
Një akt që dëmton Forcën, shtetin dhe besimin e aleatëve
Shkruan: Hisen Berisha
Rasti i fundit i një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili gjatë një trajnimi me njësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka lëshuar ekipin dhe ka refuzuar të kthehet me ta, duke zgjedhur të qëndrojë atje tek të afërmit e tij, kërkon një qasje serioze institucionale dhe një reflektim publik të thelluar.
Ky veprim nuk është një zgjedhje individuale e parëndësishme, por përfaqëson një shkelje të rëndë të standardeve ushtarake dhe një cenim të thellë të integritetit institucional të FSK-së dhe të vetë shtetit të Kosovës.
Në aspektin ligjor dhe ushtarak, ky është një akt që hyn në kategorinë e dezertimit – një ndër shkeljet më të rënda në çdo ushtri të botës demokratike. Braktisja e detyrës, refuzimi për t’u kthyer me njësinë dhe qëndrimi i paautorizuar jashtë vendit përbëjnë refuzim të urdhrit, cenim të zinxhirit komandues dhe thyerje të besimit institucional, për çka rregulloret ushtarake dhe legjislacioni në fuqi parashohin përjashtim të menjëhershëm nga Forca dhe ndjekje penale.
Një akt i tillë dëmton seriozitetin dhe besueshmërinë e FSK-së si një forcë ushtarake profesionale, e cila përfaqëson Republikën e Kosovës në marrëdhënie të drejtpërdrejta me aleatë të fuqishëm ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përzgjedhja dhe dërgimi i pjesëtarëve për trajnime jashtë vendit është një akt i lartë përfaqësimi dhe përgjegjësie. Është një nder që bart me vete barrën e sjelljes shembullore dhe përgjegjësisë institucionale.
Kur kjo keqpërdoret për qëllime personale, si në këtë rast, dëmtohet jo vetëm imazhi i FSK-së, por edhe besimi i aleatëve ndaj vullnetit tonë për të ndërtuar një forcë të disiplinuar dhe të denjë për partneritet në strukturat euroatlantike.
Ky veprim i papërgjegjshëm mund të keqkuptohet nga partnerët ndërkombëtarë si mungesë e kontrollit të brendshëm, si dëshmi e moszhvillimit të duhur moral dhe profesional të pjesëtarëve tanë ushtarakë. Për pasojë, ai rrezikon të përkeqësojë gatishmërinë e aleatëve për mbështetje dhe investim të mëtejmë në ngritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Pikërisht për këtë arsye, institucionet tona duhet të reagojnë me maturi, por me vendosmëri të plotë, për të mbrojtur dinjitetin e uniformës dhe besimin e partnerëve.
Ky rast është edhe pasqyrë e një dështimi në sistemin e filtrimit dhe përgatitjes së efektivëve për trajnime ndërkombëtare. Mungesa e një vlerësimi të thelluar të profilit moral, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë profesionale po lë hapësirë për individë që nuk e kuptojnë as detyrën, as përgjegjësinë që lidhet me uniformën.
Edukimi ushtarak nuk fillon me stërvitjen teknike, por me edukimin moral, bindjen institucionale dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj shtetit që përfaqëson.
Por, një element thellësisht shqetësues që nuk mund të lihet jashtë këtij debati është përkeqësimi i kushteve të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sot, shumë pjesëtarë të FSK-së përballen me kushte që janë degraduar nën çdo nivel të mundshëm të dinjitetit njerëzor dhe profesional. Trajtimi financiar është i padenjë, perspektiva e zhvillimit është e mjegullt dhe mungesa e respektit institucional është e thellë.
Në këtë klimë, ulja drastike e kritereve për rekrutim duke mos synuar “ngritjen tonë në nivelin e standardeve – uljen e standardeve në jo/nivelin tonë” dhe mungesa e motivimit real kanë krijuar një ambient që më shumë e nxit largimin se sa qëndrimin në Forcë.
Përgjegjësia për këtë gjendje bie mbi Qeverinë dhe politikat që ndjek, e cila ka dështuar ta mbrojë dhe zhvillojë statusin e ushtarit si pjesëtar i një institucioni të nderuar dhe themelor për sigurinë kombëtare.
Për më tepër, qëndrimi i paautorizuar i një efektivi ushtarak në territorin e një shteti tjetër, pa mbështetje zyrtare dhe jashtë protokolleve të sigurisë, përbën rrezik potencial për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme dhe komprometim të aspekteve të sigurisë që lidhen me misionin dhe strukturën e Forcës. Kjo kërkon hetim të thelluar nga organet kompetente të mbrojtjes dhe sigurisë.
Një rast i tillë nuk mund të trajtohet si incident i izoluar dhe të mbyllet në heshtje institucionale. Nëse nuk merret një qëndrim i qartë dhe ndëshkues, ky precedent mund të shndërrohet në rrugë të rrezikshme për të tjerët që do të tentojnë të përdorin uniformën dhe misionin jashtë vendit si mundësi për qëllime personale. Është detyrë e udhëheqjes ushtarake dhe institucionale të veprojë me vendosmëri për të mos lejuar që një rast i tillë të komprometojë misionin, moralin dhe funksionin e Forcës.
Për këtë arsye, është detyrim i institucioneve përgjegjëse, përmes kanaleve zyrtare diplomatike dhe politike, që të ndërmarrin menjëherë veprimet e duhura për kthimin e personit në fjalë në Kosovë.
Kthimi nuk është opsion, por përgjegjësi që buron nga statusi i tij si pjesëtar i një institucioni të sigurisë në mision jashtë shtetit. Pas kthimit, ai duhet të përjashtohet menjëherë nga Forca, me status “të pandershëm”, duke humbur çdo të drejtë për përfitime apo gradim të mëtejshëm.
Vetëm me veprime të tilla të qarta e të pandikuara, mund të ruhet autoriteti i zinxhirit komandues, besimi i opinionit publik dhe serioziteti i shtetit të Kosovës në sytë e aleatëve ndërkombëtarë.
Ky nuk është një incident personal. Është një çështje me pasoja të gjëra për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, për funksionalitetin e FSK-së dhe për vetë themelet e besimit ndërmjet qytetarit dhe shtetit. Ai kërkon përgjigje të matur, por të vendosur – dhe një sinjal të qartë se në FSK nuk ka vend për asnjë që e sheh uniformën si mjet për interesa personale.