Nisma: Presidentja të mos bëhet pjesë e interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme

04 nëntor 2025 | 15:03

Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër.

Partia që drejtohet nga Fatmir Limaj, ka thënë se vlerëson se “vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme”.

Kjo parti ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme.

“Nisma Socialdemokrate  vlerëson se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik. Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë.  Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht. Nisma Socialdemokrate fton presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës”, është thënë në reagimin e Nismës Socialdemokrate.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu po monitorohet nga skuadra tjetër…