
Një grup qytetarësh protestoi në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë
Një grup qytetarësh ka protestuar në Gjakovë, në kundërshtim të vizitës së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse.
Protesta është mbajtur edhe pse organizatorët kanë deklaruar për mediet serbe se vizita e pelegrinëve është anuluar, për shkaqe sigurie.
Komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk ka asnjë autobus me pelegrinë serbë që është nisur për në Gjakovë.
Protesta kundër pelegrinëve serbë është thirrur nga qytetarët e Gjakovës, kryesisht familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit.
“Pa drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”, ishin disa nga parullat që këta qytetarë mbanin në duart e tyre.
Një ditë më parë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që sivjet t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës ta vizitojnë kishën.
Presidenti Thaçi e ka siguruar Kandiqin se do të angazhohet që liria e lëvizjes të garantohet për të gjithë, përfshirë edhe për ata pjesëtarë të komunitetit serb që duan të vizitojnë kishën apo shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova i ka kërkuar Thaçit të mos e lejojë vizitën e serbëve në kishën në Gjakovë.