Nënshkruhet marrëveshja për tarifat e përgjithshme që duhet të paguajnë mediet

15 mars 13:06

Pas afër pesë vjetëve të negociatave në mes të Shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe medieve, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është nënshkruar të mërkurën marrëveshja për tarifat e përgjithshme që duhet të paguajnë mediet, përkatësisht televizionet dhe radiot, për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtat e autorit.

Katër kanalet e Radio Televizionit të Kosovës do ta paguajnë shumën vjetore prej 30 mijë eurosh tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë ta shfrytëzojnë muzikën për transmetim. Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguajnë nga 6 000 euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1 200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2 400 euro, kanalet e tjera kabllore 1 800 euro, radiot nacionale 3 600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët do të paguajnë 240, respektivisht 180 euro.

Në bazë të marrëveshjes, këto shuma do t’i paguhen shoqatës APIK, e cila përfaqëson repertorin vendor dhe të huaj i cili shfrytëzohet në territorin e Republikës së Kosovës.

Mediat obligohen të aplikojnë për marrjen e lejes në shoqatë.
Materialet mund të shfrytëzohen vetëm në bazë të licencës për transmetim të cilët ato i kanë nga Komisioni i Pavarur për Media. Çdo tejkalim i kompetencës apo transmetim jashtë licencës do të jetë subjekt i shkeljes së të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

Ministri Kujtim Gashi ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje po krijohet një sistem i ri edhe për autorët e këngëve dhe për producentët e tyre.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për Tarifat e Përgjithshme për shumat e kompensimit që duhet të paguajnë mediet, përkatësisht televizionet dhe radiot, për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, është hap historik për vendin në kuadër të krijimit të një sistemi funksional të së drejtës së autorit, ku autorët, producentët dhe performuesit, në bazë të kësaj marrëveshje, do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e medieve”, ka thënë ministri Gashi.

Ministri e ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes dhe e konsideroi jashtëzakonisht të rëndësishme duke pasur parasysh rëndësinë e mbrojtjes së kreativitet dhe kompensimin e autorëve për punë e tyre që bëjnë.

Florent Boshnjaku nga Shoqata për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit ka shprehur bindjen se marrëveshja do të ndikojë në zhvillimin e tregut muzikor.

Ndërkaq Fazli Veliu, përfaqësues i Institutit të Mediave të Kosovës, ka thënë se shpreson se mediat do ta respektojnë marrëveshjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj bashkë me nënkryetarin…