Nga Sazani, në Seman dhe një ëndërr me sy hapur

08 gusht 2019 | 17:44

Nga Rudina Xhunga

Sazani ka qenë vendi ku nuk shkohej dot, sipas meje. I pambërritshëm, i pakapshëm, thjesht vendi që e shikon nga larg, ku dielli bie në det, mes kodrash, në perëndim. Një herë që u nisa me familjen, në një anije që çonte për ekskursion një grup për Sazan, anija nuk u nis dhe unë mbaj mend vetëm pyetjen: “Ta ha bukën që mora me vete?”

Shumë vite më pas shkova, por memoria e fëmijës kishte bërë të vetën, duke e ruajtur në kujtesë si vendi ku nuk shkon dot. Isha dje, me familjen dhe duke i ngulur sytë dallgëve të bardha që lë pas varka, nuk kujtova, po ëndërrova: për ditën kur rruga Triport-Sazan do t’i ngjajë bulevardit Vlorë-Skelë të fëmijërisë sime.

Aty dikur, i shihje dhe njihje të gjithë. Kështu do të bëhet një ditë rruga detare për në Sazan. Triporti i mbetur siç ka qenë në kohën e Enverit, do të mbushet me varka, skafe, jahte, anije. Në mëngjes porti i madh do të gumëzhijë, nga zhurmat e motorëve që ndizen. Pastaj kur të gjithë do të nisen drejt Sazanit, do t’i përshëndesësh në det, si dikur në bulevardin e fëmijërisë. Nëse ke harruar pa marrë diçka, mjafton të zgjasësh dorën të varka ngjitur dhe ta kërkosh. Nëse nuk ke muzikë me vete, jahti përbri do të ketë edhe për ty, aq sa të bezdisesh, se në det, muzikën më të mirë e sjellin valët dhe pulëbardhat.

E shoh detin që ndan Vlorën me Sazanin, plot me anije, të mbushura me turistë që xhirojnë fotografojnë dhe zëra guidash që flasin, tregojnë: “Po afrohemi te qyteti fantazmë i Luftës së Ftohtë. Dikur këtu…”

Nuk e mendoj dot Sazanin pa bunkerët që e rrethojnë dhe shtëpitë e braktisura në kodër. Por një ditë ato shtëpi do të pajisen si dikur. Do të vijnë njerëzit që jetuan në to dhe do të tregojnë ku e kishin divanin, çfarë mbanin në ballkon dhe si ia bënin me ujin që mungonte. Edhe shkolla do të bëhet siç ka qenë, gati për turistët që do të vijnë e ikin dhe mbushin ishullin.

E di që një ditë do të jetë plot, aq plot sa ç’është bosh sot. Njerëzit do ta presin aty perëndimin e diellit dhe nuk do të ikin derisa të agojë. Në agim zhurma do të qetësohet në plazhet e kodrat me ullinj, por do të rinisë në det. Skafet, varkat, jahtet do të nisen për në Vlorë dhe në det do t’i thonë njëri-tjetrit: “Mirëmëngjesi!”

Sot unë bëra vetëm plazh, u krodha mes ujërave blu dhe përreth dëgjoja vetëm zërin e vajzës sime: “Kujdes, mos e lëviz këmbën, shkele një peshk!”

Por nuk besoj se më ra dielli në kokë e ëndërrova. Në një mënyrë a një tjetër, diçka a shumëçka do të ndryshojë dhe dita kur Triport-Sazan do të kthehet në bulevardin më të frekuentuar ujor, nuk do të jetë larg. Deri atëherë në Sazan është thjesht bukur, por si unë fëmijë, sërish njerëzit nisen ta vizitojnë me bukë me vete.

Ndaj nga Sazani, kur ndalova për Triport, nuk qëndrova në Plazh të Vjetër, ku dikur rrija në kamp fëmijësh me teta Sadon, por mora rrugën mes pyllit, direkt në autostradë e vetëm gjysmë ore më pas isha në Seman për të ngrënë kërmij te Trifka.

Petraqi është një magjistar që e kthehu në oazë të ushqimit bio, atë copë vend, mes fushave pa ujë, ku unë sa herë shkoj i them pse nuk bën një pishinë. Ai vazhdon hap puse për ujë, po nuk më ndalon mua të ëndërroj për pronën e tij, as ta promovoj në dritare.

Sot që vajta më shpejt se kurrë nga rruga e re, u gëzova për të që tani do të jetë gjithmonë e më plot dhe për vete që e dua atë fshat, atë njeri që me pret me buzën në gaz, e më përcjell me vezë dhe shalqinj. Se në Tiranë nuk i keni gjë thotë.

Sot provova të pi kafe te Vangjeli në Triport, të lahem në Sazan dhe drekoj në Seman, nesër ku i dihet. Ëndrra janë, dro e ndodhin!/dritare.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet franceze kanë lëshuar më shumë se 700 gjoba qëkur…