Nesër raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, votohet në 18 komuna
Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.
Votimi në raundin e dytë do të mbahet në 18 komuna të vendit, në të cilat s’u zgjodh kryetari me të parën.
Komunat në të cilat nesër do të ketë garë janë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor, ndërsa në këto 18 komuna asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme në raundin e parë, prandaj procesi po vazhdon në balotazh.
KQZ ka njoftuar se të gjitha përgatitjet teknike janë drejt përfundimit.
Për këtë balotazh, KQZ do të hapë 507 qendra votimi dhe 1.628 vendvotime të rregullta, si dhe 18 qendra dhe 20 vendvotime me kushte.
1.690 votues do të hedhin votën për herë të parë.
Ndërkohë, 1.147 qytetarë janë larguar nga lista për shkak të vdekjes ose humbjes së shtetësisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët, vëzhguesit dhe të tjerë për raportim të parregullsive dhe për të kërkuar informacione / udhëzime për procesin e votimit.
Nga KQZ bëjnë të ditur se në ditën e zgjedhjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës do të funksionalizojë dhomën operative për të bashkërenduar aktivitetet me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Në zgjedhjet e së dielës, do të angazhohen rreth 80 prokurorë për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.



