Nesër fillon Kampionati Evropian U16 i volejbollit, organizohet në Prishtinë e Tiranë

01 korrik 2025 | 13:21

Federata e Volejbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Volejbollit të Shqipërisë do të organizojë Kampionatin Evropian U-16 për vajza, i cili prej 2 deri më 13 korrik 2025 mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe në Tiranë.

Kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e volejbollit e zhvilluar ndonjëherë në Kosovë, dhe njëra prej ngjarjeve më të mëdha në sportin e Kosovës, që përfaqëson një moment historik për sportin dhe komunitetin tonë. Vashat e Kosovës e nisin kampanjën ndaj Malit të Zi, takim ky që nis në ora 20:00 dhe që pritet të mbledh numër të madh shikuesish. Kosovën U-16 e ka vizituar në përgatitje edhe zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani. Vizita e saj ishte një dëshmi e qartë e mbështetjes së plotë të MKRS-së, e cila ka qenë thelbësore në të gjitha etapat e organizimit dhe përgatitjeve për këtë kampionat të jashtëzakonshëm.

“Në adresimin e saj drejtuar vajzave të Kombëtares, Osmani i inkurajoi të japin më të mirën dhe të përfaqësojnë me krenari Republikën e Kosovës në arenën evropiane. Osmani u prit nga presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi, si dhe anëtarët e bordit Gezim Brahimi dhe Gentiana Beqa, të cilët e falënderuan për përkrahjen e jashtëzakonshme të ofruar nga MKRS në të gjitha format. Kjo mbështetje financiare ka qenë 100% e garantuar dhe vendimtare për realizimin e këtij projekti madhor”, thuhet në njoftimin e FVK-së.

Në grupin (B) e Kosovës janë edhe Kroacia, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia.   Shqipëria ndodhet në grupin A, së bashku me Bullgarinë, Francën, Italinë, Lituaninë, Poloninë, Spanjën dhe Ukrainën.   Pikërisht Kosova dhe Shqipëria kanë luajtur dy ndeshje miqësore para nisjes së Evropianit, derisa bashkërisht kanë vizituar edhe kompleksion memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë, Ambasada e Shteteve të…