
Nipi i Ilir Konushevcit: Ta mbash emrin e tij është përgjegjësi e madhe
Të mbash emrin e heroit Ilir Konushevci nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Kështu ka thënë nipi i dëshmorit të rënë heroikisht 27 vjet më parë, Ilir Konushevci, i cili mbanë emrin e xhaxhait të tij.
Pas homazheve të bëra në varrezat e Velanisë në kryeqytet, ku prehen eshtrat e heroit ilir Konushevci, nipi i tij nën emocione shprehet se çdo vepër e xhaxhait të tij duhet të nderohet nga të gjithë.
Konushevci ka thënë se do ta bëjë më të mirën siç është shprehur ai “për t’i dalë hak” sakrificës së heroit, Ilir Konushevci.
Sot u bënë njëzetë e shtatë vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.
Kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, Konushevci ishte vrarë në mëngjesin e hershëm të datës nëntë maj 1998, atje ku më së paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim, raporton “KP”.
Vrasja e Ilirit ka shkaktuar një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.
Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në..