
Netanyahu premton kthimin e të gjithë pengjeve nga Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua sërish të enjten se të gjithë pengjet e mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës do të kthehen në shtëpi, pa përjashtim. Kjo deklaratë erdhi gjatë një vizite në Kibucin Nir Oz, një nga vendbanimet më të goditura nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, që nisi luftën në rajon.
Vizita e Netanyahu-t ndodhi pak para takimit të tij të planifikuar javën e ardhshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili ka bërë të ditur se Izraeli ka rënë dakord me kushtet për një armëpushim 60-ditor në Gaza.
“Ndihem thellësisht i përkushtuar, para së gjithash, për të garantuar kthimin e të gjithë pengjeve tona, pa përjashtim”, tha Netanyahu.
Ndërkohë, Trump theksoi se “mbi të gjitha, dua që populli i Gazës të jetë i sigurt. Ata kanë kaluar nëpër ferr”, duke shmangur komentet e mëtejshme mbi idenë e mëparshme për një kontroll amerikan mbi enklavën.
Hamasi ka konfirmuar se po shqyrton propozimet për armëpushim dhe po konsultohet me grupet tjera palestineze. Sipas burimeve, marrëveshja përfshin lirimin e 9-10 pengjeve të gjallë dhe dorëzimin e trupave të pajetë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Nga 251 persona të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, 49 ende mbeten në Gaza, ndërsa 27 janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite.