
Ngjarjet kryesore që karakterizuan botën në vitin 2019
Prishtinë, dhjetor/janar – Vrasja e liderit të Shtetit Islamik (ISIS), miratimi i akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA për shkarkimin e presidentit, Donald Trump, zgjedhjet në Bashkim Evropian, zgjedhjet në Britani të Madhe, vazhdimi i luftës në Siri dhe në vende të tjera të Lindjes, si dhe protestat në Hong Kong kanë qenë disa nga ngjarjet kryesore që e kanë karakterizuar botën në vitin 2019.
Pelosi rizgjedhet udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve
3 janar – Kongresistja e Kalifornisë, Nancy Pelosi, është rizgjedhur udhëheqëse e Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, që është roli i tretë më i fuqishëm në Uashington. Pelosi ka qenë në këtë pozitë për katër vjet, nga viti 2007. Ajo ka rimarrë çekanin pasi ligjvënësit e rinj të Dhomës së Përfaqësuesve kanë bërë betimin. Fitorja e saj vjen në kohën kur Qeveria e ShBA-së ka qenë pjesërisht e mbyllur për shkak të mospajtimeve rreth ndërtimit të një muri në kufi me Meksikën, të cilin e do presidenti Donald Trump.
Kriza presidenciale në Venezuelë
10 janar – Kriza presidenciale e Venezuelës ka shpërthyer kur Asambleja Kombëtare e këtij vendi ka rishpallur president Nicolas Maduro. Ky vendim ishte kundërshtuar nga Juan Guidao, i cili është vetëshpallur president. Ai ka marrë mbështetje nga shumë vende të botës, mes tyre edhe nga ShBA-ja dhe BE-ja. Kriza në Venezuelë ka sjellë edhe viktima.
Maqedonia ndryshon emrin
11 janar – Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ndryshimet kushtetuese për ta mundësuar ndryshimin e emrit të vendit, në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së arritur në Prespë me Greqinë. Kjo marrëveshje ia ka hapur dyert Maqedonisë së Veriut që ta marrë ftesën për anëtarësim në NATO që pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit 2020.
Qeveria britanike i mbijeton votës së mosbesimit
16 janar – Parlamenti britanik nuk e ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministres Theresa May. Kundër rrëzimit të qeverisë kanë qenë 325 deputetë, ndërsa për kanë votuar 306.
Shmanget mbyllja e qeverisë amerikane
12 shkurt – Demokratët dhe republikanët në ShBA kanë arritur marrëveshje në parim mbi sigurinë në kufi, e cila do ta financojë qeverinë amerikane dhe do të shmangë një mbyllje tjetër të saj. Marrëveshja ka përmbajtur vetëm një pjesë të parave që presidenti Donald Trump i ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën dhe nuk përmend ndonjë barrierë konkrete.
Sulm terrorist në dy xhami në Zelandën e Re
15 mars – 49 persona kanë vdekur dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e dy sulmeve terroriste në dy xhami në qytetin Kristçërç të Zelandës së Re. Autoritetet kanë ndaluar dy burra dhe një grua, afër zonës ku janë konfiskuar armë të zjarrit. Një video 17-minutëshe, e një prej sulmeve ka nisur me një skenë ku një burrë e identifikon veten si Brenton Tarrant, teksa niset drejt xhamisë Al Noor, vend në të cilin janë vrarë 49 persona. Në prapavijë dëgjohet një këngë nacionaliste serbe.
Digjet katedralja Notre Dame në Paris
15 prill – Katedralja e famshme Notre Dame e Parisit është përfshirë nga flakët. Katedralja mesjetare ka përfunduar së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot ajo konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar. E vendosur në Ile de la Cite, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit. Për renovimin e saj kanë dhënë donacione shumë shtete dhe personalitete.
Komediani Zelensky zgjedhet president i Ukrainës
21 prill – Komediani ukrainas Volodymyr Zelensky pa përvojë politike ka fituar në zgjedhjet, duke u bërë president i Ukrainës. Zelensky si komedian ka luajtur presidentin fiktiv në një serial të popullarizuar televiziv. Ai është vetëm 41-vjeçar.
Partia e Erdoganit humbet qytetet kryesore në zgjedhje
31 mars – Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, është përballur me humbje, teksa partia e tij AK-ja ka humbur kontrollin e kryeqytetit të këtij shteti, Ankaranë, për herë të parë në zgjedhjet lokale. Po ashtu, partia e Erdoganit ka humbur edhe Stambollin, edhe pse ky qytet kishte shkuar në rivotim.
Mbi 320 të vrarë në Shri Lankë, ISIS-i merr përgjegjësinë
21 prill – 321 persona kanë vdekur dhe mbi 500 janë plagosur nga sulmet e ISIS-it në disa kisha dhe hotele të Shri Lankës. Tri kisha në Negombo, Baticaloa dhe Kolombo ishin në shënjestër të sulmeve, ashtu si edhe hotelet “Shangri-La”, “Kingsbury” dhe “Cinnamon Grand” në kryeqytetin Kolombo. Në lidhje me këto sulme policia ka arrestuar mbi 40 persona.
Theresa May jep dorëheqje
25 maj – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka deklaruar se më 7 qershor do të japë dorëheqje si lidere e Partisë Konservative, duke hapur kështu rrugë për një garë për të vendosur për kryeministrin e ri britanik. Dorëheqja e saj ka ardhur për shkak të dështimit të saj në raport me Brexit-in.
Boris Johnsoni, kryeministër i Britanisë
24 korrik – Boris Johnsoni është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Konservatore dhe kryeministër i ri i Britanisë. Johnsoni e ka mposhtur kundërkandidatin Jermey Hunt. Johnsoni është betuar para Mbretëreshës Elizabeta II më 2 korrik.
Ndërron jetë Albert Rohan
5 qershor – Ka ndërruar jetë diplomati austriak Albert Rohan, i cili ishte edhe zëvendës i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Rohani, i cilësuar shpesh si një diplomat shembullor, që nga vitet ’90 ishte përfshirë në përpjekjet për ta vendosur paqen në Ballkan dhe për hapjen e perspektivës evropianë për vendet e rajonit. Ai kishte hyrë në shërbimin diplomatik që në vitin 1963 dhe fillimisht kishte shërbyer në ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd.
Arrihet marrëveshja për drejtuesit e rinj të institucioneve të BE-së
2 korrik – Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, pas një samiti maratonë, kanë arritur marrëveshje për emërimin e drejtuesve të institucioneve kryesore evropiane. Pas kësaj marrëveshje, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, është zgjedhur presidente e Komisionit Evropian. Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, është presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe politikën e Jashtme të BE-së do ta udhëheqë ministri i Jashtëm i Spanjës, Joseph Borell.
Të paktën 60 persona vdesin nga sulmi në një dasmë në Kabul
18 gusht – Një bombë ka shpërthyer në një sallë dasmash në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, duke lënë të vdekur 63 persona dhe duke plagosur më shumë se 180 të tjerë. Shpërthimi ka ndodhur në perëndim të kryeqytetit, kryesisht të populluar me myslimanë shiitë. ISIS-i e kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.
Digjet Amazona, G7-ta ofron 22 milionë dollarë
26 gusht – Malet e Amazonës janë përfshirë nga zjarret. Brazili ka dërguar 44 mijë ushtarë për të ndihmuar në ndaljen e zjarreve. Për t’i dalë në ndihmë Brazilit, liderët ndërkombëtarë janë pajtuar në samitin e G7-s që të ofrojnë ndihmë logjistike dhe financiare (22 milionë euro) për të ndihmuar në fikjen e zjarreve në rajonin e Amazonës. Malet e Amazonës konsiderohen si “mushkëritë e botës”.
Trumpi shkarkon John Boltonin
10 shtator – Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton. Pas lirimit nga detyra, Trumpi ka thënë se nuk është pajtuar më shumë sugjerime të Boltonit.
Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist, në Hong Kong dhunë
1 tetor – Kamionë që transportonin armë, përfshirë raketa bërthamore, kanë parakaluar në Pekin, për ta shënuar 70-vjetorin e Kinës komuniste. Ngjarja ka shënuar përvjetorin e 1 tetorit 1949, datë kur ishte themeluar Republika Popullore e Kinës nga lideri i atëhershëm Mao Zedong. Megjithatë, përvjetori i 70 i Kinës komuniste është përcjell me protesta të dhunshme në Hong Kong, ku mijëra njerëz kanë kundërshtuar rritjen e kontrollit të Pekinit mbi shoqërinë dhe politikat e territorit të tyre. Protestat në Hong Kong kanë vazhduar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019, ku ka pasur mijëra protestues të arrestuar dhe të lënduar nga policia.
Pushtimi turk në Siri
9 tetor – Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka njoftuar se një operacion i ri ushtarak turk ishte nisur në verilindje të Sirisë kundër milicive kurde siriane. “Forcat e Armatosura Turke dhe Ushtria Kombëtare Siriane (rebelët sirianë të mbështetur nga Ankaraja) kanë nisur operacionin ‘Burimi i Paqes’ në veri të Sirisë”, ka thënë Erdogani. Komuniteti Ndërkombëtar dënoi pushtimin turk. Edhe gjatë vitit 2019 Siria ka qenë vatër lufte, ku shumë persona janë vrarë.
Vritet lideri i ISIS-it
27 tetor – Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik (ISIS), Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një operacion të forcave speciale të ShBA-së në veriperëndim të Sirisë. Lajmin e ka bërë me dije presidenti amerikan Donald Trump. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi ka thënë se al-Baghdadi e ka shpërthyer jelekun e tij vetëvrasës gjatë sulmit që është realizuar nga forcat amerikane.
Brexit-i shtyhet deri më 31 janar
28 tetor – Bashkimi Evropian (BE) është pajtuar për shtyrjen e Brexit-it, apo të daljes së Britanisë nga BE-ja, deri më 31 janar të vitit 2020. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i atëhershëm i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Socialistët fitojnë zgjedhjet në Spanjë
11 nëntor – Socialistët e Pedro Sanchezit, që kanë qeverisur deri më tani në Spanjë, kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, mirëpo kanë humbur shumicën, meqë partitë e krahut të djathtë kanë shënuar fitore të mëdha. Partia Popullore konservatore është renditur e dyta dhe partia e së djathtës ekstreme ka fituar më shumë se dyfishin e votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke u shndërruar në partinë e tretë më të fuqishme në këtë shtet.
Përçarjet midis aleatëve përcjellin samitin e NATO-s
3 dhjetor – Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në një samit dyditorë në Londër për ta shënuar 70-vjetorin e themelimit të Aleancës Veriatlantike. Samiti, megjithatë, ka mbetur nën hijen e debateve të ashpra për shpenzimet në mbrojtje, politikat në Siri etj. Pak javë para se të mbahej samiti, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se NATO-s “i ka vdekur truri”. Kjo deklaratë ka “zëmëruar” presidentin amerikan Donald Trump dhe atë të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Merkeli vizitoi Aushvicin
6 dhjetor – Kancelarja gjermane Angela Merkel ka vizituar ish-kampin nazist në Aushvic, për herë të parë në 14 vjetët e saj si kancelare. Vizita e Merkelit është bërë në kohën kur Gjermania po shënon një ringjallje të antisemitizmit dhe rritje të elementeve të krahut të djathtë. Merkeli është kancelarja e tretë gjermane që ka vizituar ish-kampin në Poloni. Udhëtimi i saj është jashtëzakonisht simbolik, pasi bëhet para shënimit të 75-vjetorit të çlirimit të këtij kampi nga trupat sovjetike më 27 janar 1945.
Betohet kryeministrja më e re në botë
10 dhjetor – Sanna Marin ka marrë udhëheqjen e Qeverisë së Finlandës, duke u bërë kryeministrja më e re në botë. Marin, 34 vjeçe, është betuar para Parlamentit finlandez. Deri më tash ajo ka qenë ministre e Transportit, ndërsa paraprakisht ka shërbyer edhe si deputete dhe zëvendëskryeministre. Kryeministri i dytë më i ri në botë është ai i Ukrainës, Oleksiy Honcharuk, 35 vjeç.
Boris Johnson fiton zgjedhjet në Britani
12 dhjetor – Partia Konservatore e kryeministrit britanik Boris Johnson ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke ia mundësuar atij ta bëjë i vetëm qeverinë. Pas fitores Johnsoni ka thënë se partia e tij ka siguruar mandat të fuqishëm për ta përfunduar Brexit-in. Ai e kishte çuar vendin në zgjedhje për shkak se parlamenti britanik nuk e kishte mbështetur për daljen e Britanisë nga BE-ja.
Ish-presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf, dënohet me vdekje
17 dhjetor – Një gjykatë në Islamabad e ka dënuar me vdekje ish-udhëheqësin ushtarak të Pakistanit, gjeneralin Pervez Musharraf. Ai është dënuar në mungesë, pasi është shpallur fajtor për tradhti. Musharrafi ka marrë udhëheqjen e Pakistanit me një grushtshtet në vitin 1999 dhe ka shërbyer si president i këtij vendi nga viti 2001 deri më 2008.
49 gazetarë vriten në botë gjatë vitit 2019
17 dhjetor – Organizata e Reporterëve pa Kufij ka bërë me dije se 49 gazetarë janë vrarë në vitin 2019, 389 janë burgosur dhe 57 të tjerë janë marrë pengje. Kjo organizatë ka theksuar se numri i gazetarëve të vrarë në vitin 2019 është në nivelin më të ulët në 16 vjet. Vrasja e gazetarëve ka ndodhur në Siri, Afganistan, Jemen dhe Meksikë, ndërsa burgosja e tyre ka ndodhur në Kinë, Egjipt dhe Arabi Saudite.
Miratohen akuzat për shkarkimin e Trumpit
19 dhjetor – Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan ka miratuar dy akuza për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Kjo është hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë. Miratimi i këtyre akuzave ka ardhur si rezultat i dyshimeve të Trumpit për presion ndaj homologut ukrainas Volodymyr Zelensky për ta hetuar rivalin e tij demokrat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s, Joe Biden. Tani gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat, i cili dominohet nga republikanët.
Greva e punëtorëve të transportit në Francë
25 dhjetor – Franca është përfshirë në greva. Punëtorët e transportit janë në grevë që nga muaji nëntor. Ata kanë vazhduar grevën edhe në Ditën e Krishtlindjes. Në negociatat në mes të qeverisë dhe sindikatave nuk është arritur marrëveshje. Sindikalistët janë zotuar se nuk do të heqin dorë nga planet për t’i shkrirë 42 skemat për pensione në një. Sipas këtyre reformave, ata që dalin në pension para moshës 64 vjeç do të marrin pension më të ulët. Bisedimet pritet të rinisin më 7 janar.
OKB: Më shumë se 235 mijë njerëz kanë ikur nga rajoni i Idlib-it në Siri
27 dhjetor – Më shumë se 235 mijë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në provincën Idlib të Sirisë, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara, ndërsa forcat qeveritare kanë shtuar ofensivën e tyre në këtë zonë. Eksodi ka ndodhur midis 12 dhe 25 dhjetorit derisa janë shtuar luftimet. Idlib në veri-perëndim të Sirisë është rajoni i fundit i madh i mbajtur nga rebelët që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Asad.
(Faton Dërmaku / Epoka e re)