
Nga menuja italiane, atmosfera e qetë dhe puthja e çiftit/ “Brenda” darkës së Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez (FOTO)
Festimet për dasmën e shumëpërfolur të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe partneres së tij, Lauren Sanchez, kanë nisur zyrtarisht me një darkë ekskluzive në qytetin romantik të Venecias.
Sipas mediave të huaja, ngjarja u mbajt mbrëmjen e së enjtes, më 26 qershor, pranë kishës ikonike Madonna dell’Orto, në një ambient privat të rrethuar me masa të rrepta sigurie.
Çifti u shfaq me elegancë, ku Lauren Sanchez veshi një fustan të artë nga shtëpia e modës Schiaparelli, ndërsa Bezos zgjodhi një kostum klasik të zi me këmishë të bardhë. Ata u fotografuan duke dalë nga hoteli luksoz Aman, me Bezos që ndihmonte të fejuarën të hipte në varkë, përpara se të niseshin drejt vendit të ngjarjes.
Në darkë morën pjesë emra të njohur nga bota e artit, modës dhe biznesit, përfshirë Tom Brady, Leonardo DiCaprio, Kim Kardashian, Orlando Bloom, Kendall dhe Kylie Jenner, Oprah Winfrey, si dhe stilisti i njohur Tommy Hilfiger me bashkëshorten.
Pavarësisht profilit të lartë të të ftuarve, atmosfera përshkruhet si “e qetë dhe elegante”. Dekorimi kishte si tematikë ngjyrat e bardha dhe vjollcë, me aranzhime lulesh dhe shoqërim pianosh, ndërsa menyja ishte frymëzuar nga kuzhina tradicionale italiane.
Çifti u ka kërkuar të ftuarve që, në vend të dhuratave, të bëjnë donacione për organizata bamirësie lokale në Venecia. Sipas burimeve, rreth 80% e furnizimeve të dasmës janë marrë nga prodhues vendas, në një përpjekje për të respektuar mjedisin dhe komunitetin.
Në përgjigje të interesit të madh mediatik dhe shqetësimeve të disa banorëve, kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, ka deklaruar se organizimi po bëhet në bashkëpunim të plotë me autoritetet lokale dhe se “çdo thashethem për teprime është i pabazë”.
Ceremonia e dasmës pritet të zhvillohet gjatë fundjavës, ndërsa detajet e saktë të eventit mbahen ende sekret.