Nga Mrizi i Zanave te Mrizi i Djallit

05 qershor 2025 | 16:29

Dr. Halil Cikaj

Dita e Shkollës në Gjonaj, Dita e Rënies së Dëshmorit Zenun Çoçaj dhe përvjetor dëshmori – 4 Qershori

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër –
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”
– Fatos Arapi –
Për ata që kanë veshë e sy, por nuk dëgjojnë as nuk shohin.
Për ata që kanë zemër e dashuri, por nuk dinë të respektojnë.
Për ata që njohin njerëz të ndershëm, por kanë lakmi ndaj hajdutëve.
Për ata që i bëjnë njerëz të famshëm edhe ata që nuk kanë vlera, dinjitet, ndjenja e as njerëzi.
Për ata që heronjve u thurin lavdi, poezi, besa dhe u këndojnë, por veprën dhe gjakun e tyre nuk dinë ta ruajnë e as ta mbrojnë.
Për ata që kanë histori të vjetër sa vetë jeta – por e mësojnë historinë gjithmonë që nga sot.
Sot jam në Gjonaj, në vendlindjen time. Fshati me një kullë – se të tjerat i rrënuam vetë.
Vendi i vizitës sime është shkolla e vjetër, në mes të fshatit. Quhej “Përparimi”, ndërsa pas luftës mori emrin e dëshmorit: “Zenun Çoçaj”.
Në Luftën e Fundit, si pjesëtar i të shenjtës UÇK-, po ju rrëfej:
Sapo u shpërngul me dhunë popullata drejt Shqipërisë në fund të marsit 1999, armiku serb e shkatërroi të gjithë fshatin. Në flakë e tym, poqi e dogji çdo gjë të gjallë. Por për çudi, nuk e prekën shkollën.
U gëzuam me Zenunin, se mos ndoshta do të shpëtonte.
Na dhimbsej shkolla, një ndërtesë e vjetër, por e fortë. Me këtë vend dhe objekt lidheshin shumë kujtime të së kaluarës sonë – mua si nxënës, atij si punëtor shumëvjeçar në arsim.
Të traumatizuar e të mërzitur që kishim ngelur vetëm, ende nuk e kishim marrë fuqinë e këndelljes nga kjo katrahurë.
E ruanim shkollën çdo ditë. Me direktivat e komandant Zenunit (unë, Zeqa dhe Zenuni), i larguam librat e protokollit, por aty mbeti një pjesë e madhe e dokumentacionit dhe pajisjeve shkollore, të renditura me kujdes nga stafi që tashmë ishte larguar nga fshati.
Një ditë, në gjysmën e parë të prillit 1999, paramilitarët serbë – ata faqezinjë, ata gjakpirës që për çdo ditë vrisnin, vidhnin, shkatërronin çdo gjë të gjallë që takonin: kafshë, qenë, pleq, plaka, të sëmurë, invalidë që s’mund të lëviznin – erdhën.
Me mjekra e të rruar, me uniforma e me shamia të kuqe e të zeza, të shoqëruar me autoblinda, kamionë, vetura dhe të shtëna.
U ndalën, u futën në oborr dhe i vunë flakën shkollës – vendit të shenjtë të fshatit.
Rreth 30 veta, kriminelë e vrastarë, morën harmonikën nga shkolla. Të tubuar rreth një zjarri, hanin mish në zgarë, pinin raki, këndonin këngë çetnike dhe hidhnin valle te “xhuthi”, në varrezat e fshatit.
Ne, nga kodra, i vëzhgonim. Ishim mbushur plot inat e pezëm. Por mundësitë tona për veprim luftarak ishin të kufizuara: s’kishim njerëz, as armë, as municion.
Pas asaj dite, e vizituam disa herë objektin e djegur – gjithkund shkrumb e hi.
Ata ishin të bindur se kjo shkollë do të vdiste, pasi popullata tashmë ishte shpërngulur. Por tek ne jetonte shpresa e lirisë – se një ditë kjo shkollë do të rindërtohej dhe do t’i kthehej jeta me plot nxënës.
Dhe erdhi liria. Shkolla, me ndihmën e miqve, u rindërtua. U kthye gëzimi e lumturia, u kthyen fëmijët e jeta.
Por Zenuni nuk ishte. Mungonte. Ai kreu detyrën me fytyrë e me nder, ra në altarin e lirisë.
Shkolla mori emrin e tij. Ai u shkri përjetësisht në bronz dhe qëndronte pararojë në oborr, aty ku nxënësit luanin e rreshtoheshin për të mësuar, për të ndërtuar shtetin.
Pas disa vitesh, u ndërtua një shkollë e re, në një vend tjetër. Shkuan mësuesit dhe nxënësit. Shkuan jeta dhe gjallërimi. Mbeti heshtja. Shkolla e vjetër mbeti aty – e vetmuar, pa roje, pa përkujdesje, dhe pa Zenunin (bustin e tij).
Ky vend e ky objekt veçse kishte fituar pavdekësinë. Mbarte mbi vete kujtime të shumë dekadave. Aty shumë gjenerata mësuan se jemi shqiptarë.
Mësuan për mikun dhe armikun. Mësuan abetaren, shkrimin e leximin. Mësuan për Skënderbeun, Naimin, Nolin, Migjenin.
Aty mësuan sportin e muzikën, teatrin e poezinë dhe gjithçka tjetër.
Por këto vepra i harruan të gjithë – edhe ata që nuk duhej të harronin:
• Mësuesit e vjetër që janë ende gjallë dhe kanë shkrirë mundin, shëndetin dhe mendjen në edukimin dhe arsimimin e brezave.
• Ish-nxënësit, shumica prej tyre sot bartës të jetës: familjarë, kryefamiljarë, gazetarë, poetë, shkrimtarë, intelektualë, bartës të ekonomisë dhe funksioneve.
• Mësuesit dhe nxënësit e tanishëm që çdo ditë kanë misionin e dijes dhe edukatës.
• E harruan edhe ata që kishin obligimin dhe mundësinë për ta mbrojtur dhe renovuar – pra, shteti dhe pushteti.
Dhe erdhi një armik i padukshëm: padija, inati, grupacionet e interesit, sharlatanët, të përdalët, kopukët, parapolitikanët.
Kjo farë e keqe, e mbjellë ndër ne me dekada e shekuj, nga spiunë e bashkëpunëtorë të armiqve të të gjitha llojeve, qe më e rrezikshme se çdo armik tjetër.
Ai armik e shkatërroi atë tempull të dijes. E rrënoi, i theu dyer e dritare, i mbushi me pleh dhe jashtëqitje çdo korridor dhe klasë.
Nuk kurseu as ish-klasën time, as sallën e arsimtarëve, as drejtorinë, as kabinetin e teknikës, as laboratorët, as oborrin, as fushën e sportit.
Dhe sot, në vizitën time, aty nuk kishte më as derë. Gjithçka e demoluar e shkatërruar.
Aty takova lopë – të ngopura me kullota, që përtypeshin në qetësi në koridore e klasa.
Shkolla ishte shndërruar në diçka tjetër.
Sikur dëgjoja djallin, jo Parashqevinë:
“Mos ua prishni rehatinë, askush të mos guxojë – se të marrët nuk lejojnë…”
Kjo ndodhi në mes të ditës, në mes të fshatit tim. Muaji maj, viti 2025, shekulli XXI.
Pra, nga “Mrizi i Zanave” i Gjergj Fishtës që ishte dikur, u bë ‘’Mrizi i Djallit’’ atë që shoh sot.
“Kujtesa nuk është vetëm ruajtje, është edhe dhimbje.
Dhe harresa – ndonëse akt i padrejtë – a është mënyra njerëzore për të mbijetuar.?
Milan Kundera
04.06.2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit…