuar LDK-ja.