Nepali heq bllokimin e rrjeteve sociale pas protestave

09 shtator 2025 | 08:44

Qeveria e Nepalit hoqi të hënën bllokimin e rrjeteve sociale, vetëm pak orë pasi protestat kundër korrupsionit u shndërruan në përplasje të dhunshme, ku humbën jetën 19 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

Bllokimi i platformave si Facebook ishte vendosur javën e kaluar si pjesë e një fushate për të luftuar dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, por nxiti zemërimin e të rinjve dhe shkaktoi protestat masive në kryeqytetin Katmandu dhe qytete të tjera.

Për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës, autoritetet kanë vendosur orë policore të pacaktuar në Katmandu dhe në rajonin përreth, duke ndaluar çdo tubim publik, raporton Reuters.

Kryeministri  Sharma Oli shprehu keqardhje për humbjet e jetëve dhe tha se dhuna është nxitur nga grupe egoiste. Ai premtoi ndihmë financiare për familjet e viktimave dhe trajtim falas për të plagosurit.

Po ashtu, qeveria do të krijojë një komision hetimor për të zbardhur shkaqet e protestave dhe për të marrë masa që të mos përsëriten ngjarje të tilla.

Protestat u organizuan nga të rinjtë, të cilët kërkojnë veprime më të forta kundër korrupsionit dhe më shumë mundësi ekonomike në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ndër komandantët e Betejës së Koshares, ish deputeti i…