Nëse e konfirmon Apeli, ku do ta vuajnë dënimin Gucati e Haradinaj?

20 maj 2022 | 08:16

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, në rast të konfirmimit të dënimit nga Apeli, dënimin do ta vuajnë jo në Holandë, por në një shtet tjetër, varësisht cili shtet shpreh gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara për kohëzgjatjen e dënimit të shqiptuar, në pajtim me aranzhimet e bëra nga Dhomat e Specializuara.

Avokat i licencuar nga Gjykata Speciale, Mentor Beqiri, thotë për Albanian Post se vuajtja e dënimit bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre vendeve që kanë treguar gatishmëri.

“Presidentja e Gjykatës do të caktojë shtetin e zbatimit të dënimit, në bazë të raportit të Zyrës së regjistrimit, duke përfshirë çdo informacion të mëtejshëm të marrë”, thekson Beqiri.

Por, ai shton se “përpara marrjes së vendimit për caktimin e shtetit ku zbatohet dënimi, presidentja mund të konsultohet me gjyqtarët e kolegjit që kanë shqiptuar dënimin, “mund të kërkojë pikëpamjet e personit të dënuar dhe Prokurorit të Specializuar dhe mund të konsultohet më tutje me zyrën e regjistrimit”.

Ndërsa, sipas hulumtueses së IDK-së – Medina Kadriu, transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme, pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë.

“Kurse, deri në finalizimin e përgatitjeve prej administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, shpjegon Kadriu për AP.

Megjithatë, Kadriu – sqaron që lista  e shteteve të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk është publike.

“Me aq sa kemi njohuri, në bazë të një marrëveshje të Holandës dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës, Holanda nuk ka pranuar që të dënuarit me aktgjykim të formës së prerë të vuajnë dënimin në këtë shtet”.

Sipas saj, kryesisht në listë të shteteve që kanë pranuar transferimin e të dënuarve në bazë të vendimit të formës së prerë për vuajtje të dënimit – “besojmë se janë shtetet të cilat kanë kontribuar në themelimin dhe buxhetin e kësaj gjykate”.

Të mekurën e 18 majit, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim.

Ata janë shpallur në disa pika fajtorë, por jo edhe për pikën e aktakuzës “hakmarrje”.

Dënimi, nga gjashtë vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 4 vjet burgim.

“Të akuzuarit vazhduan të shpërndajnë në shkallë të gjerë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e qindra dëshmitarëve të mbrojtur. Ata e bënë këtë në mënyrë të përsëritur dhe me entuziazëm”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë…