Nëse bisedohet për traktat paqeje, presidenti i prin procesit

12 qershor 2020 | 10:59

Politologu Ramush Tahiri ka bërë me dije se natyra e dialogut që Kosova do të bëjë me Serbinë do ta caktojë edhe udhëheqësin e këtij procesi. Ai ka treguar se nëse ky proces do të jetë teknik, atë do ta udhëheqë qeveria.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka treguar se nëse dialogu do të jetë për ndonjë traktat të paqes, procesi do të udhëhiqet nga presidenti i vendit. “Nëse me dialog kuptojmë bisedimet për njohje reciproke, shkëmbimin e notave diplomatike, me të cilat do të njiheshin Kosova nga Serbia, atëherë kjo është punë e qeverisë. Por, nëse do të ketë dialog për paqe, për marrëveshje gjithëpërfshirëse, atëherë kjo është punë edhe e presidentit. Këtu qeveria nuk përjashtohet, por kyçet edhe presidenti i vendit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka deklaruar se Kosova nuk duhet të hyjë në dialog për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Sipas Tahirit, hyrja e Kosovës në një proces të tillë do të ishte e rrezikshme. “Kosova asnjëherë nuk duhet të hyjë në bisedime me Serbinë duke mos e pranuar kufirin që ekziston tani. Kosova në bisedime me Serbinë duhet të hyjë me kufij të qartë, si një subjekt ndërkombëtar. Nëse Kosova hyn në bisedime për kufij pa u njohur nga Serbia, atëherë Kosova faktikisht e mohon vetveten. Mirëpo në opinion liderët tanë, fatkeqësisht, po thonë se na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, po përdorim terminologji të gabueshme në raport me dialogun me Serbinë”, ka thënë ai. Tahiri ka paralajmëruar se dialogu teknik në mes të dy vendeve do të rifillojë këtë muaj. Ai ka deklaruar se takimet në mes të dy presidentëve do të mund të fillojnë në muajin tetor.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, presidenti dhe kryeministri po pretendojnë të dy se do ta udhëheqin procesin e dialogut me Serbinë. Kush mendoni se duhet ta udhëheqë këtë proces?
Tahiri: Pavarësisht prej deklarimeve të tyre, mendoj se të dy thirren në Kushtetutën e Kosovës. Këtu keqkuptimi është se çka nënkuptohet me dialog. Nëse me dialog kuptojmë bisedimet për njohje reciproke, shkëmbim të notave diplomatike, me të cilat do të njiheshin Kosova nga Serbia, atëherë kjo është punë e qeverisë. Por, nëse do të ketë dialog për paqe, për marrëveshje gjithëpërfshirëse, atëherë kjo është punë edhe e presidentit. Këtu qeveria nuk përjashtohet, por kyçet edhe presidenti i vendit. Në Kosovë është krijuar një opinion që disa vite se bisedimet duhet t’i udhëheqë ose kryeministri ose presidenti. Ky mendim është i politizuar dhe i pasaktë. Në Kushtetutë dhe ligje kjo çështje është e qartësuar. Pra, Kushtetuta ua ka caktuar përgjegjësitë qeverisë dhe presidentit. Dihet se nëse një proces e udhëheq kryeministri, presidenti nuk shkon. Ndërsa kur një proces udhëhiqet nga presidenti, kryeministri mund të shkojë, sepse edhe në takime multilaterale ku janë të dy liderët institucionalë, presidenti flet i pari dhe pas tij flet kryeministri.

“Epoka e re”: A do të duhej që presidenti dhe kryeministri ta qartësojnë këtë polarizim?
Tahiri: Ky polarizim është i panevojshëm. Presidenti ka të drejtë kur thotë se kur ta thërrasin atë në dialog ai do të shkojë, sepse ata që i thërrasin liderët institucionalë të Kosovës e dinë se kush iu duhet dhe për çka iu duhet. Problemi te ne është se nuk po dihet se çka është dialogu. Këtu secili po flet sipas mënyrës së vet, pa e kuptuar mirë dialogun se për çka do të bisedohet.
Ajo që dihet është se deri më tani bisedimet e Brukselit i ka nënshkruar vetëm Qeveria e Kosovës dhe jo presidenti. Presidenti nuk ka shkuar në Bruksel për dialog. Dialogu në mes të dy vendeve nuk është zhvilluar asnjëherë në nivel të presidentëve. Nëse bëhet një marrëveshje e paqes, pse po dëshiron dikush ta largojë presidentin Thaçi. Nëse dikush nuk e do Thaçin, atëherë le ta largojnë dhe ta zgjedhin dikë tjetër president. Sepse institucioni i presidentit është unifikuar dhe e përfaqëson vendin brenda dhe jashtë. Dihet që presidenti nënshkruan disa traktate ndërkombëtare të cilat janë të numëruara në Kushtetutë dhe ku përfshihet edhe traktati i paqes. Pra, ndryshe është kur të thuhet se po bisedohet për marrëveshje gjithëpërfshirëse apo pa marrëveshje të paqes, e ndryshe është kur të thuhet se po bisedohet për njohje bilaterale për njohje reciproke.

 “Epoka e re”: Kryeministri Hoti ia ka prezantuar AShAK-ut kornizën për dialogun me Serbinë. Si e keni parë këtë kornizë?
Tahiri: Kryeministri Hoti po tenton të bëjë forum të liderëve partiakë, grupe të ekspertëve dhe komision parlamentar. Mendoj se ai nuk mund t’i bëjë të gjitha këto sepse nuk është në kompetencën e tij. Ai nuk mund të kërkojë që krahas qeverisë të punojë edhe me liderët e partive politike. Këto mund ta bëjë presidenti e jo kryeministri. Edhe ish-kryeministri Kurti e pati planifikuar një grup ku presidentin e kishte lënë pas kryeministrit. Kjo nuk shkon askund.

 “Epoka e re”: Përveç faktorëve politikë vendorë, edhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po deklarojnë se të dyja vendet do të bisedojnë për një marrëveshje historike ligjërisht të obligueshme.
Tahiri: Tani e kemi përvjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës ku ushtria e ish- Jugosllavisë ka kapitulluar. Ajo ka qenë marrëveshje e paqes. Çfarë marrëveshje të paqes po duam ne sot ta bëjmë me Serbinë. Kosova nuk mund të bëjë marrëveshje paqe me Serbinë sepse Kosova nuk i ka shpallur luftë asnjëherë Serbisë. Ne nuk kemi një akt të një institucioni të Kosovës që i ka shpallur luftë Serbisë. Ne çdo herë kemi thënë se lufta e UÇK-së ka qenë luftë për çlirim dhe liri.
Besoj se Kosova nuk ka nevojë për bisedime të tilla me Serbinë. Ne me Serbinë duhet të flasim për vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe përmes atyre marrëdhënieve diplomatike do të na njohë Kosovën. Në këtë mënyrë do të veprojmë me të gjitha shtetet e tjera që nuk na kanë njohur ende. Ne i kemi dikur rreth 300 marrëveshje me të gjitha shtetet që na kanë njohur, të cilat i ka bërë qeveria, përkatësisht ministritë adekuate. Nëse nënshkruhet marrëveshja e paqes, atëherë duhet të hyjë edhe amnistia. Ndërsa, nëse nënshkruhet marrëveshje për njohje, atëherë automatikisht Kosova e ka kufirin me Serbinë. Institucionet tona nuk do të duhej ta ndjekin idenë e Vuçiqit i cili po thotë se me shqiptarët kemi luftuar me qindra vjet dhe tani duhet të bëjmë paqe. Ai nuk po thotë me Kosovën, por me gjithë shqiptarët.

“Epoka e re”: A duhet Kosova të hyjë në këto bisedime?
Tahiri: Kosova asnjëherë nuk duhet të hyjë në bisedime me Serbinë duke mos e pranuar kufirin që ekziston tani. Kosova në bisedime me Serbinë duhet të hyjë me kufij të qartë, si një subjekt ndërkombëtar. Nëse Kosova hyn në bisedime për kufij pa u njohur nga Serbia, atëherë Kosova faktikisht e mohon vetveten. Mirëpo në opinion liderët tanë, fatkeqësisht, po thonë se na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, po përdorim terminologji të gabueshme në raport me dialogun me Serbinë.

“Epoka e re”: Në bazë të përgatitjeve që kanë bërë ShBA-ja dhe BE-ja për këtë proces, nga cili lloj i dialogut po shkon Kosova? Nga dialogu për një traktat paqeje me Serbinë apo nga një marrëveshje për njohje bilaterale?
Tahiri: Fatkeqësisht, nga viti 2011 e këndej Serbia është në avantazh ndaj Kosovës. Ajo ka arritur të bëjë konferencë statusore, pra ka arritur të bisedojë për statusin e Kosovës. Në marrëveshjen për fusnotën kemi bërë hapa mbrapa në këtë drejtim, ani pse e kemi pasur mendimin e Gjykatës së Drejtësisë në favor të pavarësisë. Tani Serbisë po i konvenon një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën sepse një marrëveshje e tillë përfshin mbylljen e konflikteve. Kosova nuk ka nevojë për një marrëveshje të tillë. Pra, ndërmjetësimin që po dëshiron ta bëjnë ShBA-ja dhe BE-ja është fakt se po na dërgojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për mbylljen e konfliktit.
Ne nuk kemi nevojë për një proces të ri me Serbinë. Kosova ka pasur një dialog teknik me Serbinë për t’i arritur disa marrëveshje konkrete. Në këtë proces i kemi arritur 36 marrëveshje, 33 në Bruksel dhe tri që i bëri ambasadori Grenell. Nëse mendohet se me Serbinë do të bëhet marrëveshje për reparacione të luftës, e kemi gabim. Sepse këtë nuk e ka bërë as Bosnja, as Kroacia e as Sllovenia ngaqë nuk është pajtuar Serbia me këtë. Pra, me Serbinë nuk na duhet kurrfarë bisedimesh gjithëpërfshirës, por bisedime konkrete për çështje konkrete.

“Epoka e re”: Kur prini se do të rifillojë dialogu?
Tahiri: Besoj se dialogu teknik në mes të dy qeverive do të rifillojë në muajin qershor. BE-ja është vetëm lehtësuese në këtë proces sepse nuk arbitron në proces. Ky proces do të rifillojë shpejt. Nuk besoj se do të shkojë z. Hoti në këtë proces, por dikush prej qeverisë, ku do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe për temat e reja. Me siguri se do të diskutohet për këto tri marrëveshje që janë arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell.

“Epoka e re”: Po dialogu i paralajmëruar për marrëveshjen historike, kur mund të fillojë?
Tahiri: Takimet politike mes presidentëve pa ndonjë agjendë nuk besoj se mund të fillojnë para muajit tetor. Ato takime nuk besoj se do t’i pengojnë marrëveshjet që mund t’i bëjë qeveria në Bruksel. Po e përsëris edhe një herë, mendoj se Kosova nuk duhet të ketë aso lloj bisedimesh me Serbinë sepse ne luftën e kemi përfunduar në vitin 1999.

Muhamet Koci, Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suedia ka njoftuar për ditën rekord me raste të koronavirusit…