Nga 20 minuta për liderët e UÇK-së në fjalët përfundimtare, caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

19 dhjetor 2025 | 15:45

Trupi gjykues në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka njoftuar mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

Trupi gjykues ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklarata duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026, si dhe datat e rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse është e nevojshme.

Para këtij vendimi, në njoftim është bërë me dije se trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e ZPS-së për të paraqitur kundërprova, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e provave të tilla.

Trupi gjykues gjithashtu ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së liderëve të UÇK-së që t’i lejojë apelimin e vendimit të mëparshëm me të cilin ishte refuzuar kërkesa për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me aktgjykimin.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të kenë mundësinë të ngrihen në këmbë edhe një herë në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale për të thënë fjalët e tyre përfundimtare.

Trupi gjykues ka vendosur që ata të kenë në dispozicion nga 20 minuta secili, nëse dëshirojnë.

Trupi gjykues rikujton se deklaratat politike ose vërejtjet fyese ndaj palëve, pjesëmarrësve, dëshmitarëve apo viktimave nuk do të lejohen dhe nuk do të tolerohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku,…