Ngecje totale e dialogut Kosovë – Serbi gjatë vitit 2025

04 janar 2026 | 11:34

Viti 2025 nuk solli zhvillime të rëndësishme në procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, përveç emërimit të Peter Sorensenit si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar po nga BE-ja. Gjatë këtij viti nuk pati asnjë takim të nivelit të lartë, kur po bëhen dy vjet që nga takimi i fundit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit.

Dialogu ka vazhduar gjatë vitit që po lëmë pas, me disa takime mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, por asgjë konkrete në këtë proces, shkruan “Epoka e re”.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka vendnumëruar për dy arsye: e para gjendja e jashtëzakonshme dhe protestat në Serbi kanë pamundësuar që të kemi dialog dypalësh të suksesshëm, në të njëjtën kohë mungesa e legjitimitetit të institucioneve të Kosovës ka pamundësuar që përparimi të jetë dhe të shkohet në tavolinën e bisedimeve. Edhe mungesa e aktorëve ndërkombëtarë, ShBA-së dhe Unionit Evropian, meqenëse ata kanë qenë shumë të zënë me zgjidhjen e luftës në Ukrainë. Natyrisht, edhe problemet e tjera që kanë ndodhur në Izrael dhe Gaza kanë bërë që mos të ketë vullnet politik të bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim.

Procesi i normalizimit mund të zgjasë shumë, ndërsa një ndërhyrje diplomatike e ShBA-së mund të ofrojë një shans për përshpejtim të dialogut.

Takimi i fundit ndërmjet Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit u mbajt më 11 shtator në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Peter Sorensen.

Edhe ky takim kishte përfunduar pa ndonjë përparim. Kosova ka insistuar në zbatimin në tërësi të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq Serbia ka kërkuar që fillimisht të zbatohet pjesa që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas këtij takimi me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe emisarin evropian, Peter Sorensen, ka thënë se ka insistuar që të zbatohet veçmas çështja që ka të bëjë me komisionet për të pagjeturit. “Ideja sot ishte të kemi fillimisht progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim, ku palët – Kosova dhe Serbia – japin propozime konkrete, sipas të cilave pastaj, versioni i dhjetë i planit të sekuencimit do të mund të bëhej një plan i pranueshëm për palët”, pati deklaruar Bislimi për gazetarët në Bruksel.

Por, Bislimi tha se nuk u arrit që të themelohet një komision për të pagjeturit për shkak se Serbia me gjasë “është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë”.

Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024 Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatojnë këtë deklaratë.

Bislimi tha se për pikën tjetër të diskutimeve, Kosova ka ofruar tri propozime, por Serbia ka kërkuar që Asociacioni të themelohet fillimisht. “Ato kishin të bëjnë me sigurimin që nenet 1 deri 4 të jenë të përfshira të marrëveshjes bazike, pasi kështu garantohet plotësimi i një neni të aneksit që thotë palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike. Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit. Kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi. Ndërkohë që Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet si shumë thjeshtë, së pari Asociacioni parakusht e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike ose refuzon të diskutojë marrëveshjen bazike”, u shpreh Bislimi.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, në vitin 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obliguese për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Raundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve u zhvillua pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht të 2025-s. Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit shtetërorë për, siç deklaroi, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas takimit me Sorensenin në Beograd, se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve. Për themelimin e këtij asociacioni palët janë pajtuar përmes dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, më 2013 dhe 2015.

Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do ta shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Ndryshe, ndonëse takime të nivelit të kryenegociatorëve janë mbajtur, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur ta sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Më 10 qershor, pas një takimi mes kryenegociatorëve, Sorenseni pati paralajmëruar se po bëheshin përgatitje për një takim të ri të nivelit të lartë, por që nuk ndodhi në këtë vit.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e Brukselit që nga viti 2011. Procesi fillimisht nisi në nivel teknik dhe më pas palët u angazhuan edhe në dialog në nivelin politik. Gjatë procesit palët kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapja e udhëheqësit të Venezuelës Nikolas Maduro nga Shtetet e…