
Nis takimi mes Trumpit dhe liderëve evropianë, pritet t’i kërkojnë qëndrim më të ashpër ndaj Putinit
Takimi shumëpalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderëve evropianë, sapo ka filluar në Shtëpinë e Bardhë. Paraprakisht, Trump zhvilloi takim me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Siç raporton CNN, liderët evropianë pritet t’i kërkojnë Trumpit që të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Putinit për të shmangur konfliktet e ardhshme, përcjell Reporteri.net.
Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
“Do t’jua bëjmë të ditur, ndoshta më vonë sot,” tha Trump.
Qasja e tij e hapur ndaj pranisë së mundshme të trupave amerikane në Ukrainë mund të shënojë një ndryshim të madh, pasi Ukraina i konsideron garancitë e sigurisë si thelbësore për çdo marrëveshje paqeje me Rusinë.
Trump tha se Evropa do të ketë rolin kryesor në sigurimin e paqes, por SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë atje – Evropa. Por ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë,” tha ai.
Trump shtoi se, nëse arrihet një marrëveshje paqeje, ajo do të funksionojë.
“Besoj se nëse arrijmë deri te paqja, ajo do të qëndrojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë,” u shpreh ai./Reporteri.net