Ngritja e çmimit të energjisë, përfaqësuesit e bizneseve shprehin shqetësimet e tyre

21 maj 2025 | 16:36

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me iniciativë të deputetëve të LDK-së, të mbështetur nga deputetë të partive të tjera në parlament, u mbajt takim i përbashkët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe KESCO-s, për të diskutuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se në këtë takim të ftuar kanë qenë edhe ZRrE dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK), të dy këto institucione që me Ligj i raportojnë Kuvendit, fatkeqësisht nuk morën pjesë, duke shmangur përballjen me deputetët dhe publikun për vendime me pasoja të rënda ekonomike për vendin.

“Të rikujtojmë se ZRrE dhe AKK iu shmangën Kuvendit sot, por vetëm para dy ditëve ZRrE ka marrë pjesë në një takim me deputetët e LV-së, por jo në Kuvend po në ndërtesën e Qeverisë. Ky nuk është profesionalizëm, ky është servilizëm. Institucionet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë duke i ikur Kuvendit”.

“Takimi megjithatë u mbajt dhe trajtuam çështje si: pasojat socio-ekonomike të vendimit për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, mungesa e konkurrencës reale në tregun e ashtuquajtur “të hapur”, u kërkua transparencë dhe përgjegjësi për interpretimin e dispozitave ligjore, sidomos Nenit 37. paragrafi 2. të Ligjit për Energjinë Elektrike, në bazë të të cilit KESCO jashtëligjshëm është duke u përjashtuar rreth 1300 kompani nga shërbimi universal”, ka pohuar Bajrami.

Ajo ka theksuar se përfaqësuesit e biznesit shprehën shqetësimet e tyre, sidomos për kompanitë prodhuese, të cilave ky vendim do t’ua pamundësojë afarizim, sepse ngritja e çmimit të energjisë rritë koston e prodhimit duke i bërë këto ndërmarrje jokonkurrente në tregun vendor dhe ndërkombëtar, ndërsa tregtarët do t’i rrisin çmimet të cilat në fund i paguajnë qytetarët e vendit.

“Takimi u mbyll me kërkesën publike ndaj ZRRE-së dhe atyre që sot menaxhojnë me buxhetin e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje, të anulojnë ose ta shtyjnë për një vit vendimin për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, deri në garantimin e një tregu funksional dhe konkurrues, në përputhje me ligjin dhe në interes të ekonomisë kombëtare”, ka deklaruar Bajrami.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për faljen e…