
Nis certifikimi i subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
“Njoftohen të gjitha partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur se ka filluar afati për aplikim për certifikim për Zgjedhjet Lokale të datës 12 tetor 2025, dhe do të zgjasë deri më 13 gusht 2025”, ka njoftuar KQZ-ja, duke shtuar se subjektet politike duhet të dorëzojnë listën me emrat e kandidatëve për kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Subjektet politike që synojnë të garojnë në zgjedhjet për Kuvendet Komunale dhe për kryetarët e komunave janë të obliguara të kryejnë pagesën e certifikimit.
“Subjektet që në zgjedhjet e fundit të nivelit përkatës kanë fituar të paktën një ulëse në Kuvendin e Kosovës ose në kuvendin komunal lirohen nga kjo pagesë. Për subjektet e tjera, pagesa është 100 euro për komunë, ndërsa në rastin e garimit në pesë ose më shumë komuna, pagesa totale është 500 euro”, ka njoftuar KQZ-ja.
Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për kryetar komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku. Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, ky proces do të mundësohet online, përmes platformës elektronike.
Buxheti i miratuar nga KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale kap vlerën mbi 16 milionë euro.
Zgjedhjet lokale në Kosovë për herë të fundit ishin mbajtur në vitin 2021.
Në zgjedhjet e vitit 2021 në Kosovë, procesi zgjedhor u zhvillua në të gjitha 38 komunat e vendit.
Zgjedhjet u mbajtën në dy raunde: Raundi i parë më 17 tetor 2021 dhe raundi i dytë më 14 nëntor 2021.
Në raundin e parë, 17 komuna arritën të zgjedhin kryetarët e tyre, ndërsa në 21 komuna të tjera u mbajt raundi i dytë për të përcaktuar fituesit.