Ngjarje poetike e mirëpritur
Shkruan: Hamdi Jupe
Poetja dhe shkrimtarja Albana Shala, disa herë fituese e çmimeve kombëtare në letërsi, na vjen edhe një herë tjetër me një risi në fushën e botimeve letrare. Këtë radhë ky nuk është një krijim origjinal i saj, por një antologji poetike e një lloji të veçantë: poezi të poetëve holandezë dhe shqiptarë vijnë në një vëllim të përbashkët në tri gjuhë: holandisht, shqip dhe anglisht.
Nuk di të ketë ndodhur ndonjëherë më parë me krijues të tjerë të huaj dhe shqiptarë kjo “krushqi” në fushën e botimeve letrare. Edhe vetëm kjo është një risi, një ngjarje poetike, që të shtyn ta këqyrësh me kujdes prurjen e re. Albana vetë nuk është në libër me krijimtarinë e saj origjinale këtë radhë, siç ka ndodhur me libra të tjerë të shumtë të saj. Por ajo është aty, në thelbin e këtyre poezive, si shqipëruese që u ka dhënë “frymë” atyre në gjuhët e përmendura. Një detyrë e vështirë kjo, por jo e pamundur për Albanën që prej vitesh jeton në një botë pa kufij, atë të poezisë dhe të kulturës shpirtërore në përgjithësi.
Në këtë rast, librin e ri që na sjell Albana, do të duhet ta vlerësonim më së paku mbi bazën e dy kritereve kryesore. I pari do të ishte ai i përzgjedhjes së poezive dhe të autorëve holandeze dhe atyre shqiptarë që ajo ka parapëlqyer të përfshijë në libër. Poezia shqipe ka tani gati dy shkuj që lëvrohet. A janë këto poezi dhe këta autorë, të përfshirë në librin e tanishëm, përfaqësuesit tipikë të poezive të dy vendeve tona? Apo janë përzgjedhje sipas shijes personale të Albanës?
Sfida e parë e autores pra ishte ajo se çfarë poezie do të zgjidhte për hartimin e një antologjie të poezisë nga dy vende, dy gjuhë e dy kultura të ndryshme, jo fort të afërta me njera tjetrën. Ka shumë kritere se si mund të bëhet kjo. Albana ka vendosur të zgedhë kriterin e saj. Pra unë bëra atë që mendova se është më e mira, thotë ajo nëpërmjet librit. “Kjo përmbledhje mbetet një përpjekje personale për të takuar e bashkuar përfaqësues të dy kulturave e popujve dhe dy letërsive shqip dhe holandisht”.
Të tjerë mund të zbatojnë të tjera kritere në përzgjedhjen e poezive në një botim tjetër të kësaj natyre. “Një pasqyrim i drejtpërdrejtë i letërsisë postmoderne, i një epoke të re të globalizimit, ku takohen e përballen globalja dhe lokalja, duke u kthyer në një produkt të qytetit botëror”. Kjo është ajo që sjell autorja dhe për këtë zgjedhje ajo nuk mund të kritikohet.
Albana nuk pretendon të sjellë në libër poezinë “më të mirë” holandeze dhe, po ashtu, poezinë “më të mirë shqiptare”, gjë që mund ta bëjë dikush tjetër më vonë. Pse jo, edhe vetë Albana në nje hap të dytë. Ose mund të mos e bëjë fare, sepse “teoria e relativitetit” vepron edhe në vlerësimin e poezisë, domethënë, ajo që i pëlqen Albanës, mund të mos më pëlqejë mua dhe anasjelltaz. Këtu qëndron bukuria e poezisë, te diversiteti i parapëlqimeve ndaj saj. Lidhur me vlerat realative të poezisë, profesori i nderuar Xhevat Lloshi thotë se ajo poezi që sot mund të duket pa vlera, pas njëqind vjetësh mund të jetë një kryevepër.
Albana ka kriteret e saj të përzgjedhjes. Siç thotë vetë te parathënia e librit, ajo ka përzgjedhur poezitë moderne nga letësia e dy vendeve. Është në të drejtën e saj. Ata që nuk janë të kënaqur prej kësaj, le të përveshin vetë mëngët për të hartuar antologji të tjera sipas kritereve që ata vetë i vlerësojnë si më të mirat. Në fund të fundit, thotë Albana nëpërmjet librit, unë hapa rnjë rrugë të pashkelur. Të tjerët janë të lirë të hapin rrugë të tjera “më të selitura” për të bërë të njohur letërsinë e dy vendeve e më gjerë se kaq. Këtu ajo ka të drejtë. Ne nuk duhet të jemi gjuetarë të tipit që thotë Edward Lucie-Smith: “të botosh një antologji, është të kthehesh në fazan që ditën e parë të gjuetisë”.
Poezia shqipe në këtë botim është krijimtari e mbledhur nga të gjtiha trevat ku banojnë shqiptarë. Ajo e njeh mirë hapësirën e kulturës shqiptare e cila nuk njeh kufij shtetrorë, përderia ka në palcën e saj ADN-në shqiptare. Vetë Albana jeton në një “hapësirë abstrakte” me qëndër në Hollandë, por gjithmonë në lëvizje nëpër Europë e më gjerë. Ka pra aty poezi të poetëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj. Edhe kjo është një vlerë e veçantë e librit. Sa më shumë botime të tilla të kemi në hapësirat shqipfolëse, aq më tepër do të integrohet poezia shqipe në vetvete, duke shkuar kështu te lexuesi shqiptar si një e vetme.
Aspekti tjetër i librit është kthimi i poezisë nga gjuha amëtare në gjuhët e tjera. Fjala “përkthim” në këtë rast nuk është e duhura, kur poezia sillet nga njera gjuhë në tjetrën. Fjala më e goditur këtu do të ishte “shqipërim”. Poezia e shkruar në gjuhë të huaj, shqipërohet, domethënë sillet në shqip me të gjitha ngjyrat dhe emocionet që ka gjuha e re. Përkthimin e bën kompjuteri, njeriu bën shqipërimin.
Noli, shqipëruesi ynë i madh i tragjedive të Shekspirit, nuk i ka “përkthyer” fjalët e Hamletit te monologu i famshëm i tij. “To be or not to be” përkthehet në shqip “të jesh apo të mos jesh”. Por Noli e ka shqipëruar atë “të rrosh a të mos rrosh”. Mos vallë nuk e dinte mire anglishten Noli? Jo, apsolutisht jo. Por po ta shikosh monologun e Hamletit në tërësi, ai bën fjalë për dilemën: të rrojë apo të vrasë veten (“të rrosh a të mos rrosh”) pas gjëmës që i ka ndodhur në familjen e tij, ku xhaxhai ka vrarë babanë dhe është martuar me mamanë e tij.
A i ka “përkthyer” Albana në shqip poezitë e poetëve holandezë, dhe anasjelltaz, apo i ka “shqipëruar”/ “holandizuar” ato? Kjo është çështja “hamletiane” e vlerësuesit në këtë rast. Unë nuk e njoh gjuhën e Van Gogh-ut, prandaj i vetmi kriter i vlerësimit të shqipërimit në këtë rast është të lexojmë me vëmendje poezinë e shqipëruar, duke u përpjekur të kapim në të së pari thelbin e kumtit poetik që ato përcjellin te lexuesi e pastaj edhe elementë të tjera të estetikës poetike: ritmiet, rimat, (nëse ka), asosacionet, muzikalitetin, melodinë, intimitetin etj. Ja që hymë pa dashje në “sinoret” e teorisë së përkthimit të poezisë.
Për secilën prej këtyre poezive mund të shkruanim faqe të tëra, por këtu nuk është vendi për të bërë një gjë të tillë. Libri sa na ka rënë në duar dhe duhet “përtypur” me nge që ta shijojmë. Albana është duke e paraqitur atë te lexuesit në Shqipëri e Kosovë. Na vaftë mbarë. Mbarësi edhe autores së librit në vazhdën e punës së saj të hershme tanimë në fushën e letrave shqipe e më gjerë.