
Netanyahu paralajmëron më shumë goditje në zonat bërthamore: Ne luftën s’e kemi me popullin e Iranit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar pas kundërpërgjigjes së Iranit, drejt Tel Aviv dhe Jeruzalemit.
Netanyahu thotë se lufta e Izraelit nuk është me popullsinë e Iranit, por lidershipin. Ai paralajmëroi më shumë goditje kundrejt Iranit, në zona ushtarake dhe bërthamore.
Kryeministri izraelit iu drejtua qytetarëve iranianë, duke u bërë thirrje të ngrihen dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
Ai theksoi se qëllimi i Izraelit është të ndalojë kërcënimin bërthamor dhe të raketave që vjen nga Irani. “Teksa ne arrijmë qëllimin tonë, po hapim rrugën edhe për ju që të arrini lirinë tuaj,” tha ai.
Në fund, Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të bashkohet rreth flamurit dhe historisë së vet.
Ndryshe, rreth 150 raketa janë lëshuar nga Irani në drejtim të qyteteve kryesore të Izraelit në valën e parë hakmarrëse të Teheranit, që erdhi pas atij sulmi kirurgjikal të ushtrisë izraelite, që i mori jetën komandantëve kryesore të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarëve që çonin përpara programin bërthamor të vendit.
Sipas mediave në Izrael, IDF I ka njoftuar tanimë civilët se mund të largohen nga strehimoret e tyre sepse sulmi iranian ka mbaruar.
Të paktën shtatë vende në dhe përreth Tel Avivit u goditën nga sulmi me raketa iraniane ndaj Izraelit këtë mbrëmje, tha një zyrtar ushtarak izraelit për The New York Times, pa specifikuar shkallën e dëmit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes në reagimin e parë pas kundërpërgjigjes së Teheranit tha se “Irani e ka shkelur vijën e kuqe duke guxuar të lëshojë raketa në qendrat e popullsisë civile në Izrael”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë qytetarët izraelitë dhe të sigurohemi që regjimi i ajatollahëve të paguajë një çmim shumë të lartë për veprimet e tij kriminale”, tha Katz.
Ndërkohë, lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e paralajmëroi ofensivën hakmarrëse përkundrejt Izraelit përmes një postimi në platformën ‘X’ mbrëmjen e sotme, pak para se sulmi me raketa që goditën Tel Avivin dhe Jeruzalemin, të niste.
“Regjimi sionist ka bërë një gabim të madh, një gabim të rëndë dhe ka kryer një akt të pamatur. Me ndihmën e Zotit, pasojat e këtij veprimi do ta çojnë atë regjim drejt shkatërrimit. Kombi iranian nuk do të lejojë që gjaku i dëshmorëve të tij të vlefshëm të mbetet pa hakmarrje, dhe nuk do të injorojë shkeljen e hapësirës sonë ajrore”, tha Kahmenei.
Më tej lideri iranian shtoi se Forcat e Armatosura të vendit të tij janë të gatshme, dhe zyrtarët e lartë dhe i gjithë populli janë pas tyre.
“Sot, duhet t’i përgjigjemi fort identitetit të keq, të pështirë dhe terrorist sionist. Me ndihmën e Zotit, do të përgjigjemi me forcë dhe nuk do të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Jeta me siguri do të bëhet e hidhur për sionistët. Regjimi sionist nuk do të shpëtojë i sigurt nga ky krim i tmerrshëm që ka kryer. Kjo është e sigurt: Forcat e Armatosura të Republikës Islamike do të japin goditje të rënda kundër këtij armiku të keq sionist. Populli iranian është me ne. Ata mbështesin Forcat e Armatosura, dhe Republika Islamike do të triumfojë mbi regjimin sionist, me vullnetin e Zotit”, shtoi në vijim Khamenei.
Sulmi i Izraelit natën e kaluar shkaktoi vdekjen e disa komandantëve të lartë iranianë, përfshirë Hossein Salami, komandantin e përgjithshëm të Gardës Revolucionare Islamike.