“Nga lufta në liri…”, ekspozitë e mbushur me fakte historike

11 qershor 2025 | 19:19

Sot në hollin e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”, organizuar me rastin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës më 12 qershor.

Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me katër institucione: Bibliotekën Kombëtare të Kosovës (BKK), Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës (MKK).

Hapjen e ekspozitës e ka bërë drejtoresha e BKK-së, Blerina Gaxha-Rugova, e cila tha se “kjo ekspozitë na kujton luftën, lirinë dhe respektin që kemi për ndihmën që i kanë dhënë të gjithë aleatët Kosovës për çlirimin e saj”.

Po me nga fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe drejtuesit e institucioneve bashkorganizatore, Atdhe Hetemi, drejtor i përgjithshëm i IKKL-së, Vjollca Aliu, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Mehmed Xhemajli, drejtor ekzekutiv i AShAK-ut.

Në ekspozitë të pranishëm ishin kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues të disa misioneve diplomatike në Kosovë, përfshirë ambasadorë dhe diplomatë të huaj.

Drejtuesit e institucioneve thanë se kjo ekspozitë paraqet një homazh të denjë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe shtetësi.

Të gjithë folësit gjatë hapjes së ekspozitës thanë se ndihma dhe përkrahja e miqve ndërkombëtarë – veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të NATO-s dhe aleatëve të tjerë demokratikë – ishte vendimtare për ndalimin e spastrimit etnik dhe për çlirimin e Kosovës. Kontributi i bashkësisë ndërkombëtare, u tha, mbetet i pashlyeshëm në ndërgjegjen kolektive të popullit të Kosovës dhe përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të re.

Në kuadër të ekspozitës u paraqitën: libra, monografi dhe periodikë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës; dokumente, fotografi dhe materiale audiovizive nga arkiva e Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë; dokumente historike nga fondet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës; eksponate muzeale nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në fund të muajit në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Gjatë aktivitetit u shfaq edhe një dokumentar, që përmbledh pamje nga lufta, raportime të medieve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me zhvillimet dhe krimet e luftës në Kosovë. Kjo ekspozitë ofron një mundësi të çmuar për reflektim dhe ndërgjegjësim historik, duke mos qenë vetëm një dëshmi e së kaluarës, por edhe një thirrje për kujtesë kolektive dhe vlerësim të sakrificës për liri.

Parafjala e katalogut shkruar nga Blerina Rogova Gaxha, Atdhe Hetemi, Vjollca Aliu, Mehmed Xhemajli

Kujtesa e luftës ka peshën e madhe si një kundërpërgjigje ndaj harresës: ajo nxit e inspiron krijimin e rrëfimeve autentike të cilat nga një dëshmi individuale, bëhen dëshmi e të tjerëve. Dëshmitë për luftën dhe gjurmët e luftës në shoqëri të paraqitura në libra, gazeta, fotografi dhe video, mbërthejnë një kuptim gjithëpërfshirës dhe ekzistencial të aspekteve universale të ekzistencës njerëzore.

Katalogu i ekspozitës Nga lufta në liri : çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie paraqet përpjekjen e përbashkët ndërinstitucionale për ta dëshmuar rrugëtimin e popullit të Kosovës nga pushtimi në çlirim përmes zërit të dokumentit, kujtesës dhe dëshmisë vizuale. Ekspozita, e hapur në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, është një përulje ndaj rezistencës, sakrificës dhe qëndresës së popullit të Kosovës në kërkim të lirisë. Nëpërmjet këtij katalogu dhe kësaj ekspozite, lexuesit dhe vizitorët ftohen të njohin e të reflektojnë mbi një periudhë vendimtare të historisë sonë të afërt. Materialet e paraqitura: libra, artikuj të medieve, dokumente arkivore, fotografi dhe eksponate të ruajtura me përkushtim, janë dëshmi autentike e së kaluarës dhe e së tashmes.

Lufta dhe çlirimi i Kosovës nuk janë vetëm kapituj historikë, por burime përkujtimi e reflektimi kolektiv.

Lufta dhe paqja, si dy skaje të së njëjtës përvojë, sollën me vete edhe traumën – si prani dhe si pasojë aktive. Në këtë ekspozitë trauma nuk është thjesht temë e nënkuptuar, por një zë i heshtur që kalon përmes çdo faqeje, çdo fotografie, çdo objekti. Ajo na fton të reflektojmë për historinë dhe për atë se çfarë ndodh me njeriun kur historia e zhvesh nga identiteti i tij personal e kolektiv. Dhe pikërisht për këtë, kujtesa bëhet rezistencë.

Kjo ekspozitë është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet katër institucioneve: Bibliotekës Kombëtare, Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës. Përmes punës së tyre të përkushtuar, janë vënë në pah materiale të rralla e domethënëse të cilat na ndihmojnë të rindërtojmë një pasqyrë më të plotë e më të thellë të rrugëtimit tonë kolektiv drejt lirisë.

Katalogu Nga lufta në liri… është thirrje për të dëgjuar, për të ndjerë, për të kujtuar. Dhe, mbi të gjitha, për të mos harruar.

Përshtypja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, shprehur në rrjete sociale për materialet e ekspozitës

Muaji qershor është muaji kur shënohet Çlirimi i Kosovës. Këtë vit shënojmë 26 vjet liri, dhe manifestimet veçse kanë filluar.

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”. Një ekspozitë e mbushur me materiale të çmueshme që dokumentojnë disa nga ditët më të rëndësishme të kombit dhe shtetit tonë.

Dokumentet, fotografitë dhe dëshmitë që ekspozohen janë artefakte historike dhe dëshmi të dhimbjes, vendosmërisë dhe dinjitetit të një populli që nuk u dorëzua as përballë krimeve më çnjerëzore. Sot përkujtojmë përmes fakteve. Sot nderojmë përmes kujtesës. Mbi të gjitha dëshmojmë se nuk harrojmë. Sepse, siç e kemi thënë shpesh, pa kujtesë të ndërtuar mbi fakte, nuk mund të ketë drejtësi. E pa drejtësi, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

Për këtë ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në fund të qershorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bashkuar disa institucione shtetërore për të kontribuar me materialet përkatëse: Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shtatorin e vitit 2023, Besart Istrefi, një pronar restoranti…