NJË DORACAK CICERON PËR GJASHTË SHEKUJ SKËNDERBE

04 qershor 2018 | 10:15

Veli VELIU

Recension

– Jetëshkrime, fakte, dëshmi, kallëzime, mite, rrëfime, legjenda…

(Riza Greiçevci, “600 vjet Skënderbe”, botoi shtypshkronja “Lenagrafik”, Prishtinë, 2018, f. 110)

NË VEND TË HYRJES

Dorëshkrimi më i ri, “600 VJET SKENDERBE”, i poetit, publicistit, dramaturgut, krijuesit prodhimtar të 105 veprave gjinish të ndryshme letrare, Riza Greiçevci, sjell kujtime faktesh, dëshmish, legjendash, rrëfimesh, mitesh, kallëzimesh, një doracak ciceron, që hedh dritë kujtimesh të lavdishme historike e kombëtare, në periudhë gjashtë shekuj të luftërave, epopesë së Skënderbeut. Dhe, të gjitha këto ninëza historike, mite, legjenda, dëshmi, fakte, gërshetohen në pesë shtylla, që sintetizojnë qëllimin, lavdinë e namin e luftërave të gjeneralit Gjergj Gjon Kastrioti Skënderbeu.

Kjo vepër, siç shihet, vjen në jubileun gjithëkombëtar të 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Gjon Kastriotit Skënderbeu, një nga personalitetet më të devotshëm të historisë sonë kombëtare, mbi 600-vjeçare dhe, sipas mendimit të shkrimtarit, ky libër është një njohës i denjë dhe, ndoshta, i rrallë jo vetëm i brezave shkollarë, me “Zotin e Arbërisë”, me shpëtimtarin e Evropës dhe të Atdheut, Shqipërisë, nga pushtimi shekullor i Perandorisë Osmane.

Lënda e kësaj vepre letrare jubilare, si një dhuratë e çmueshme që u jep shkrimtari, siç u tha, lexuesve të të gjitha moshave, në 550-vjetorin e kalimit në amshim të gjeneralit Gjergj Gjon Kastrioti Skënderbeu, e veçmas shkollarëve gjithandej ku lindet, jetohet, punohet e vdiset shqip, ndërtohet në pesë shtylla, ku secila shtyllë për lexuesit sjell fakte e dëshmi e të bëma të heroit të kombit, Mbretit të Shtatë Evropave, Skënderbe.

“ZOTI I ARBËRISË”

Libri “600 VJET SKËNDERBE” hapet me rrëfimin legjendë “VENDI I SHQIPONJVAE”, aty ku është dheu, është Atdheu i Arbrit, por edhe i Gjergjit, në të cilin, bashkë me 300 luftëtarë, ishte kthyer i biri i Gjonit dhe i Vojsavës, nga Anadolli, në dheun Atdhe i Shqiponjave.
Përveç fakteve e dëshmive për jetën familjare dhe të shpëtimtarit të Evropës e të Arbërisë, Gjergj Gjonit Kastriotit, z. Greiçevci, librin e thur me tekste fare të shkurtra (5- 10 rreshta), e këtë e bën për dy qëllime parësore: E para, që lexuesi i moshës së re shkollore, arsimtarët, të kenë mundësi tepër shpejt, pa ngarkesë, pa humbje kohe, të lexojë (të thith) ngjarje, sa më ma shumë fakte, dëshmi, legjenda, tregime, kallëzime, mite, që, në rrjedhë të gjashtë shekujve, kurrë s’u harruan, s’u zbehën, që flasin qartë e sinqerisht për jetën, lavdinë, për Epopenë e Skënderbeut dhe, e dyta, të dritësohet e të mësohet nga shkollarët tanë nami dhe trimëria, e gjakut të Arbrit, pra djepit legjendë të Kastriotëve dhe birit të devotshëm, zotit të Pallës, bashkimtarit të te gjithë parive luftarake e burrave në zë të Shqipërisë, siç ishte Kuvendi i Lezhës, në të cilin Gjergji, në luftë kundër pushtuesit gjashtë shekujsh të Perandorisë turke.

Këtu po sjellim disa tekste të shkurtra që flasin për gjeneralin e shtatë Evropave, Skënderbeun: Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Gjon Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30 beteja, nga të cilat: 29 prej tyre i fitoi, e humbi vetëm Betejën e Beratit.

KUVENDI I BASHKIMIT KOMBËTAR

Më tutje, lexuesi kureshtar mund të mësojë,jetëshkrime për gjeneralin Skënderbe, “Zotin e Arbërisë”, pastaj dëshmi, kallëzime, legjenda, për lufta e beteja, të Skënderbeut! Është me interes të pikaset pohimi i Aleks Budes, historian, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë:
“Veprimtaria e Skënderbeut nuk është
një balon i fryrë,
siç është thënë, por një fakt historik.
Këtu s’kemi të bëjmë vetëm
me operacione banditësh nëpër male,
por me një luftë gjigandeske,
me përpjesëtime europiane, që zgjati
më tepër se një çerek shekulli
dhe vuri përballë forcave vigane turke,
popullin tonë të vogël”.

Skënderbeu, për të pasur mundësi që të mposhtet me luftë, ushtria aq e madhe osmane, nga trojet e Arbrit, Gjergji bëri një hap historik dhe vendimtar:
Më 2 mars të vitit 1444,
në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës
u mbajt i pari Kuvend Kombëtar
i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë
të shek. XV, disa prej të cilëve
kishin udhëhequr kryengritjet e viteve ‘30.
Në kuvend morën pjesë:
Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia
(bashkë me dy djemtë e tij), Gjergj Stres-Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu
(dhe disa pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje),
Lekë Zaharia, Pjetër Spani, (më katër djemtë e tij),
Lekë Dushmani, Stefan Gojçini (Cernojeviçi) etj.

Po, ashtu, për lexuesit e gazetës “Epoka e re”, besojmë është me interes të përmendet, Sabri Godo,
shkrimtar, politikan, i cili thotë: “Skënderbeu është kthyer në legjendë dhe legjenda kthehet në mit. Por ka një të vërtetë të madhe, rreth figurës së tij. Ai e shkriu jetën në luftën kundër pushtimit turk dhe bëri çmos që këtë ta kthente në një luftë të të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Po të mos ishte kjo rezistencë e madhe, shqiptarët do të ishin kthyer në një popull të robëruar.”

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

Vepra jubilare “600 VJET SKËNDERBE” e Riza Greiçevcit sjell edhe dy dhurata për lexuesit pa dallim moshë, feje, vendi ose race: Sjell një kapitull interesant: “Populli i këndon Gjergj Gjon Kastriotit” dhe ka zgjedhur vargje popullore që vetë populli i ka kënduar, këndon edhe sot, e do t’i këndojë denbabaden për shpatën, trimërinë, mençurinë, burrërinë e Gjergj Kastriotit. Dhe, fare në përfundim të librit, autori, Greiçevci, ka hartuar një kuiz diturie nga epopeja e epokës së Skënderbeut, por dhe nga historia kombëtare shqiptare, në formë garash, si një doracak për shkollarët e moshave të ndryshme, në shkolla shqipe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sali Bilsimi Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës padyshim…