NËNTORI KOMBËTAR

30 nëntor 2022 | 13:07

Shkruan: SHKENDIJE BERISHA -PACOLLI – Këshilltare e Psikologjisë

A është nëntori muaji kur ne shqiptaret (që jetojmë në mërgatë) ndjehemi më të afërt me njeri tjetrin, të mbërthyer nga një eufori dhe krenari e të qenurit shqiptar, dhe se është nëntori muaji që na sjell ndërmend se kush jemi dhe nga vijmë?. A fluturon shqiponja jone dy krenare me afër rrënjëve etnike duke rrezatuar mbi ne shkëndija dashurie për ti bërë më të forta vlerat tona shekullore?, A është ky muaji ku flamuri ynë i shenjtë që para 110 viteve u ngrit në Vlorë valon më shumë se 11 muajt e tjerë?

Edhe pse bota është bërë një “Qytet i dendur” dhe ne gati të gjithë mund të jetojmë thuajse ku te duam, dashuria për vendlindjen, ruajtja e identitetit dhe traditave tona nga ana psikologjike dhe emocionale ka një ndikim jashtëzakonisht të madh në zhvillimin tonë personal etnik  duke u nisur prej asaj qe ndjenja me e madhe njerëzore është përkatësia dhe kuptimi i jetës aty ku ndodhemi.

Njerëzit janë qenie racionale dhe varen nga kontaktet apo lidhjet për të mbetur emocionalisht të shëndetshëm. Tradita shqiptare fatkeqësisht sot është më e rrezikuar se kurrë më parë, edhe pse ne e dimë sa e rëndësishme është kjo për identitetin kombëtarë të shqiptarëve.

Në traditën tonë a e kemi ne shqiptarët ende pikë të fortë kontributin për vendlindjen, dhe mbështetjen e njëri tjetrit, apo fakti i të bërit shtet na humbi frymëzimin për të vazhduar me tutje, frymëzim ky që e kemi trashëgim që nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu e shumë të tjerë pas tij. Nga ana psikologjike ,ne njerëzit, kemi dëshirën dhe nevojën të lëvizim andej këndej dhe se e urrejmë ndjenjën kur ndihemi të kufizuar si në një marrëdhënie po ashtu ne një vend, por prapë ne instinktivisht kemi nevojë për një pike kthimi. Ne, njerëzit, kemi nevojë për një vend të cilit i përkasim emocionalisht.

Unë e dua shumë Nëntorin, jo për arsyen që është muaji që kam lindur, por enkas për këtë intensitetin e ndjenjave të atdhedashurisë dhe të qenurit shqiptare. Në këtë muaj ndryshon psikologjia jonë dhe gjendja jonë emocionale karshi vendlindjes. Marrëdhënia e brendshme midis secilit prej nesh dhe vendlindjes përjetohet si një nevojë për siguri, familjaritet dhe dashurin pa kushte e që na kujton fëmijërinë tonë. Ne jemi me melankolik, me nostalgjik dhe ndjejmë në mënyrë kolektive një energji dashurie dhe ndjeshmërie për njeri tjetrin dhe historinë tonë të lashtë. Sikur kjo energji dhe ky solidaritet të mbizotëronte edhe muajt e tjerë ne do te ishim edhe me te fuqishëm se sa që jemi.

Ne jemi popull që kemi një histori të lashtë me një urtësi, durim dhe vizion shekullor, e që është kalitur në gjenet tona ku inteligjenca emocionale e të parëve tonë parimisht ka pasur çështjen kombëtare dhe ruajtjen e identitetit tonë si komb. Aftësia jonë kolektive si popull për ruajtjen e identitetit ka ndikuar në rritjen e besimit dhe guximit për të arritur vizionin tone shumëvjeçar, pa humbur energji duke u brengosur për rrethanat që nuk janë te volitshme për te arritur atë. Ky virtyt që kemi trashëguar nga të parët tanë, fatkeqësisht po zbehet dita ditës.

Edhe pse ne tash e sa vite jemi bërë shtet, kjo nuk do të thotë që çdo gjë ka përfunduar. Bile, puna veç sa ka filluar në qofte se duam t’i shohim trojet tona të mbushur me rini që punon dhe ndërton jetën në trojet e veta, dhe kjo punë kërkon angazhim dhe solidaritet nga secili nga ne duke u nisur që nga edukimi në fëmijëri. Ne, të gjithë mund të japim kontributin tonë edhe më veprën më të vogël, duke filluar që nga fjalët që flasim së pari për vetën tonë e pastaj për të tjerët.

Në këtë mënyrë fillon qëllimi i mirë dhe assesi siç jemi momentalisht në një vetëdije kolektive ku shumë nga ne paragjykojmë të tjerët duke kërkuar me vite fajtor, të cilët janë përgjegjës për situatën, e duke harruar se në të vërtet jemi ata që kemi ndërtuar shtetin e jo shteti neve dhe se pa marr parasysh se ku ndodhemi në një mënyrë secili nga ne është përgjegjës dhe fajtor.

Ne e dimë se mundemi më shumë. Mos të luftojmë për vëmendje dhe interesa personale, por të jetojmë me dashuri, respekt dhe ruajtjen e vlerave kombëtare për të lënë gjurmë tek brezat e ardhshëm sikur të parët tanë që na lanë neve.

E kjo vlen sidomos për mërgatën kudo që jeton në rruzullin tokësorë, ku të qenit shqiptar nuk është veç se një identitet, por është me e madhe se kjo, është edhe të qenurit ambasadorë i popullit dhe kulturës tonë kombëtare.

Urime 28 Nëntorin, festën e shtetësisë së Shqiptarëve kudo që janë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Kastriot Rexha vlerëson se Brazili dhe Franca janë kombëtaret…